◾◾◾

▪️“Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjesht, ata dëshironin lirinë për popullin e vet” Edit Durham, 1912.

▪️Ismail Qemaili: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë!”

Isa ndërtoi shkollën e parë shqipe, dhe Kullën, në Boletin

Një figurë e pakontestueshme, markante e shtigjeve të historisë kombëtare dhe e rezistencës me armë për liri dhe bashkim të trojeve të Shqipërisë Etnike. Një bimë e gjakut e gjuhës e dheut të Boletinit, një burrë Kosove dardane në male e parlamente evropiane gjithnjë me plis e armë në brez. Njeriu që i ndriti, nderoi dhe i skuqi me gjak faqet e historisë e dheun e trojeve etnike,duke bërë me dije si një profet i të Madhit Zot, se vetëm rezistenca fytafyt me armë i hiq qafe, i përzë dhe i ndjek përgjithmonë jabanxhinjtë e sojit të Shën Savës dhe të Portës. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të Konferencës së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare në dobi të shteteve grabitqare fqinjë. Admiroi, përkrahu dhe u frymëzua nga fryma liridashëse e rilindësve shqiptarë. Veçmas nga ata u frymëzua për hapjen e shkollave shqipe, prandaj, burri i Kosovës dhe i shqiptarisë, ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe,por ndërtoi edhe kullën e gurit që në ecje të moteve u bë dhe mbeti denbabaden Kullë historike për Boletinin e Shalës dhe për tërë shqiptarinë. (Mehmet Bislimi)

Isa Boletini: “I thua mikut të shqiptarëve, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Kosovën me eshtrat e serbëve”

Kur në prill të vitit 1913, delegacioni i Shqipërisë mbërriti në Londër, ku po zhvillohej Konferenca e Ambasadorëve, Isa Boletini ishte figura më piktoreske e këtij delegacioni dhe e quajti atë Robin Hudi shqiptar! Ai sfidoi të gjitha kurthet që armiqtë ia kishin përgatitur, dhe me guxim vazhdoi së marshuari drejt rrugëve të lirisë. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të Konferencës së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare në dobi të shteteve grabitqare fqinjë. Në maj të këtij viti Isa Boletini, u shpreh qartë edhe kundër vendimeve të kësaj Konference duke ju thënë: “N’është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi!”. Shqiptarët që shkuan në Londër lanë përshtypje të mira (edhe pse në rezerva i vetmi që përballonte nivelin e homologëve ishte Luigj Gurakuqi,- sipas At Gjergj Fishtës). Në një rast kur Aubrey Herbert, si kryetar i komitetit, bashkë me Tonin Prekën, shërbyen si përkthyes mes Isa Boletinit e z. Lloyd George, ku u tha sa vijon: “Thuaji atij (zotit Geogre),” tha Isa, “që unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe që unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.” E thuaj mikut të shqiptarëve, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse, ne Shqiptarët, kemi vuajtur shumë për të harruar.”(A. Herbert). Ja, edhe dëshmi respektin dhe admirimin ndërkombëtar të burrit boletininan. Historiani Edwin Jacques tregon një anekdotë që trajton sa vijon: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe ta linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorëzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i Jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Ku ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund ta çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër’. Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë. Burrë i fjalës, i besës, i burrërisë së moçme me aromë të dheut e të gurëve të Sokolicës boletiniane, burri i racës dardane, të cilit ia zënë pritën me pabesi bijtë e Bjeshkëve të Zeza, dhe vetëm kështu me pritë tinëzare e qyqare, me plumb pas shpine, arritën ta rrëzojnë Lisin e Kosovës, të madhin e luftëtarin e tribunin Isa Boletini

Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Në muajin më të acartë të dimrit 1864, në djepin e nënës malësore shaljane u lind një foshnje djalë. Boletini i Shalës historike dhe heroike të Ukshin Kovaçicës, dhe e shumë burrave të tjerë të besës e të pushkës, ndodhet jo edhe aq larg në kufi me Serbinë. Mbase të shkurtra por tepër të vërteta ishin rrëfimet e babait dhe të gjyshit boletinian që ia tregonin nipit e djalit, Isës. Dhe, ku ta priste i gjallë rritën dhe trimërinë, shtigjet dhe synimet e nipit Isë ai gjyshi shaljan, nipi i tij, Isa, që shkroi me lavdi e trimëri e jak faqe të tëra të historisë dhe të krenarisë kombëtare, bima e djepit dhe luga e sofrës boletiniane me emrin Isë që namin dhe kërkesën për liri e bashkim të trojeve të Shqipërisë etnike i kishte përplasur mbi tavolinën e Londrës dhe të Brukselit, ky, Isa i Boletinit, burri me plis, ose siç i tha konsulli londinez, gjenerali me plis, fotoja e të cilit edhe sot ruhet dhe mbahet e gjallë në Muzeun Historik të Londrës.

