Nga Shpresë MULLIQI

◾◾◾

Rrëfim i Shyhrete Berishës, gruaja të cilës barbarët i vranë para syve të katër fëmijët

Dikush thotë se janë dikund në një varr masiv, por ende nuk dimë asgjë për këtë

Moto: Nganjëherë as mendja e njeriut nuk mund t’i rrumbullakojë ngjarjet dhe dukuritë që ndodhin rreth nesh dhe në ne. Në fakt, mendja e shëndoshë e njeriut kurrë nuk mund ta akceptojë se ku lind dhe si zhvillohet ndjenja e krimit tek njeriu, si homo sapiens, si qenie e vetëdijshme, pra. Është fakt se as vetë Hobsi, kur e ka thënë mendimin e tij aq brilant se njeriu për njeriun është ujk, megjithatë, nuk do ta ketë besuar se njeriu mund të jetë kaq i egër, ujk dhe shkuar ujkut.
Se sa mund të pësojë dhe të rrënohet mendja e shëndoshë e njeriut, mendoj se këtë më së miri do ta kuptojmë përmes rrëfimit të dhembshëm dhe skajshmërish tragjik të zonjës Shyhrete Berisha nga Suhareka (tash Theranda), nënës që barbarët ia vranë katër fëmijët: Majlindën, Herolindën, Altinin dhe Redonin, si dhe të shoqin Nexhatin, për të vetmin shkak se ishin shqiptarë.
Kështu ne, në këtë numër të gazetës, po e sjellim rrëfimin e saj integral që, s’do mend, është një kontribut i veçantë për ndriçimin e krimit të gjenocidit kundër humanitetit, të bërë në Kosovë mbi shqiptarët dhe arsyeshmërinë që forcat e mëdha në botë ndërhynë ushtarakisht në Kosovë. Po kështu, mendojmë se ky rrëfim dëshmon se të gjithë ata që ishin kundër kësaj ndërhyrjeje të NATO-s në Kosovë ishin dhe mbetën ithtarë të krimit të madh serb, kaptinë e veçantë e të cilit është edhe rasti i vrasjes mizore të familjes Berisha nga Suhareka, në mesin e të cilës kishte më së shumti fëmijë (12), gra, shtatzëna dhe pleq.

NË MËNGJESIN E 25 MARSIT, NË ORËN 5, POLICIA E KA RRETHUAR SHTËPINË E FATONIT

Kur diku nga mesi i dhjetorit të vitit 1998 Misioni Verifikues i OSBE-së ishte vendosur në shtëpinë e Nexhat Berishës në Suharekë të Drinisë së Kosovës, pakkujt, mbase, do t’i ketë vajtur mendja se pas më pak se katër muajsh familja 22 anëtarshe Berisha nga kjo qytezë do ta përjetojë një prej tragjedive më të mëdha jo vetëm të luftës në Kosovë dhe gjenocidit që bënë serbët mbi shqiptarët këtu.
“Misioni i OSBE-së punës në shtëpinë tonë ia ka filluar që nga 26 dhjetori i vitit 1998”, nisë rrëfimin e saj tejet të dhembshëm zonja Shyhrete Berisha, gruaja që me sytë e saj pa tmerrin e papërshkrueshëm, nëna të cilës barbarët para syve, pamëshirshëm, i vranë që të katër fëmijët.
“Në shtëpinë tonë OSBE-ja ka qëndruar deri nga mesi i marsit të vitit 1999, kur kanë vendosur që, për shkaqe të sigurisë së tyre, të ikin nga Kosova, pasi që tashmë ishte e sigurt se Beogradi nuk do ta nënshkruante marrëveshjen paqësore që kishte në tavolinë dhe këta, pra, misionarët më nuk ishin të sigurt”, thotë zonja Berisha. “Mirëpo, edhe pse ata vendosën të ikin, ne, megjithatë, në pritje të sulmeve të NATO-s, nga fakti se në shtëpinë tonë kishim misionin e OSBE-së nuk u kthyem në shtëpi, por shkuam, tok e tërë familja jonë, dhe u vendosëm në shtëpinë e Faton Berishës, djalit të kunatit tim.
Në mëngjesin e 25 marsit të vitit 1999, në orën 5, policia serbe ka ardhur, e ka rrethuar shtëpinë e Fatonit dhe i kanë thyer dyert e saj. Të gjithë kemi qenë në gjumë: unë, burri, fëmijët, kunata, të gjithë. Unë jam zgjuar e para dhe kam dalur tek dera që të përballem me policët. Para derës i kam vënë re tre policë serbë, një më i gjatë, ndërsa dy të tjerë më shtatshkurtër. Ata të tre m’i kanë vendosur automatikët mbi gjoks dhe kanë filluar të më kërcënojnë duke më thënë: ‘Hë, ku i keni amerikanët?!’
Unë u thashë se s’kishim amerikanë dhe se ishim vetëm ne të familjes sonë në shtëpi. ‘Jo, jo, po të vesim ku i keni amerikanët. Ata le të vijnë dhe le t’ju shpëtojnë sot juve këtu!’
Ata çirreshin me sa mundeshin. Pastaj më pyetën se ku e kisha burrin. Unë u tregova se ishte në gjumë. Mirëpo, në këtë çast burri im ka ardhur poshtë shkallëve. Ata e morën atë dhe dolën andej nga shtëpia jonë ku ishte më parë duke punuar OSBE-ja dhe, siç do të më tregoi ai pas pak, atë e kishin pyetur se ku i kishte amerikanët; përse nuk po vinin ata ta mbronin atë; ‘Ku e ke babën Klinton? Pse nuk po vjen ai t’ju ndihmojë tashti juve shqiptarëve’, etj., etj. Ata gjatë tërë kësaj kohe e kishin keqtrajtuar tim shoq, por, megjithë këtë, sërish e sollën tek shtëpia e kunatës. Kur u kthyen këtu, policët, mua dhe kunatën e madhe na ulën në korridor të shtëpisë, gjithashtu pranë nesh e ulën edhe burrin tim dhe një polic fliste me ne ndërsa ata të tjerët i mbanin automatikët e drejtuar në ne. Ky që komunikonte me ne na tha: ‘Ose çitni paratë, ngase ju keni parë të cilat ua ka dhënë OSBE-ja, ose do t’iu vrasim që të gjithëve’. Ata, shihej qartë se na kërcënonin edhe me një autoblindë që e kishin sjelle afër dhe të cilën ne aty nga korridori po e shihnim qartë.
Atëherë kunata ime i ka nxjerrë të gjitha të hollat që i kishte dhe ua ka dhënë. Edhe unë ua dhashë paratë që i kisha. Pastaj, policët u larguan pak, dhe pasi që i numëruan i kam dëgjuar kur kanë thënë në gjuhën e tyre: ‘Në rregull është shef’.
Atëherë ata dolën së andejmi dhe duke na thënë që të rrinim lirisht në shtëpi se nuk do të na bënte më gjë askush, shkuan. Dhe, sapo u bindëm se me të vërtetë shkuan policët, ne i kemi marrë çantat me rroba, valixhet, etj., dhe jemi tërhequr pak më lartë, aty, në shtëpinë e axhës”, rrëfen ngjarjen e saj të dhembshme dhe tragjike Shyhrete Berisha.

