Nga At Foti CICI

◾◾◾

Në statutin e ri lexohet një ankth i madh mbi potencialin e reagimeve brendaortodokse ndaj regjimit parakishtar të Kryepeshkopit. Ekziston një frikë e madhe se mos ortodoksët organizohen në shoqata dhe formulojnë opinione publike kundër brishtësisë së kultit, gjë që do të ushtronte trysni në sjelljen e përditshme të Fortlumturisë; në ecjen, gjestet, mimikën, shprehitë dhe nyjëtimin e tij publik. Sepse sikleti ia vjedh shpengimin, duke i rrezikuar të dyja: kultizimin e të dërguarit dhe projektin politik të dërguesve.

Kjo frikë nuk ka të bëjë fare me aktivitete e shoqata nacionaliste, sepse tek e fundit ajo zhurmë i dha erë kryepeshkopit të bënte dramatikun në Lindje e Perëndim, duke u imponuar si shpëtimtari i ortodoksisë në Shqipëri. Në të kundërt, në statutin e ri është fjala për shoqata ortodokse; nga ortodoksët dhe për ortodoksët. Para se t’i lexojmë nenet e 2006-ës në kreun tjetër, këtu do të kthehemi tek shtesat e 1996-ës, për të kujtuar ngërçin e Fortlumturisë ato vite dhe, sidomos, për të kuptuar qëndrimin e tij mbi lirinë e mendimit në Kishë, atje ku shpjegohet çështja e shoqatave.

Nga tre nenet që Janullatosi i shtoi statutit të 1950-ës në vitin 1996, i pari ishte neni 93 që u komentua në shkrimin e kaluar mbi shtetësinë, i dyti neni 94, me të cilin tranzicioni shpallej si dogmë, duke emëruar tre priftërinj “të dalluar” si të parë në Korçë, Berat e Gjirokastër, dhe i treti, neni 95, i cili ligjëronte themelimin e shoqatave brenda kishës, dhe ndalimin e tyre jashtë saj.

Çështja e shoqatave, pra, ishte një nga tri pikat parësore të misionit, edhe pse debatet publike në vitet 90 u përqendruan vetëm tek shtetësia e kryepeshkopit, deri në banalizim. Në këtë shkrim do të komentojmë pjesën e parë të nenit mbi shoqatat, për të parë se çfarë lejohej nga misioni dhe përse, duke e kursyer gjymtyrën e dytë të nenit për kreun tjetër.

“Në çdo zëvendësi kishtare mund të krijohen shoqata: të Gruas Orthodhokse, të Rinisë Orthodhokse dhe të Intelektualëve Orthodhoksë, për zhvillimin e punës katekitike, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
(Neni 95, Shtesë në Statutin e KOASh-it, 1996)

Këtu përdoret termi “zëvendësi”, përderisa në nenin 94 kryepeshkopi i kishte zhbërë mitropolitë, duke krijuar një regjim centralizues, si asgjëkundi në Kishën Ortodokse, ku çdo energji dilte prej tij, për t’u kthyer prapë tek ai. Dhe që këtej çdo gjë vijon me të njëjtën frymë juntiste, atje ku përkthehet dhe shoqatizimi i Kishës.

Neni 95 i 1996-ës përcaktoi tri kategori brenda kishës. Këto duhen cekur me radhë, sepse kanë shumë për të thënë, edhe pse jo shterueshëm.

1▪️Gratë ortodokse

Është më e lehtë të punosh veças me gratë, sepse ato brumosen më kollaj ideologjikisht. Sentimentalizmi i tyre duhet kanalizuar, sepse misioni ka shumë nevojë për sentimente. Për më tutje, gratë do të ndihmoheshin me pako e me veshje, duke u ëmbëlsuar vit pas viti. Fryma e “ngjalljes” do t’i bënte gjithnjë e më të reja, edhe pse mosha iu vërtitej si fantazmë.

