Nga Qerim VRIONI

◾◾◾

Ilia Xhimitiku, i njohur me emrin Lilo, lindi në lagjen Goricë më 20 korrik të vitit 1909. Para se të punonte si fotograf, punoi për pak kohë si biçiklist pranë Ndini Kalldrëmxhiut. Në vitin 1927 filloi punën si fotograf me një aparat të tipit “Kodak” që ia kishte sjellë nga Italia i vëllai, Miltoja. Duke ndier nevojën e përvetësimit të këtij profesiuoni, u njoh dhe u lidh me Palok Gurashin, i cili e ndihmoi duke punuar së bashku me të. Më vonë ai krijoi lidhje me Marubët, Ristanët, Kallfën etj. Liloja me të dejtë mund të quihet pionieri i fotografisë në Berat. Në vitin 1936 ndërmori udhëtimin e tij të parë në Itali. Këtu jo vetëm u perfeksionua si fotograf, por edhe u pajis me aparate të reja moderne për kohën. Gjatë Luftës së dytë Botërore krijoi edhe shumë fotografi artistike me pamje nga Berati dhe fiksoi edhe shumë nga ngjarjet historike. Pas mbarimit të Luftës ia morën të gjitha këto krijime pushtetarët gjoja për të pasuruar Arkivin e Shtetit. Më vonë këta i botuan me emrin e tyre ose pa emër, edhe pse ato ruanin vulën e thatë të tij.
▪️Ajet Nallbani

Ndër fotografët e Beratit që ka lënë gjurmë të thella në historinë e qytetit në shekullin e kaluar është dhe Ilia Xhimitiku. Madje, ai për kohëzgjatjen e veprimtarisë së tij fotografike, nivelin dhe fushat ku e ka ushtruar atë, ai, ze pamëdhyshje vendin e parë midis tyre. Përmendim se para tij aty kishin fotografuar Koçi Kusta dhe Naun Vruho, të cilët i kanë shërbyer gjatë komunitetit, por në të njëjtën kohë, duke “kapur” edhe pamje të zgjedhura të qytetit. Më pas, këto foto janë shtypur në kartolina (b/z), jashtë vendit, dhe sot mund të gjenden nëpër shtëpi të ndryshme shqiptare, jo vetëm beratase. Berati, qyteti 2400 vjeçar, për pamjet tërheqëse, më herët ishte vizituar edhe nga piktorë të huaj të shekullit XIX, si anglezët Eduard Lear dhe Charles Cockrell, të cilët kishin realizuar atje piktura me pamje të ndryshme të tij. Pra, qyteti me vendndodhjen dhe mënyrën e ngritjes së banesave, lidhjen e tyre me relievin, paraqiste interes të përhershëm dhe të veçantë për artistët. Duket i drejtë mendimi se, vështirë ndonjë mënyrë tjetër e ndërtimit të banesave të qytetit do t’i jepte Beratit hijeshinë e sotme.

Ilia Xhimitiku, ose Lilo Xhimitiku, siç e thërriste gjithë qyteti për vite e vite me rradhë e, po ashtu ai e kujton edhe sot me këtë emër të lëmuar, është lindur në lagjen karakteristike, Goricë, të Beratit më 20 korrik 1907. Familja e tij asokohe merrej me tregëti. Një dhuratë e veçantë e vëllait të madh, Milto, aparati fotografik “KODAK” (6X9), shkaktoi “prekjen” e parë të tij me botën e fotografisë, një botë që do ta mbante gjithë jetën të lidhur me të e, do t’i siguronte jetesën, por do ishte dhe burim kënaqësish të pamata shpirtërore. Fillon të mësoj fotografimin tek Palok Gurashi, më pas, shërbimi ushtarak në Shkodër i dhuron rastin të njihet me Marubët (Kel dhe Gegë) dhe me fotografë të tjerë shkodranë. Më 1929, Ilia xhimitiku, liçensohet nga Oda e Tregtisë së Beratit për të ushtruar publikisht mjeshtërinë e fotografit (Gazeta “Milosao”-“Ura e Goricës në Berat, pse duhet restauruar”-nga Genci Samimi e Dritan Çoku-18 dhjetor 2010). Një udhëtim, më 1936, në Itali i mundëson njohjen me qytetërimin dhe kulturën italiane (për aq sa lejon një udhëtim), por edhe pajisjen me aparate dhe materiale për fotografim të prodhuar atje së fundmi. Me kthimin në vendlindje, puna e tij si fotograf u përmirësua, ndaj dhe u shtua. Flasim kryesisht për portrete për qytetarët, punë me të cilën “mban familjen”, por dhe që e kryente me përkujdesje e aftësi. Nuk harron t’i shoqëroj fotot me njerën nga dy vulat, atë të thatë, “Foto Xhimitiku-Berat (Albania)”e, që vendoste në pjesën e përparme të fotos, djathtas poshtë, ndërsa të njomën, “Ilia Xhimitiku–Fotograf Berat” në anën e prapme.