ANKTH

Pastaj ajo tregon se të gjithë ata janë përpjekur, së bashku, që të ikin disi dhe të shpëtonin, mirëpo sa herë që kanë dalur në oborr fëmijët apo burrat policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë kanë shtënë me armë në drejtim të tyre. Kështu Berishajt thuaja se nuk kishin kurrfarë gjasash që të dilnin nga rrethimi, edhe pse ata saktë as që kanë mundur ta pandehin dot se çfarë do t’i priste, ç‘egërsim i armiqve të tërbuar që ishin tërbuar nga gjaku i njerëzve të pafajshëm që po rridhte përrua atyre ditëve anekënd Suharekës, sikundër gjithandej Kosovës.
“Njëzet e pesë anëtarë mbetëm të tubuar, të gjithë në shtëpinë e axhës Vesel”, rrëfen tutje zonja Berisha. “Nata ishte tepër e frikshme. Ankth. Pak kush prej të rriturve futëm gjumë në sy. Druanim veçanërisht për fëmijët. Ishin të vegjël, ndërsa e tëra ishte aq e trishtë, aq e pakapshme për mendjen e shëndoshë të njeriut.
Mëngjesi na zuri aty. Dhe, sërish kemi bërë përpjekje që të dalim nga shtëpia, mirëpo ata secilën herë kanë shtënë mbi ne. Kështu, do të ketë qenë ora dikund rreth 12.30, do të thotë mesdita e 26 marsit të vitit 1999, kur djali i Sedatit, Driloni, i cili kishte qenë duke vëzhguar nga dritarja e thirri t’et dhe i tha: ‘O babi, dil e shih Z. serbin që po i afrohet shtëpisë!’.
Atëherë janë ngritur në këmbë Sedati dhe im shoq, Nexhati. Sapo i kanë vërejtur serbët tek po i afroheshin shtëpisë sonë, Nexhati ka bërë njëherë: ‘Ai, bre Sedat mbaruam. Çfarë do të bëjmë tashti!?’
Atëherë serbët që po i afroheshin shtëpisë së Sedatit i kemi vënë re edhe ne. Disa i kemi njohur. Ishin lokalë. Tashmë ishin veshur me uniforma paramilitarësh. Me ta ishin edhe shumë policë. Z.-ja dhe shumë vetë të tjerë nuk kanë qenë policë. Ata ishin civilë, por asaj dite i kishin veshur uniformat e tyre.
Atëherë burrat edhe njëherë kanë ofsharë dhe kanë thënë: ‘S’kemi shpëtim më, por, medet, çfarë do të bëjmë me fëmijët!?’
I kemi parë serbët kur e kanë rrethuar shtëpinë e axhës Vesel. Do të kenë qenë diku rreth 30 policë, pastaj edhe paramilitarë, ushtarë e civilë. Ata thirrën me zë të lartë dhe në gjuhën shqipe: ‘Dil Bujar jashtë!” Bujari ishte djali i axhës Vesel. Ata kanë thirrur disa herë që të dilte Bujari.
Unë jam shikuar në sy me nënën e Bujarit dhe i kam thënë: ‘Aman inxhia Havë, dil ti e bisedo me këta horra, se unë më nuk po mundem të qëndroj dot, ngase dy herë u përballa me ta dhe më nuk po mundem!’
Thënë të drejtën, ajo ndjenjë e tmerrshme më shkaktoi një reaksion të mundimit dhe nuk mund e merrja veten dot. Këtë e vërejtën edhe të tjerët. Atëherë Sedati ka vrapuar dhe ma ka dhënë një tabletë, ndërsa Majlinda, vajza ime e madhe, ma ka dhënë një gotë me ujë. Po ashtu, edhe nuses sonë, shtatzënë në muajin e shtatë, edhe asaj Sedati i ka dhënë një hap që ta pijë. Sedati mundohej të na kurajonte duke na thënë që të mos frikësoheshim.
Më pas, derisa serbët po thërrisnin me sa mundeshin, i tha të ëmës: ‘Nënë, dil ti dhe shihe çfarë po kërkojnë shkiet’. Inxhia Havë doli tek dera shpejtë dhe i pyeti shkiet: ‘Hë, çfarë po doni?’
Z.-ja i tha: ‘Ti hyn brenda. Bujarin duam. Ku është Bujari?’ Ky paramilitar e ka ditur shqipen mirë dhe fliste shqip e jo në gjuhën e tyre. Atëherë inxhia Havë u kthye brenda. Nuk dinim çfarë të bënim. Ata nuk pranin nga të thirrurat. E ne, sikundër e thashë, nuk kinim nga t’ia mbanim. Atëherë Bujari është ngritur në këmbë dhe ka thënë: ‘Po dal. Edhe nëse më vrasin, nuk prish punë. Vetëm le të na shpëtojnë fëmijët!’
Dhe, sapo ka dalur Bujari në ballkon, me të parën e kanë vrarë. Në fakt, ata e shanë diçka në gjuhën e tyre, pastaj e pyetën se ku i kishte amerikanët, ku i kishte shokët, dhe e vranë aty në ballkon. Atëherë neve na thanë serbisht që të ikim.

‘O KUKU, BABI IM!’