Për më thellë, nëpërmjet rrëfimit gratë do të bleheshin më tepër nga rrëfyesit e misionit, do t’iu mësonin të fshehtat familjare, për të komunikuar më mirë me dy kategoritë e tjera, me bashkëshortët dhe fëmijtë, “intelektualët” dhe rininë; për t’i kontrolluar më lehtë familjet ortodokse. Duke ua ditur dobësitë personale e hallet familjare, gratë ortodokse do të pranonin shumë lehtë të nënshkruanin fletërrufe kundër atij a këtij kundërthënësi. Jo vetëm kaq, por firmat e tyre do të përdoreshin edhe jashtë Shqipërisë, nga njëra anë për të ekspozuar cilësinë vendore, dhe nga ana tjetër për të mbështetur Misionarin.

2▪️Rinia ortodokse

Ata fëmijë e adoleshenjtë që silleshin nga gratë ortodokse në kishë do të josheshin, gënjeheshin e bleheshin nga misioni, duke krijuar më vonë rininë ortodokse. Për disa prej tyre, ata më të ndjeshmit, misteri i rrëfimit do të kthehej në kurth të sigurt: natyra e dobësive do të shërbente si blerje e shpirtit, për t’i përdorur e kompromentuar, dhe për t’iu vjedhur lirinë, dhënë nga vetë Zoti!

Ata do të mëkoheshin me një frymë që do t’i vriste përgjithmonë, sepse, edhe nëse ndërgjegjësoheshin më vonë, ata do të përballeshin me zgjedhje njëra më e rëndë se tjetra: ose do të mohonin të kaluarën e tyre, ose do të mohonin kishën e tyre, e cila është personifikuar tashmë tek Njëshi, vetë bamirësi! Ose do të ndaheshin nga nënat e tyre, “gratë ortodokse”, ose nga baballarët e tyre, “intelektualët ortodoksë”.

Faktikisht, rinia e krijuar nga Janullatosi iku nga kisha. Të gjithë ata të rinj zelltarë që shkonin në kishë për vite me radhë, tani nuk shkojnë më në kishë, por as kanë fuqi shpirtërore të çlirohen nga manipulimi mendor i kultit. Krishti nuk e ka fuqinë e Fortlumturisë në ndërgjegjjen e tyre. Jo më kot Krishti është i nënrenditur në simbolikën dhe botimet e KOASh-it, ku 95% e fotove, lajmeve por dhe e botimeve si volum, ka të bëjë me Kryepeshkopin!
Edhe pse të ikur nga Kisha, ata jetojnë në fajësi për çka ndodhi. Për më tej, të rinjtë ortodoksë janë mëkuar me një simbolikë greke në kishë, pa të cilën iu shembet edhe ai besim që iu ka mbetur. Gjithsesi, të rinj të tjerë do t’i afrohen kultit; Kisha është këtu për ata dhe këdo që ka nevojë…

3▪️Intelektualët ortodoksë

Këta janë habitorët e relievit shqiptar. Admirojnë e mrekullohen tkurrshëm. Do të rekrutoheshin në një kod ndryshe komunikimi, në takimet me Prof. Dr. Anastas Janullatosin, ku do të ndizeshin e shuheshin njëherësh kërshëritë intelektuale, për të njomur shpirtin e zhbalancuar nga tranzicioni. Bashkëpunëtorët e robëruar grekë do të shkruanin kumtesa kaq të thella në emër të Fortlumturisë, saqë kur t’i lexonte dritëdhënësi, intelektualët tanë të sfidoheshin krejt e do të mbeteshin me gojë hapur. Domethënë me mendje mbyllur.

Çdo gjë që thotë kryepeshkopi është urdhër “nga lart”, prandaj dhe nuk mund të vihet në dyshim, sepse Ai është Zoti vetë! Vërtet që ata s’mundën të ikin jashtë, por ajo që është jashtë iu ka ardhur brenda. Mjaft prej tyre do të punësoheshin nga KOASh-i, të tjerë do të ndihmoheshin me bursa për fëmijtë e tyre dhe me viza greke. Ndërsa disa prej tyre, do të rekrutoheshin për “shërbime të posaçme”.