Veprimtaria rutinë në dyqan, me portrete të porositura, nuk e pengon atë që të realizojë edhe jashtë tij në raste festash familjare, fetare, shoqërore, foto të pakërkuara dokumentare të ngjarjeve të Beratit, që më vonë do të bënin histori. Tregon vëmendje, sidomos për të paraqitur në fotografitë e tij veshjet tradicionale të krahinës. Gjithashtu, të shumta janë fotot e Xhimitikut që paraqesin vërshimet karakteristike të herëpashershme të lumit Osum dhe përmbytjet që pasojnë në rrugët e qytetit. Nga ato, kuptohet edhe një farë pafuqishmërie e banorëve përballë forcave të verbra të natyrës. Ndërkohë, ai, është përherë në gjah të të rejave në qytet, si vizita personalitetesh, përvjetore, ndërtime dhe rindërtime urbane, gjithçka të ndryshme nga e përditëshmja e një qyteti tradicional pa industri e jetë të zhurmëshme metropolis, por me banorë bujarë e tipikë për harmoni. Theksohet ky fakt edhe sepse në Berat, kishte dhjetra kisha ortodokse dhe, po aq xhami myslimane, ku besimtarët ushtronin fetë e tyre, duke respektuar në të njëjtën kohë, edhe të të tjerëve. Në frymën e kësaj bashkëjetese të qetë, mendojmë se është edhe një peizazh nga qyteti, fotografuar nga pjesa e sipërme e lagjes Goricë. Shikimi i shpejt të kujton pikturat e Lear, fotoja nuk ka kontraste tonale dhe është e mbajtur në gamë( duke përdorur një term nga piktura). Madje, mungesa e kontrasteve e largon disi këtë shkrepje nga statusi i kartolinës. Fotoja të zhyt në atmosferën e kohës të një qyteti pa ngjarje-kreshta dhe ka një romantizëm të ngrohtë. Në foto të tjera, ai, ka përdorur me shije kontrastet tonale. Kjo, vërehet sidomos në disa “shkrepje” të rrugicave të ngushta të lagjeve karakteristike, “Mangalem’ dhe “Goricë“, ato marrin ndriçim të tërthortë nga drita diellore që bije mbi muret e bardhë të shtëpive. Ndër fotot dokumentare të Xhimitikut, mund të përmendim “Ngritja e bustit të “Babë Dudës” (1937), Rikonstruksionin e Urës së Goricës (1938), formimin e Qeverisë Demokratike (tetor 1944), Vizitën e Hrushovit (1959) ( Gazeta “Shekulli”-Lilo Xhimitiku-një fotograf për Beratin e viteve ‘30”-nga Sulo Gozhina, 02.7.2007). Një foto tjetër e Xhimitikut, dokumentare dhe historike paraqet një grup të burgosurish politikë në Berat më 1945. Dy prej të cilëve, Namik Meqemeja dhe Resul Dollani (Toxhari), djem të rinj, rreth 20-22 vjeç, u ekzekutuan pas pak kohe, ngjarje që tronditi një pjesë të madhe të banorëve të qytetit.

Gjithsesi, duke shikuar me vëmendje ato ekzemplarë fotografikë, që kanë “mbijetuar” në duartë e dashamirësve të tij, mund të thuhet se ai zotëronte me lehtësi elementë të gjuhës së fotografisë, si kuadrimi, dritë-hija, këndshikimi, kontrastet. Në peizazhet vërehet se ai zgjedh me shije pikën ku vendos aparatin, që pamja, kësodore, të shpërfaqi të veçantën, që një sy i zakonshëm nuk e dallon. Mjaft, foto të Lilo Xhimitikut u shtypën edhe si kartolina, ndonëse shpesh ato e tejkalonin atë emërtim. Ai, ka fotografuar kryesisht, me filma, por ndonjëherë në studio (dyqan) ka përdorur edhe teknollogjinë me pllaka xhami, veçanërisht në vitet e para të veprimtarisë për popullatën. Po ashtu, kujtojmë se fotografitë e tij janë bardhë e zi, por edhe në sepje, ndonëse jo shpesh. Lilo Xhimitiku, ndihmoi me përvojën e tij, rreth viteve ’60 e ’70, në hapjen e sektorëve të fotografisë (në ndërmarrjet komunale) në Përmet, Lushnje, Fier, Çorovodë, Gramsh, por sidomos duhet theksuar se në vitet 1956-57, ai ndërmorri nismën për ngritjen e grupit të fotografëve të vegjël pranë Shtëpisë së Pionerit të qytetit.