Ne u ngritëm dhe e morëm ikën, mirëpo, sapo dolëm tek shtëpia ime, ndërsa shtëpia e axhës Vesel nuk kishte më shumë se 50 metra larg shtëpisë sime, e pamë se edhe shtëpia ime ishte krejtësisht e rrethuar. E rrethuar nga serbët tjerë. Të gjithë kishin qenë me automatikë në duar. Atëherë na i morën burrat dhe na thanë neve grave që të ikim me fëmijët.
Mirëpo unë ndalova. Djalin tim të madh Altinin e kisha përdore, bashkë me Herolindën, vajzën e dytë, ndërsa Majlinda, vajza ime 16 vjeçare, e kishte ngryk djalin e vogël, Redonin, i cili kishte edhe dy muaj pa i mbushur dy vjet. Më kujtohet se aty me ne ishte edhe Dafina, vajza e Sedatit. Të tjerët kishin ikur, ndërsa ne kishim mbetur në rrugë dhe po shikonim se çfarë po ndodhte.
E kam parë me sy kur e kanë marrë edhe burrin tim, Nexhatin. I kanë thënë që t’i ngre duart lart. Nexhati i ka ngritur duart lart. Në të ka shti dhe e ka vrarë M., edhe ky serb lokal, të cilin e njoha mirë. Në këtë çast Majlinda, vajza ime, ka bërtitur me një zë të madh dhe trishtues: ‘O kuku, babi im!’ Me duket se e tërë Suhareka e ka dëgjuar britmën e saj. Por, kur e morën edhe Fatonin, të birin e kunatës sime, i cili kishte vetëm 27 vjet, kunata ime Fatimja shkoi dhe e kapi djalin e saj përdore dhe u tha vrasësve: ‘Jo, jo, mos ma vritni djalin tim. Më vritni mua e mos ma vritni Fatonin!’
Dhe i doli Fatonit para. Mirëpo, ata e vranë edhe Fatonin e edhe Fatimen. Menjëherë i paluan përtokë. Atëherë vrapuan dhe e morën Nexhmedinin, djalin e vogël të axhës Vesel. Nexhmedini ka qenë inxhinier. Edhe nusja e tij, Liria, ishte mësuese. E përmenda më lart se ishte shtatzënë në muajin e nëntë. As dy javë nuk ka pasur që të lindte. Edhe ajo shkoi tek Nexhmedini dhe u tha policëve që të mos ia vrisnin të shoqin. ‘O na vrani të dyve, o asnjërin!’ Dhe ata shtinë. Edhe në Lirijen edhe në Nexhmedinin.
Në ndërkohë, Sedati mori vrapin që të ikte. Mirëpo, e kapën pas kamionit. E liruan për një çast dhe i thanë: ‘Hajt, shko tashti e merre vëllain tënd Bujarin‘. Sedati u kthye dhe sapo e ktheu shpinën ata shtinë mbi te dhe e vranë.
Atëherë, kur e pashë se të gjithë po i vrisnin, u thashë fëmijëve: ‘O, ikni nga të mundeni, se e paskan mendjen të gjithëve të na vrasin!’
Unë me Herolindën, vajzën e dytë, mora një tjetër drejtim, ndërsa Majlinda me djalë të vogël në krah, me Altinin dhe Dafinën morën tjetër drejtim. Nuk e di… Ashtu, prej tmerrit të madh u ndamë.
Unë shkova nga stacioni dhe para një kafeterie, në qendër, vura re shumë njerëz. Të gjithë kishin qenë kushërinjtë e tim shoqi. Besoj të kenë qenë ndonjë 40 veta. Sapo u afrova u thashë: ‘O, bre medet, nuk e di ku më kanë shkuar fëmijët’
Atëherë i kam parë fëmijët tek po afroheshin, ndërsa Altini më tha: ‘Jo, oj mami, qe, erdhëm edhe ne’.
Ndërkaq Majlinda më tregoi se Altini ishte plagosur. ‘Po si oj mëmë?’, e pyeta.
‘Pasi që i vranë të gjithë të tjerët, ata nisën të shtinë edhe mbi neve, por mua nuk më morën plumbat, ndërsa Altinin e kanë plagosur edhe në dorë e edhe në këmbë’.
Kur ia shikova dorën, ajo i rridhte gjak. Atëherë i jam qasur një nuseje aty me fëmijë dhe e luta të ma jepte një mnelë që t’ia lidhë djalit dorën. Ajo ma dha mnelën dhe unë ia lidha dorën.
Dhe, për habinë time, në atë çast e kam parë kur ka ardhur Liria, nusja e Nexhatit. Them u habita, ngase, sikundër e thashë, e kam parë kur shkiet kanë shtënë drejtë në të dhe edhe ajo është rrëzuar përdhe me të shoqin.
‘Po ti?’, e pyeta.
‘O inxhia Shyhrete, mua nuk më morën plumbat, por vetëm u shtira si e vdekur, mirëpo Xhexhin (kështu e thërriste burrin e saj Nexhmedinin) e kanë plagosur rëndë dhe ai është duke vdekur. Por, baci Nexhat’, më tha për tim shoq, ‘po të thërret të shkosh e ta ndihmosh, ngase ka mbetur i plagosur’.
‘Po si të shkoj atje, moj Liri, se ata do të më vrasin edhe mua dhe ku do të na mbeten fëmijët të pa babë e të pa nënë!?’, i thashë.
Liria e thirri edhe vjehrrën e vet dhe i tha që të shkonin dhe ta ndihmonin të shoqin e saj që kishte marrë plagë të rënda nëpër trup. Mirëpo, nëna e Nexhatit ishte e habitur krejtësisht.
Nga ana tjetër, Vloriani, djali i Florës, i thoshte të ëmës: ‘Oj Lola, po a e pave si e mbytën Bajën?!’ Ata ‘bajë’ i thoshin Bujarit. Ndërsa Flora i tha: ‘O inshalla nëna ju ka juve se nuk kemi çfarë të bëjmë”.