Nga të tri kategoritë, këta ishin në pozitën më të vështirë, sepse nëse vinin në pikëpyetje diçka tejet kërshërive intelektuale, do të vendoseshin midis dy zjarreve. Nga njëra anë ishin gratë ortodokse, dhe nga ana tjetër rinia ortodokse; bashkëshortet dhe fëmijtë e tyre. Nga diktatura në diktaturë.

▪️▪️▪️

Asnjë kishë ortodokse në botë ka guxuar ta politizojë grigjën, duke e përndarë në shoqata. Pjesëtimi i trupit kishtar në shoqata kundërshton eklisiologjinë ortodokse. Kjo nuk mund të bëhet edhe për faktin se shoqata është person juridik nga vetë thelbi i saj civil, përndryshe s’mund të jetë shoqatë. Nga ana tjetër e kontradiktës, KOASH-i është një person i vetëm juridik, sipas thelbit të tij komunitar e civil njëherësh, përndryshe s’mund të jetë Kishë.

Grupimet e grave, të rinisë, të fëmijve, për të mos përmendur banalen e intelektualëve, mund të bëhen natyrshëm kur ata takohen, përzihen e krijojnë në jetën kishtare, në mënyrë të shpenguar, duke u bashkërenduar nga kleri, pa qenë e nevojshme të shtrëngohen në shoqata të themeluara nga kisha. Përndryshe, kjo dogmë zoike duhet çuar gjer në fund, sepse duhen themeluar pastaj edhe shoqata të atyre që mbajnë kreshmë, të atyre që rrëfehen, të atyre që kungohen, të atyre që shkojnë në kishë çdo të diel, të atyre që shkojnë më rrallë, të atyre që janë të martuar, të atyre që s’janë të martuar, e të tjera shoqata të atilla.

Fryma e kësaj doktrine e ka burimin nga kisha e juntës në Greqi, ku shoqatat parakishtare, sidomos ajo Zoi ku bënte pjesë kryepeshkopi, funksiononin pikërisht si parti politike, duke krijuar mjedise kultiste më se të neveritura në ortodoksinë greke. Përmes manipulimit mendor, këto shoqata i mobilizonin besimtarët në programe politike, aq sa me ardhjen në pushtet të kolonelëve, kultet kapën kishën dhe imponuan një kryepeshkop të tyre: Jeronimos Koconis, ai që shuguroi Anastasin peshkop! Ajo periudhë e errët sillet tashmë zyrtarisht në Shqipëri, ku kryepeshkopi themelon shoqata, siç bënte ati i tij shpirtëror qëmoti. Për këtë do të flasim prapë në kreun tjetër.

Ky fenomen, i kategorizimit të besimtarëve shqiptarë në shoqata në mesvitet 90, na shtrëngon të shënjojmë një thërrmijë psikologjike të regjimit totalitar. Krijimi i këtyre tri shoqatave u prit me zulmë brenda kishave ortodokse në Shqipëri, pikërisht se u mbush zbrazëtira shpirtërore e atyre viteve, në atë krizë identitare të shqiptarëve. U shua nostalgjia, sepse organizata e gruas, organizata e rinisë dhe ajo e “bashkimeve profesionale”, tashmë u riaktivizuan të shpirtëruara, të zhvendosura në një gjuhë spirituale, por me zë njësoj shoqëror, politik, militant, luftarak, agresiv, si dikur.

Kjo ndodhte në një kohë kur shqiptarët e besimeve të tjera nuk kishin raste të ngjashme për ta shfajësuar një kthim të tillë tek e kaluara nostalgjike. Për ortodoksët u zhvendos kultura e diktaturës në një hulli tjetër, përderia mendësia e juntës, e cila e kishte pjellur intelektualisht Janullatosin, puqej paq përkëtej. I shëroi të gjitha.