Isa Boletini çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus!

Turqit kërkonin shkatërrimin e Boletinëve dhe veçanërisht zhdukjen e Isës, pasi ata ishin kthyer në kundërshtarët kryesorë të pushtimit. Pikërisht një gjeneral turk, Dervish Pasha, shtypi popullin e krahinës dhe dogji kullën e parë të Boletinëve. Armiqësia ndaj serbëve nis më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Pas Luftës së Parë Botërore turqit, të mbështetur nga serbët vendas sulmuan Boletinin, por nuk ja arritën qëllimit pasi ushtria turke thyhet. Kjo ngriti shumë reputacionin e Isa Boletinit dhe si rrjedhojë me të u bashkuan qindra shqiptarë të tjerë. Në të njëjtën kohë ai rindërtoi kullën si dhe shkollën shqipe, që ruhen edhe sot. Duhet thënë se Isa Boletini ka qenë në krye të kryengritjeve shqiptare kundër serbo-malazezëve, por edhe turqve, nga viti 1901 deri në vitin 1912. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Carralevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

Në nëntor 1912, Isa Boletini nuk nguron për t’i shkuar në krah Ismail Qemalit, ani pse ishte i ndjekur nga serbo-malazezët e turqit, përmes një moti të ashpër, e shkurton në kohë rekord largësinë nga skaji më verior i banuar me shqiptarë, deri në Vlorë. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913 shkon në Londër si përfaqësues i Ushtrisë shqiptare. Në Muzeun Historik të Londrës gjendet një portret i tij i titulluar: Gjenerali me qeleshe të bardhë. Më 1915, me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më 1916 gjendet në Shkodër për të organizuar mbrojtjen nga malazezët, kohë kur sajohet edhe vrasja e tij. Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, aktualisht i instaluar në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit, shkruan autori Ferdinand Dervishi.

Isa në Lidhjen e Pejës

Në vitin 1899 u themelua Lidhja e Pejës nga atdhetari i madh Haxhi Zeka e në atë ngjarje të shënuar Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm për organizim e mbrojtjen në Kosovën Veriore. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës, ku mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t’i zbatonte me përpikëri. Por armiqtë shekullorë të Shqipërisë, si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të përçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanliu e të Serbia, më 1901 e vrau kryetarin e Lidhjes së Pejës të madhin Haxhi Zeka. Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por, Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlinjve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një tabori ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë, Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vrau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa, Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: “Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin. Po të doni urdhëroni edhe ju se po ju pres si majorin”. Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait u rrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend pelegrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj, gjë e cila i ra në sy Qeverisë osmane.

Kuvendi i Rrafshit të Dukagjinit

Atdhetari i madh Isa Boletini menjëherë filloi përgatitjen për organizimin e një kuvendi të madh në Rrafsh të Dukagjinit. Në mars të vitit 1910 të Verrat e Shugës në mes të Gjakovës e Pejës u bë kuvendi ku morën pjesë gjithë paria e Rrafshit të Dukagjinit. Në atë Kuvend rolin kryesor e luajti Isa Boletini i cili në mes të tjerash tha:” Vëllazën, kemi pesëqind vjet që jemi pushtuar nga osmanlinjtë që na kanë shtyp. Tani ka ardhur koha që të lidhim besën së bashku për t’u ngritur në luftë kundra osmanlive për t’i fituar të drejtat tona me armë”. Të gjithë e mirëpritën fjalimin e shkurtër të Isait dhe u lidh besa se do të merrnin pjesë në luftë. Menjëherë mbas mbarimit të Kuvendit Isa Boletini i shoqëruar nga shumë kryengritës u nis për të zënë grykën e Carralevës, e cila e lidh Rrafshin e Dukagjinit me Fushën e Kosovës.

”Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e popullit tim”.