VRASËSIT TANË U LARGUAN PËR NJË ÇAST

Në këto çaste, rrëfen tutje Shyhrete Berisha, kanë mbërritur edhe aty policët, paramilitarët dhe serbët tjerë dhe i kanë urdhëruar të gjithë Berishët, të mëdhenj e të vegjël, që të futeshin brenda në kafeteri. Dera e kafeterisë kujtoj se ishte e hapur. Ata i urdhëruan njerëzit e pafajshëm dhe duarthatë që të hyjnë brenda dhe të ulen, kush në kërriga të kafeterisë e kush në dysheme. Këta iu bindën urdhrit. Dhe sapo janë ulur ata kanë filluar të shtinë me automatik mbi ata njerëz krejtësisht të pafajshëm, mbi fëmijët, shtatzënat, gratë, pleqtë… Tmerr… Tmerr!
“Mua më bëhet se kanë shtirë mbi ne tridhjetë minuta… Ndoshta edhe më pak… Nuk di… Kanë shtirë mbi ne pandërprerë. Nuk i kam parë fytyrat e atyre që shtinin mbi ne, por kam përshtypjen gjithsesi se ishte zëri i Z.-së të Suharekës kur na urdhëroi që të futeshim brenda, të uleshim dhe kur filluan të shtinë mbi ne.
Pas pak kohësh krismat pushuan. Vrasësit tanë u larguan për një çast. Dolën jashtë kafeterisë…
E unë… Kur e ktheva kryet, çfarë të shoh… Oh!… Do kishin mbetur të vrarë, por shumë kishin mbetur të plagosur. Unë e kisha përfundi djalin tim të madh, Altinin, ndërsa Majlinda mbante nën trupin e saj djalin e vogël Redonin…
Atëherë Sebahati më ka pyetur: ‘O inxhia Shyhrete, bre, po çka do të bëjmë tash?’
‘O Sebahat, mos flisni… Ndoshta shpëtojmë disi… A e ke fëmijën gjallë?’, e pyeta.
‘Po’, më tha, ‘por, Shirinen ma kanë vrarë’, më tha pastaj duke përmendur kunatën e saj.
Ndërsa Majlinda më thirri e më tha: ‘O mami, bre, këqyre Elën’, vajzën time Herolindën e kemi thirrur ‘Ela’, ‘këqyre Elën si ka vdekur!’
E ktheva kryet andej. Herolinda ka qenë shumë e shëndetshme. E pashë se plumbat e kishin këputur në mes. E kishin marrë shtatë apo tetë plumba.
Vjosa, shoqja ime, ishte para meje dhe më tha: ‘Oj Shyhrete, ktheje kryet dhe shikoje Dafinën si po më gjëmon e nuk po di si t’i afrohem’.
E kam shikuar Dafinën. Ka qenë e shtrirë në shpinë dhe po hiqte të vdiste. Gjëmonte me sa mundej. Dafina ka qenë e bukur dhe shumë e gjatë. ‘O Vjosë, nuk kemi çfarë të bëjmë, motër… Ndoshta ndonjëra mbetet gjallë!’
Unë, thënë drejtë, e dija se ata do të na vrasin që të gjithëve, por nuk mund t’ua thosha këto fjalë të tjerave. Mundohesha t’i kurajoja disi…

‘LOLA DHE TINA KANË VDEKUR, EDHE BACI… VEÇ UNË KAM MBETUR GJALLË’

Në këtë çast, Redoni, djali im i vogël, thërriste: ‘Te mami, te mami…!’
I thash Majlindës të ma jepte djalin. Ne kishim ikur të gjithë të zbathur nga shtëpia dhe vetëm shishen e djalit me lëng e kisha futur në xhep të pantallonave. E mora djalin dhe ia futa thithësen në gojë. Mirëpo, Majlinda ma mori sërish djalin dhe më tha: ‘Unë do ta mbaj Redonin, mami, ndërsa ti mbaje Altinin’. Eh, mendja e saj se do të mbeteshim të gjallë. Se do të shpëtonim.
Sebahatja i kishte futur ndër vete dy fëmijët e saj. Ndërsa Sherinja dhe Floriani ishin paluar sikur kur fle njeriu. Që të dy. Por, kishin vdekur.
Djali i dytë i Florës, Edoni e ngrehi kryet e i tha gruas të axhës së vet, Vjollcës: ‘Lola dhe Tina kanë vdekur, edhe baci… Veç unë kam mbetur gjallë’. Ndërsa, Vjollca i tha: ‘Edhe ti Doni bëhu si i vdekur, se pastaj Vjollca të merr e të këqyrë!’