Në zemrat e besimtarëve xhaxhi Enveri u zëvendësua pa dhimbje me një tjetër xhaxha të hirshëm, madje shumë më i ëmbël dhe madje tepër mitik, sepse shumica e shqiptarëve në vitin 1991 nuk kishte parë mjekër. Mjekra e Anastasit i intrigonte edhe më shumë, sepse ishte ndryshe nga mjekrat që kishin parë nëpër foto të vjetra. Kjo ishte e mbajtur, e pastër, e prerë me cepa tmerrësisht gjeometrikë, aq katrore sa shkaktonte qesëndi e komente të paharrueshme në rrethet kishtare të Athinës së fillimiviteve 90.

Për parantezë, mjekra e atëhershme ishte ndryshe nga kjo e sotmja, kur ka nisur procesi i shenjtërimit të kryepeshkopit. Tashmë mjekra lihet më e madhe, pa cepa, madje si e pakrehur mirë, për t’iu shëmbëllyer profetëve dhe shenjtorëve, për ta bërë të brishtin edhe më të adhurueshëm; gati për në ikonë…

Zëvendësimi i idhullit për ortodoksët ndodhi në një kohë kur shqiptarët e tjerë nuk e kishin një figurë të tillë, ose përpiqeshin ta gjenin më kot andej-këtej. Në të kundërt, ortodoksët e kishin gjetur ilaçin.

Adoleshentët, të nxitur nga prindët e të ndihmuar nga misioni të zbulojnë e kultivojnë dhuntitë, nisën të bëjnë krijimet e para. Jo rrallë ato ishin buste e ikona të Fortlumturisë.

Më kujtohet gjatë një vizite në Tiranë në mesvitet 90, kur një i ri erdhi dhe i dhuroi kryepeshkopit një bust, vepër e duarve të tij, dhe plaku u çel e u ndez si trëndafil kur pa kokën e vet të gdhendur nga shqiptari. Ishte një bust që për intuitën time artistike ishte shumë i shëmtuar, por vetë Atij i pëlqeu. Vetë kryepeshkopi i stimulonte e i shkaktonte këto “autokrijime”, duke përdorur bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Talentet e të rinjve ortodoksë u shkrinë në poezi për të dërguarin nga qielli, ndërsa mbledhjet me presidiume, fjalime e tufa lulesh ndaj të shenjtit, ishin gjeste tepër spontane, historikisht të pashlyeshme. Nata e Ngjalljes po bëhej çdo vit e më e kuqe në ngjyra e nuanca, më pompoze, më prej parade, më me zhurmë, athua se 1 Maji sa vinte e afrohej, sado që po largohej nga kujtesa e grigjës…

Të gjitha regjimet totalitare puqen, pavarësisht nëse janë ndryshe ideologjikisht. Format janë njësoj, sepse manipulimi mendor është më i lashtë se regjimet totalitare në Greqi, Shqipëri e kudo gjetkë. Dhe megjithatë, kryepeshkopi nuk u përfol kurrë nga intelektualët shqiptarë në këtë pikë, edhe pse ai vijon ende sot me një sjellje publike totalitare.

Neni 95 i 1996-ës na polli një klasë e re në shoqërinë shqiptare. Kush mund ta mohojë? Kur je brenda saj e sheh që është ndryshe në krahasim me ata që janë jashtë, ndërsa kur je jashtë shquan të njëjtën ndjesi të ndërsjelltë. Ata mendojnë dhe jetojnë ndryshe. Përpiqen edhe të flasin pak më ndryshe, duke përdorur zhargonin e kultit. Qielli ka zbritur në tokë, duke pajtuar pa dhimbje krishtërimin me materializmin e tyre.

Zoti i kësaj klase të re është Fortlumturia, i cili mund t’i ndërsejë kundër dikujt vetëm me sy e mimikë, pa e nyjtuar me fjalë.

Kategorizimi i ortodoksëve në shoqata brendatempullore bëri të mundur kontrollimin e tyre psikologjik. Tri shoqatat ishin dhe janë tre mjete manipulimi mendor.

Facebook Comments