Nga Red VARAKU

◾◾◾

Pas nëntë kushteve të ashpra të Gjermanisë, tashmë të vulosura edhe nga Bundestagu , vjen edhe refuzimi i fortë i Francës dhe Hollandës, të cilët janë shprehur ashpër kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Vendimi i Francës për bllokimin e Shqipërisë ishte shpulla më e rëndë në fytyrën e kësaj qeverie dhe i dha fund shpresave të Shqipërisë për të çelur negociatat.

Për Shqipërinë, orientimi drejt Europës është jetik, pasi është orientim drejt një ëndrre shumëvjeçare, është një shpresë për një jetë më të mirë, është shpresë për një ekonomi më të mirë, ndaj moshapja e negociatave nuk është vetëm izolim, por edhe paralajmërues i një të ardhmjeje shumë të zymtë për vendin. Bllokimi i integrimit është gati si një vendim me vdekje për shqiptarët. Çdo kryeministër i përgjegjshëm do të jepte menjëherë dorëheqjen për këtë dështim, i katërti në rradhën e gjatë të dështimeve spektakolare të këtij kryeministri me integrimin.

Por, ky dështim duket se nuk e ka shqetësuar fare përgjegjësin kryesor të kësaj katastrofe Edi Ramën, sepse pikërisht në kohën kur partnerët ndërkombëtarë po diskutojnë me shqetësim për të ardhmen e Shqipërisë në BE, pikërisht atëherë kur Presidenti Trump është shumë i shqetësuar për situatën në Ballkan saqë emëron dy përfaqësues specialë të SHBA-ve në rajon, ai fluturon me çarter privat drejt Beogradit dhe shpall paturpësisht , në karshillëk të plotë ndaj interesave të Perëndimit, aksin qesharak antiperëndimor Surrel-Beograd, pas atij Moskë -Teheran-Pekin, sigurisht nën bekimin e profetit të Jugosllavisë së Re, Aleksandër Vuçiç.

Të gjitha këto artisti rrumpallë nuk i bën rastësisht, por i bën pabesisht në formë presioni ndaj Perëndimit, për të treguar se Shqipëria ka mjaft alternativa të tjera përveç Perëndimit. Nuk është hera e parë që e bën këtë, sepse e ka bërë gjithmonë kur ka marrë shuplaka nga Perëndimi. Si të gjithë liderët autoritarë ai është gati të shkatërrojë dhe izolojë vendin, vetëm që të mos japë dorëheqjen nga pushteti.

Ai është gati të bëjë gjithçka vetëm në emër të pushtetit të tij dhe të mos e lëshojë karrigen e kryeministrit. Edi Rama, jo vetëm që është gati ta djegë me qejf shansin për hapjen e negociatave, por është gati ta çojë Shqipërinë drejt gjakderdhjes, nëse është e nevojshme , boll që të mos lëshojë pushtetin e tij.

Tashmë ylli polar i orientimit të tij politik, nuk është më as Washingtoni dhe as Berlini, por është Moska e Vogël e Ballkanit ose ndryshe Beogradi. Nëpërmjet miqësisë me Vuçiç, ai i futi një thikë pas shpine Kosovës dhe dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën, duke e rikthyer edhe njëherë Beogradin në kryeqytetin e Ballkanit Perëndimor, duke i bërë një dëm të parikuperueshëm faktorit shqiptar, dhe duke rikthyer realitetin e kohës së ish-Jugosllavisë, e cila ishte një federatë shtetesh satelitë të Moskës.

Në fakt, ai është i lirë ta dëshirojë këtë gjë si djali i Kristaqit dhe trashëgimtar i Kristaqërve të tjerë të bllokut, por nuk mund ta bëjë kurrë nën petkun e kryeministrit të Shqipërisë, sepse kjo shkon kundër vullnetit historik të vetë shqiptarëve, të cilët i detyrohen Perëndimit edhe vetë egzistencën e tyre. Kjo shkon edhe kundër vetë interesave të Perëndimit për shqiptarët. Perëndimi ka qenë gjithmonë i investuar në forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Ajo që ka qenë e interesuar për dobësimin e faktorit shqiptar ka qenë historikisht vetëm Moska .

Kjo është arsyeja se pse ai sot është kthyer edhe në një problem madhor jo vetëm për Shqipërinë, por për vetë Perëndimin. Ai nuk ka të drejtë të përfaqësojë më Shqipërinë, sepse 99% e shqiptarëve jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje me Lindjen, por janë mbështetës kryesorë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Mund të jetë biri i të atit, pra mund të ketë adhurim për Moskën dhe Lindjen, por ai nuk mund të vazhdojë të jetë më kryeministër i vendit më pro-amerikan në botë. Pra, nëse do që ta kthejë timonin e Shqipërisë nga Moska e Vogël, ai fillimisht duhet të japë menjëherë dorëheqjen, të fitojë zgjedhjet, të bëjë sërish shumicë, e të bëhet prapë kryeministër. Vetëm atëherë ka të drejtë të bëjë marrëveshje të tilla me Beogradin. Por, që shqiptarët të votojnë për Beogradin në vend të Washingtonit dhe Berlinit do të na duhet ta shpopullojmë Shqipërinë nga shqiptarët dhe ta mbushim atë me anti-shqiptarë.

Facebook Comments