Atëherë foli edhe djali i Vjollcës, i madhi, Driloni. Edhe ai ishte ende i gjallë. Ai i tha të ëmës: ‘Oj mami, Aba është ulur, ngase nuk ka ditë të shtrihet dhe ja shihe si e kanë vrarë… Dëgjoje si po gjëmon’.
Ndërsa Majlinda më pyeti: ‘E çfarë do të bëjmë tashti, mami?’
‘Mos bëzani, mos bëzani’, u thashë, ‘se do të shpëtojmë’.
Mirëpo, siç duket, ata i kishin dëgjuar zërat tonë dhe u rikthyen. Dhe menjëherë filluan të shtinë mbi ata që kishin mbetur të gjallë. Mua më qëlluan edhe njëherë. Menjëherë më pas e kam dëgjuar edhe njëherë Majlindën kur ka bërë ‘oh’. Kam qenë e shtrirë, por kokën e kam pasur të kthyer andej nga fëmijët e mi. E kam parë se Majlindës ia kishin çarë gjysmën e kokës.
Edhe Sebahati edhe njëherë ka bërë ‘oh’. Edhe asaj ia kishin çarë gjysmën e kokës. Ismeti, djali i Sebahatit, i cili i ka pasur tri vjet, ende kishte qenë gjallë. Ai nisi ta thërriste nënën e tij: ‘O mami ma sjell pak ujë… O mami ma sjell pak ujë’. Kur e pa se ajo nuk po lëvizte, atëherë më vërejti mua dhe më tha: ‘Oj dada Jete’, kështu më thërriste, ‘ma sill pakëz ujë’.
‘O’, i thosha, ‘e mjera unë, as s’kam ujë ku të marr, e as s’kam si të të jap të ta shuaj etjen, as s’kam si të të ndihmoj e as çfarë të të bëj!’
Mirëpo, ai ngulmonte. Ishte bebe fare. Tre vjeç. ‘Oj, Jete ma jep pak ujë… Ujë…’
Ai kishte qenë i plagosur. Qaju edhe pak dhe vdiq. Shkoi pas të ëmës. Edhe Dafina vdiq. Gjëmoi pak dhe vdiq. Edhe inxhia Havë, gruaja e axhës Vesel, edhe ajo gjëmonte. Vjollca i tha: ‘Oj nënë a je ende gjallë’…
Ajo vetëm e lëshoi një zë sa për të treguar se ishte ende gjallë. Por, e dëgjuam edhe pak të lëshonte zë, se edhe ajo vdiq.
Pastaj e pashë edhe Redonin tim. E thashë, kishte edhe dy muaj t’i bënte dy vjet. Edhe ai më vdiq. E kishin qëlluar në kokë. Majlindën gjithashtu. Sebahatin e kishin vrarë… Ismeti vdiq. Vetëm djali i vogël i Sebahatit, Eroni, i ka pasur tetë muaj.
Harrova të them se serbët, pasi që i vranë edhe gjithë këta njerëz, përsëri dolëm jashtë.
Kur e ngreha kokën e vura re se një shoqe imja, e shoqja e Hajdinit – ky ka qenë inxhinier – më pyeti: ‘O Shyhrete a je gjallë, a?’
‘Po gjallë jam, por krahun nuk po mund ta lëviz, po ti tërhiqe djalin e Fatonit, se është i gjallë dhe ta shti ndërmjet këmbëve e ta përkund pak, ndoshta e zë gjumi, mos ta dëgjojnë shkiet’.
Mendoja se mos do të më mbetet Altini dhe ai… Shpresoja…
Ajo e çoi kryet pak, pastaj ma tërhoqi kraharorin, pastaj djalin ma vendosi ndërmjet këmbëve. Mirëpo, ai ishte i vockël dhe prapë qante, kështu që ata u rikthyen dhe ma vranë djalin në prehër, ndërsa mua ciflat e granatës ma zhbiruan këmbën tejpërtej.
Ata përsëri shtinë edhe mbi disa të tjerë që merrnin frymë e që i vërenin, apo që ua merrte mendja se ishin edhe të gjallë, dhe dolën.
Më nuk di me çfarë po shtinin. Nuk dëgjoja kurrfarë krisme, por, ashtu e shtrirë siç isha, mund të shihja tek po i pëlciste kryet dikujt.
Pasi dolën ata, Altini më pyeti: ‘O mami, ku janë ato?’. Pyeste për motrat.
‘Këtu, këtu janë’, i thashë me zë të ulët.
‘A janë krejt?’, pyeti ai përsëri.
‘Po, po, krejt janë’, i thashë. ‘Tashti shtiru ti se je i vdekur, se kur të na ngarkojnë në kamion do të kërcejmë nga kamioni dhe do të shpëtojmë’.
‘Ani de’, më tha djali.
Unë e kuptoj gjuhën e këtyre dhe i dëgjova kur thanë që ta sjellin kamionin për t’i bartur kufomat e njerëzve të vrarë mizorisht, pa pikë faji.