Ndër fotot dokumentare, tashmë me vlera shumë të mëdha historike të Xhimitikut, është dhe ajo që titullohet shkurt, “Berat, 1936”. Në atë vit, u çvendosën për në vendlindjet e tyre, eshtrat e atdhetarëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, të vrarë pabesisht nga shovinistë malazezë në rrethinat e Shkodrës më 1915. Rrugës prej qytetit verior deri në Gjirokastër, kortezhi me arkmortet, bëri dhe një ndalesë në Berat, ku iu rezervua një nderim i merituar në Bashki. Populli i qytetit, me homazhet e shumta ndaj dy dëshmorëve të shqiptarizmës, shpërfaqi, përveç frymës atdhetare dhe civilizmin e tij karakteristik. Çastin e përcjelljes së arkmorteve nga Bashkia ka përngrirë Xhimitiku në fotografinë që shqyrtojmë, por edhe në disa foto të tjera deri sa kortezhi doli nga qyteti. Mendojmë se kjo foto flet për atdhedashurinë dhe qytetarinë e Beratit, shumë më tepër se mjaft fjalime e deklarata.

Studimi dhe analiza e veprës së Xhimitikut, bëhet duke shikuar me vëmendje fotografitë që kanë mbritur në ditët tona, që me llogaritje të përafërta, përbëjnë rreth 10% të gjithë krijimtarisë së tij. Numër frikshëm, i vogël. Kjo për shkak të tri fatëkeqësive të rënda që kanë pllakosur fondin e tij. Së pari, më 13 shtator 1944, i u dogj shtëpia në Goricë bashkë me arkivin, e dyta, stuhia i shkatëron, në shkurt 1954, studjon dhe, e treta, vërshimet e lumit Osum, më 1962, përmbytin arkivin dhe ateljen, shkatërojnë aparatet dhe pajisjet e stampimit, foto dhe letër e papërdorur, kimikate etj, duke i shkaktuar humbje kolosale të pariparueshme (Gazeta “Tema”-“Francezët sjellin “Marubin” beratas”-nga Abedin Kaja e Xhovani Shyti-03.7.2007)). Këtyre, duhet tu shtohen edhe shumë foto të zhdukura nga vet Lilo Xhimitiku, me persona e ngjarje të papëlqyeshme për regjimin, nga frika se mund të shërbenin si “corpus delicti” për persekutim. Shumë foto me karakter politik, si vizita personalitetesh shtetërore të Lilos, janë botuar vazhdimisht në shtyp, por pa emër autori. Po ashtu, vërejmë se ai ka realizuar edhe mjaft portrete interesante të njohurish në mjediset e tyre familjare, duke përjatësuar në letrën fotografike psikollogjinë e tyre. Edhe në këto shkrepje, atij nuk i pëlqejnë kontrastet e forta.

Ilia Xhimitiku, u mësoi mjeshtërinë e fotografimit edhe dy djemëve të tij, që fotografuan gjatë, por pa arritur nivelin e të atit. Dhjetë vjet pas daljes në pension, Ilia Xhimitiku, fotografi simbol i Beratit, shuhet në shtëpinë e tij në lagjen Goricë në vitin 1977. Përcjellja plotë nderime për në banesën e fundit, tregoi për respektin dhe dashurinë e bashkëqytetarëve për të.

Një pjesë e madhe e krijimtarisë së Ilia Xhimitikut, kemi bindjen e plotë se ndodhet në familjet e vjetra beratase, që në një të ardhme jo të largët, mund të mblidhen nga “Galeria Lear” e qytetit, që gjithsesi, nuk duhet qortuar për mungesë veprimtarish. Kjo do përbënte nje detyrë për t’i dhënë Ilia Xhimitikut, vendin e nderuar që i takon jo vetëm në historinë e Beratit, por dhe në atë të fotografisë shqiptare e, vepra e tij do shpërfaqej me të gjitha vlerat e saj.

Ilia Xhimitiku

Berati

Facebook Comments