KUR MË QITËN EDHE MUA NË KAMION, ATËHERË E KUPTOVA SE EDHE ALTININ MA KISHIN VRARË

Atëherë filluan t’i marrin trupat e të vrarëve një nga një dhe t’i hedhin në kamion. Kur erdhën, ma hoqën dorën dhe ma morën Altinin. Unë shpresoja se nuk do ta merrnin vesh se ishte gjallë. Mirëpo, kur e nxorën te dera, njëri prej tyre tha serbisht: ‘Ky ende po merr frymë’.
Atëherë e kam dëgjuar një krismë dhe klithmën e Altinit tim.
Në këtë çast kam dashur të bërtas dhe t’u tregoja se isha gjallë. Të më vrisnin edhe mua, mirëpo, megjithatë, shpresoja se ndoshta Altini më kishte shpëtuar. Shpresoja se ndoshta edhe Nexhati mund të ishte gjallë.
Por, kur më qitën edhe mua në kamion, atëherë e kuptova se edhe Altinin ma kishin vrarë. Altinin e kisha tek kryet. Po ashtu, e kisha afër edhe Majlindën time të vrarë.
Nuk mund ta nxirrja krahun nga trupat e pajetë të njerëzve që i njihja dhe që i kisha dashur aq shumë në jetë. Të njerëzve me të cilët e kisha kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Të njerëzve që ishin jeta ime.
Tashti, aty në kamion nisi të kundërmojë era e rëndë e gjakut.
E kam kthyer kryet dhe e kam parë Herolindën. Atë ma kishin vendosur në fund të kamionit. Ajo ka qenë shumë e shëndetshme. Shumë e madhe.
Ne ishim të mbuluar me trupa të pajetë të fëmijëve tanë. Të rritës sonë…
Kufomat në rimorkio të kamionit i kanë vënë me një shpejtësi të madhe. Kanë qenë aty diku rreth 40 kufoma. Më së shumti kishte fëmijë dhe gra.
Pastaj kamioni është nisur me një shpejtësi shumë të madhe. Dhe s’ka kaluar as një kilometër, kamioni ka ndaluar. Makinës iu afrua një njeri. Ishte zë femre më në moshë. E kam dëgjuar kur ka pyetur: ‘Djali im, a mbarove punë?’
‘Po, nënë, po, mbarova’, ia ktheu ky.
‘Atëherë, punë të mbarë dhe rrugë të mbarë’, i tha serbja.
Kamioni është nisur. Ndërsa Vjollca, e cila kishte mbetur gjallë, më tha: ‘A e dëgjove, Shyhrete’.
‘Po, e dëgjova’, i thashë.
‘A ia dëgjove zërin V.’, më tha Vjollca.
Kamioni po çante rrugë para me një shpejtësi shumë, shumë të madhe.
Atëherë e kam prekur Altinin. Ende mbaja shpresë se mos ishte i gjallë. Trupin e kishte pasur ende të nxehtë, por kryet e kishte pasur të çarë… Sytë e çelur…
Ishte i vdekur, por ende i nxehtë. ‘Eh, moj nënë’, thashë, ‘më paskan lënë katilët pa asnjë fëmijë’
Atëherë jam kthyer nga Vjollca dhe e kam pyetur: ‘Po Gramosi ku është, moj motër?’
‘Gramosi është i gjallë, por, nuk e di, Drilonit m’i kanë mbetur sytë çelur dhe nuk po e di se a është i gjallë apo i vdekur…’
Pastaj ajo më tha: ‘Shihi moj Shyhrete, Ismetin, Erionin…’, dhe i përmendte të gjithë fëmijët…
‘Ah, mori Vjollcë, a po e sheh se çka na bëri shkau!?’, ia ktheva me dhembjen që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë.
‘Po, çfarë të bëjmë tashti, Shyhrete?’, më pyeti Vjollca.
‘Nuk di’, i thashë.
‘Ndoshta është mirë të presim që të na varrosin së gjalli dhe atëherë të dalim nga dheu’, më tha.
‘Jo, jo, Vjollcë’, i thashë, ‘mos gabo ta fusësh Gramosin në dhe, sepse do të vdes djali. Për mua dhe ty nuk ka dert, por Gramosi mund të ngulfatet në dhe… Është gjynah… Ata do të na mbulojnë me dhe me ekskavator’.
‘Po si do t’ia bëjmë atëherë’, më pyeti.
‘Merre Gramosin dhe kërce nga kamioni. Shpëtoni!’, i thashë.
‘Po, por kërce edhe ti’, më tha.
‘E si t’i lë fëmijët’, i thashë.
‘Mirëpo, e ke Nexhatin… Sigurisht… A të kujtohet se si të tha Liria se Nexhati është i plagosur… Jam e sigurt se atë ka dalur dikush dhe e ka marrë’.
Atëherë dakordova edhe unë të hidhesha nga kamioni, dhe i thashë Vjollcës se do të afrohesha tek fundi i kamionit për të parë se mos po vinte pas ndonjë makinë e policisë për të përcjellë makinën që po barte kush e di ku aq trupa njerëzish të pajetë të cilët kriminelët i kishin vrarë vetëm nga shkaku se ishin shqiptarë.
Më kujtohet se unë isha diku nga fundi i kufomave, ndërsa Vjollca ishte shumë më thellë në rimorkio. Atëherë unë kam bërë përpjekje të mëdha që të lëvizja pak para e të shihja se mos kishte ndonjë makinë pas. Mirëpo s’kishte qenë askush. Mirëpo, në atë çast, fryma, pa menduar fare, më ka hedhur nga kamioni poshtë. Me atë rast e kam çarë ballin… Për një kohë kam qëndruar e alivanosur në rrugë…
Më pas më kishin pas parë disa njerëz në Lutogllavë… Edhe ata kishin pasur dilemën të dalin të më marrin nga rruga apo jo. Dikush kishte thënë se isha e vdekur dhe se nuk kishin pse të rrezikonin jetërat e tyre për të më marrë trupin e pajetë, disa të tjerë kishin kundërshtuar duke thënë se ndoshta isha e gjallë. Dhe, kështu, dy prej tyre kanë vendosur, edhe përkundër rrezikut të madh, që të vinin e të më merrnin. Kur kanë shkuar e kanë kuptuar se isha e gjallë dhe e kishin vënë re se kamioni më kishte tërhequr zvarrë për ndonjë 20-30 metra të tëra, ashtu të alivanosur.

NË TRUP I KISHA TREMBËDHJETË PLAGË

Prej Lutogllavë më kanë dërguar në një fshat tjetër, në Grejkoc. Aty ma kanë dhënë ndihmën e parë. Ndërkohë kanë ardhur edhe dy makina të Uashtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga Grejkoci më kanë dërguar në fshatin Budakovë. Në Budakovë ka qenë një spital i vogël i UÇK-së. Aty ka punuar dhe ka ndihmuar njerëzit mjeku Ibish. Ai më ka operuar, më ka pastruar, m’i ka qepur plagët… Më kanë dhënë infuzione. Në atë spital kam qëndruar e shtrirë dy ditë, në gjendje tepër të rëndë. Mirëpo, pas dy ditësh serbët kanë filluar ta sulmojnë edhe spitalin e ushtrisë. Pastaj kanë ardhur aty disa djem e disa vajza dhe më kanë dërguar në shtëpinë e axhës Sadri nga Budakova.
Shtëpia e axhës Sadri ishte një shtëpi shumë larg nga spitali dhe krejtësisht në mal. Aty për mua janë kujdesur edhe vajzat e axhës Sadri, Shota dhe Zaria, si dhe shumë vajza të tjera. Të gjitha më kanë ndihmuar shumë.
Aty kemi qëndruar një javë. Përveç meje kishte edhe shumë të plagosur të tjerë. Mirëpo, pas një jave serbët kanë filluar të granatojnë edhe atë pjesë të Budakovës. Kështu, jemi detyruar që të largohemi edhe së andejmi dhe kemi zbritur në fshatin Vraniq. Në Vraniq kemi hasur në një kolonë të të dëbuarve. Ne iu bashkëngjitëm asaj kolone që po dilte në Shqipëri.
Nga Vraniqi jemi nisur, por 8 orë kemi qëndruar në Lutogllavë. Në Lutogllavë kemi qenë 36 veta në një rimorkio të traktorit. Ndërsa unë po qëndroja në mesin e njerëzve e mbështjellur me batanije që të mos më identifikonin rastësisht serbët, jo se kishin të më lëndonin më shumë se sa më kishin lënduar, por nga shkaku se unë isha dëshmitare okulare e krimit të madh të serbëve mbi familjen Berisha të Suharekës, dhe, natyrisht, ata ishin të interesuar që t’i shlyenin të gjitha gjurmët e krimit.
Siç e thashë, në Lutogllavë kemi qëndruar më se 48 orë, por policia sërish na ktheu në Vraniq dhe nuk na la të dilnim në Shqipëri.
Kur jam kthyer në Vraniq, aty jam vendosur tek dajët e mi. Më nuk kam mundur të shkelja në këmbët e mia. Në trup i kisha trembëdhjetë plagë. Kështu më kanë bartur dhe më kanë futur brenda.
Atë natë e kemi kaluar në Vraniq. Prej aty më kanë dërguar në Budakovë, edhe njëherë, tek dr. Ibishi. Ai e vuri re se të gjitha plagët më ishin infektuar. Vetëm ai e di se si m’i ka pastruar ato, ngase nuk kishte barna. Kishte vetëm penicilinë, por nuk kishte as jod, as fasho, as asgjë tjetër. Mirëpo, megjithë këtë, ia doli të m’i pastrojë plagët, të m’i lidhë ato.
Nga Budakova sërish jam kthyer në Vraniq, tek dajët. Mirëpo, edhe prej aty u detyruam që të ikim sërish, ngase serbët na sulmuan. Jemi tërhequr nëpër male, ku kemi qëndruar edhe dy javë. Kemi qenë të vendosur në Rekë të Buzhalës.
Pas dy javësh burrat kanë vendosur që të lëvizim. Thjesht, tashmë kishim mbetur edhe pa ushqime. Fillimisht nisën të vdesin fëmijët nga uria, nisën të vdesin edhe vajzat e reja… Kështu, burrat vendosën të dalin në kolonë dhe, siç thanë, le të shpëtojë kush të shpëtojë, ngase po qëndruam në Rekë të Buzhalës do të vritemi që të gjithë.
Atëherë jemi nisur për në Shqipëri. Ndërsa, kur kemi mbërritur te shkolla e Bukoshit na ka ndalur policia. Më bëhet se të parin e kanë marrë dajën tim. Pastaj i kanë ndaluar të gjithë burrat që ishim me ne. Meqë s’kishte kush t’i ngiste traktorët, atëherë fëmijët kanë hipur dhe i kanë vozitur traktorët.
Më pas e kuptuam se të gjithë djemtë dhe burrat e rinj që i kanë ndarë nga kolona i kishin pas pushkatuar. Nga tërë grumbulli i burrave që i kishin ndaluar, vetëm ndonjë shtatë pleq i kishin liruar.
Kur kemi mbërritur në fshatin Lutogllavë, jemi ndalur që t’i prisnim djemtë e burrat që i ndali policia. Atëherë na janë bashkangjitur ata shtatë pleqtë që i përmenda, ndërsa të gjithë të rinjtë i kishin vrarë.
Tashmë jemi nisur dhe, të thuash, që nga Lutogllava e deri në Kukës më nuk i ka interesuar policisë serbe gjë për ne.
Dikund edhe na ndalonin, por thoshin që të na lironin, ngase ishim vetëm gra e fëmijë dhe disa pleq të lodhur. Ashtu ishte, ngase të tjerët të gjithë i pushkatuan”, rrëfen rrëfimin e saj të dhembshëm dhe tragjik Shyhrete Berisha nga Suhareka.
“Të nesërmen e ditës kur kishim mbërritur në Kukës më kanë marrë dhe më kanë dërguar në spital të italianëve. Ata fillimisht mendonin se kisha një plumb në bark që më kishte mbetur, por, kur më operuan e panë se fjala ishte për pjesë të granatës”, rrëfen Sh. Berisha.
“Kur kam mbërritur në Shqipëri veçanërisht shumë për mua është interesuar shefi i zyrës së OSBE-së që ishte i vendosur në shtëpinë time para sulmeve të NATO-s.
Ai kishte dëgjuar për rastin e burrit tim, të fëmijëve, ngase, sikundër e thashë, na njihte nga afër, sepse kishte jetuar në shtëpinë tonë, timen dhe të burrit tim, kështu që i kishte ardhur shumë keq. Madje, ai u kishte thënë të tjerëve se nëse vjen Shyhrete Berisha në Shqipëri, patjetër ta gjenin dhe ta informonin atë. Ky njeri quhej Rufuz. Ishte misionar amerikan.
Ky, pra zoti Rufuz, më ka marrë dhe në Shqipëri, me paratë e tij. Fillimisht më ka dërguar në spital të arabëve, dy muaj. Pasi që i kam kuruar plagët këtu për atë kohë, z. Rufuz më ka marrë me makinë dhe më ka dërguar në Tiranë. Aty e ka gjetur një shtëpi private për të më vendosur. I ka paguar të gjitha shpenzimet që i kisha, qiranë, ushqimin, etj. Njëkohësisht është interesuar për mua, për nënën dhe babain tim, të cilët në ndërkohë më janë bashkëngjitur në Shqipëri.
Po kështu, ai m’i ka rregulluar të gjitha dokumentet që të shkoja për shërim në Perëndim, ngase mjekët më sugjeronin që të shërohesha atje.

MË KISHIN MBETUR FOTOGRAFITË E FËMIJËVE… KISHIN MBETUR LAPSAT E ALTINIT…

Dhe tashti jam rikthyer në Kosovë. Kanë kaluar një vjet e dy muaj. U ktheva në shtëpinë time. Jam kthyer sikur të gjitha shoqet e mia. Jam kthyer që t’i gjej trupat e fëmijëve të mi të vrarë. Vetëm burrin, Nexhatin, ma kanë varrosur, por fëmijët jo. Askush nuk e di se ku i kanë varrosur… Nuk i kanë gjetur as të tjerët që ishin në atë kamion.
Dikush thotë se janë dikund në një varr masiv, por ende nuk dimë asgjë për këtë.
Jam kthyer në shtëpi më 23 maj të vitit 2000, do të thotë në ditën kur Redoni im do të duhej të mbushte tri vjet. Do të thotë tri vjet i mbushte atë ditë, ndërsa janë bërë një vjet e tre muaj që nëna nuk ia di se ku i ka as eshtrat.
Mirëpo, kur u ktheva në shtëpi nuk munda as t’i thërrisja shokët e fëmijëve, as shoqet e mia. Kur u ktheva, u habita, në shtëpinë time ishte vendosur zyra e OSBE-së. Kur hyra brenda e pyeta shefin e OSBE-së aty se kë e kishin pyetur që ishin vendosur në atë shtëpi, ai m’u gjegj: ‘‘ E kemi pyetur pronarin e kësaj shtëpie’’
‘Po kush mendoni Ju se është pronar i kësaj shtëpie’, e pyeta.
Ai më tha: ‘Është Faik Berisha dhe Xhelal Berisha’.
‘Po herën e parë, në dhjetor të vitit 1999, me kë keni bërë kontratë për t’u vendosur në këtë shtëpi”, e pyeta atë zotëri. ‘Atëherë kontratën e keni bërë me mua dhe unë kam qenë e shënuar si mirëmbajtëse e kësaj shtëpi, ndërsa burri im, Nexhat Berisha, ka qenë pronar i kësaj shtëpie. Dhe, si ndodhi tashti kjo, që fillimisht OSBE-ja bëri kontratë me tim shoq dhe me mua, ndërsa ju tashti keni bërë kontratë me njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk kanë jetuar në këtë shtëpi dhe as që ka qenë ndonjëherë kjo shtëpi e tyre’, i thashë. ‘Unë vërtetë e kam pasur fatin tragjik që të më vriten burri dhe fëmijët, por, unë jam pronare e kësaj shtëpie dhe tashti jam kthyer në shtëpinë time”.
Isha kthyer në shtëpi që ta shënoja ditën e lindjes të Redonit tim të vogël, do të thotë 23 majin, si dhe më 26 maj, kur vajza ime, Majlinda, do të duhej t’i mbushte 17 vjet, t’ia thërrisja shokët dhe shoqet dhe me hidhërim aty të shënoja njëvjetorin e vdekjes dhe ditën kur 17 vjet më herët më lindi si fëmijë dhe si gëzim i parë.
Por, zotëriu i OSBE-së nuk më lejoi të hyj në shtëpinë time. Madje, ai jo që s’më la, por më denoncoi tek policia e UNMIK-ut, e cila, po kështu, më mori në pyetje. Ai kishte gënjyer se unë e kisha kërcënuar. E kë mund ta kërcënoj unë në këtë gjendje? Askë.
Mirëpo ai, me apo pa paramendim, kishte bërë ilegalitet bashkë me kunatin tim, Xhelalin, i cili i kishte mashtruar ata të OSBE-së duke u thënë se kinse shtëpia ishte e tyre, se ata e kishin ndërtuar etj. Me këto fjalë ata të OSBE-së ma kishin zënë shtëpinë.
Më pas, kam hyrë në pjesën tjetër të shtëpisë, aty ku kemi jetuar si familje kur i patëm lëshuar OSBE-së pjesën tjetër të shtëpisë. Hyra ngadalë, dhomë për dhomë. Hyra në dhomën e fjetjes ku kam fjetur me tim shoq, pastaj edhe me Redonin e vogël. Pastaj hyra në dhomën e Majlindës. Hyra edhe në dhomën ku më ka fjetur Altini, Heriolindi. I shikova banjat ku një ditë para se të vriteshin Majlinda dhe Herolinda e kanë pastruar. I shikova orenditë ku ishin të paluara rrobat e fëmijëve të mi, të burrit tim… Por, fatkeqësisht, shumë nga rrobat ishin vjedhur. Kishin mbetur pak.
Më kishin mbetur fotografitë e fëmijëve… Kishin mbetur lapsat e Altinit…
Më kishte mbetur edhe lëngu që i kam blerë djalit të vogël, Redonit… Atë gjithmonë e kam ushqyer me lëng…
Mirëpo, nuk i mora… Në fakt, nuk mora asgjë. I lashë… I lashë se s’mund t’i hiqja gjërat e fëmijëve të mi… I lashë në shtëpinë e tyre… Në shtëpinë time…
Unë aty do të çmallem me kujtimet për fëmijët e mi. Për burrin tim…. Me kujtimet për jetën e lumtur që kemi pasur…
Unë do të jetoj vetëm me fjalët e atyre. Fundja, për mua ajo shtëpi nuk ka ndonjë vlerë të madhe… Për mua ajo mund të ketë vlerë materiale vetëm aq sa mund të kenë dhjetë tulla… Asgjë më shumë… Por, në mesin e atyre dhjetë tullave janë shpirtrat e fëmijëve të mi. Është edhe shpirti i burrit tim…
Unë e di se m’i ka vrarë serbe, por ashtu, jetoj me kujtime dhe me shpresë se një ditë do t’i gjejë.
Tashti më bëhet se ngado që të shkoj unë ato më ndjekin mua. Kërkojnë t’i gjejë… Askush nuk e di se si mund të bëjë unë pa ata… Të gjithë e dinë se unë tre ditë të vetme nuk jam ndarë nga familja… Nuk kam mundur…
E tashti jam edhe pa Nexhatin, edhe pa Majlindën, edhe pa Herolindën, edhe pa Altinin, edhe pa Redonin…
Mirëpo, ai njeriu i OSBE-së nuk më la të hyj në shtëpinë time, duke më thënë se ajo shtëpi nuk ishte imja…
Mirëpo, shpirti im e di se si e kam ndier vetën kur hyra në atë shtëpi që askush nuk më doli para. Askë s’e pashë timin. Të shpirtit tim… Pashë vetëm njerëz të huaj… Ndërsa njeriu i huaj më tha se shtëpia nuk qenka e imja…
Dola sërish nga shtëpia ime dhe shkova te kushërinjtë e burrit tim dhe atje u çmalla me fëmijët e Bardhylit… Kur i përqafova m’u bë se Altini më doli përpara, se më doli Herolinda përpara, Majlinda…
Ndërsa ai vjen nga një vend i huaj dhe më thotë se shtëpia s’është e imja…
Unë nuk po kuptoj asgjë… Unë në fakt nuk po e di se çfarë po ndodh me mua…”, përfundon rrëfimin e saj zonja Shyhrete Berisha, nëna të cilës kriminelët serbë para syve i vranë të katër fëmijët, do të thotë gruaja e cila është një prej dëshmitarëve të vetëm të krimit të madh serbë mbi familjen Berisha të Suharekës (tash Therandës së Drinisë).

P.S. Emrat e vrasësve, që në këtë artikull janë të shënuar me iniciale, janë të njohur për redaksinë, por, për shkak se ky rast është duke u proceduar këtyre ditëve në Gjykatën Speciale për Krime të Luftës në Beograd, ndaj dhe ne e ruajtëm konspiracionin në favor të suksesit të hetimeve që vazhdojnë lidhur me krimin e madh serb kundër familjes Berisha të Therandës, edhe pse analistët janë skeptik për rrjedhën e këtij gjykimi.

Shyhrete Berisha me fëmijët dhe burrin e ekzekutuar nga serbët
Fëmijët e ekzekutuar të Shyhretes
Shyhrete Berisha e plagosur në spitalin e UÇK-së në Budakovë të Suharekës

Facebook Comments