Isa Boletini, kjo figurë markante, që zëne vend të padiskutueshëm në historinë e popullit shqiptar, krahas atyre që dhanë aq shumë për lirinë e atdheut tonë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ismail Qemali, Idriz Seferi e shumë të tjerë. Isai u rrit me armë në dorë, jetoi me të, dhe plot një jetë rrugëtoi me të drejt shtigjeve të lirisë. Isai armët e lirisë kurdoherë i kishte gati kundër pushtuesve tanë. Fuqitë e Mëdha Evropiane me vendimet e tyre të mbrapshta, rënduan edhe më shumë pozitën tonë, duke mohuar të drejtën tonë për vetëvendosje dhe duke ndarë tokat tona në favor të shteteve fqinje! Mbledhja e zezë e Shën Stefanit e pasuar më vonë edhe me Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878 ), ku i vunë thikat mbi tokat tona, megjithëkëtë populli ynë liridashës kurrë nuk u pajtua (as sot), me fatin tragjik të ndarjes së tokave shqiptare Isa Boletini luftoi pa kompromis kundër serbëve dhe malazezëve tinëzarë, të cilët për ta thyer Isanë e sulmuan me dhjetëra herë, duke ia djegur edhe kullën e tij rrafsh me tokë… Përpjekjet e njëpasnjëshme të armiqve tanë të ndryshëm, me dhelpëri e diplomaci për ta komprometuar Isain, duke i ofruar atij ofiqe të larta, pasuri, flori, tokë e jetë Pashai, sikur shkuan kot, pasi që Isai kurdoherë ua priste shkurt dhe qartë, duke iu thënë:

” Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e popullit tim”. Isai si gjithmonë qetë e me maturi, u thoshte krerëve të Portës: “Ju falem nderit per “kujdesin” që po m’tregoni për mua, por ma i mirë asht për mua Boletini im me ata gurë e kepa, se sa e tane Stambolli juaj” (Mehmet Bilimi).

Pajtimtar i gjaqeve

Isai kontribuoi fuqishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave tek populli ynë, me qëllim që të krijojë një unitet sa më të madh kundër armikut dhe këtë e bëri duke u nisur nga shembulli personal. Në një kuvend që e kishte thirrur vetë Isai, ishin tubuar shumë burra të asaj ane. Isai vërejti se aty po mungonte Ahmet Shtitarica dhe pyeti: Burra, ku është Ahmeti? I thanë se nuk kishte pasur guximin të vinte, nga se ia kishte borxh gjaku! Ta sillni këtu menjëherë!- urdhëroi Isai, duke shtuar:”Gjak borxh sot na ka vetëm anmiku ynë, ne jena vëllazen e duena me u bashkue e me dekë për liri te vatanit… Ai qe mas sotit ngreh pushkë ndër veti, ka me kenë bash hasmi ynë!”.(M. Bislimi). Isa Boletini, ndër beteja të pa rreshtuar e detyroi disa herë portën e lartë që të bëjë lëshime. Ai e pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, duke likuiduar edhe konsullin e saj Grigori Shçerbinin të cilin e vrau luftëtari i shquar gjilanas, Ibrahim (Halit) Popoci.

Në pamundësi të përvetësimit të Isait, xhonturqit i vunë përpara një sërë sprovash të rënda, madje duke ia marrë të dy djemtë peng, Halitin dhe Tafilin. Isai i palëkundur me këtë rast u përgjigj: “Jam ba gati që të dy djemtë e mi t’i bëj kurban për atdhe, por jo edhe me ia puthun dorën anmikut të popullit tim!”…Isa Boletini së bashku me Idriz Seferin, Ramadan Zaskocin, Hasan Ferrin, Dem Jusufin, Elez Hoxhën, Hasan Hysen Budakovën e shumë trima të tjerë morën pjesë në dhjetëra beteja për shpëtimin e atdheut, ndër betejat më të përgjakshme që Isai qëndroi pa tundur ishte ajo për ta mbijetuar Grykën e Carralevës. Në këtë betejë Isai tregoi aftësitë e një strategu të vërtetë. Më 18 maj 1912, në një kuvend që u mbajt afër Vushtrrisë, ku ishin tubuar edhe krerë nga Dibra e Shkodra, madje ishte prezent edhe vetë sekretari personal i Ismail Qemalit, Isai mbajti qëndrim të prerë: “Asht i domosdoshëm zgjanimi i kryengritjes sonë në tokat shqiptare, sot nuk ka me ba sehir, të tanë duhet me luftue që të çlirohemi sa ma parë!”… (Kuq e zi, Forum)

Isa Boletini dhe Hasan Prishtina, ose Hasan Ahmet Haxhi Ali Berisha

Hasan Ahmet Berishën, i njohur pas shpalljes së Hyrijetit me mbiemrin Prishtina, e njoha personalisht në Vjenë, ku banoi si emigrant politik pas arratisjes së tij nga Shqipëria përpara emigracionit të demokratëve në dhjetor 1924. Hasani, që njihet edhe me mbiemrin e fshatit të tij Palanca, lindi më 1873 si nip i një malësori të varfër, rroi e jetoi si bir i një beu nga më zengjinët e perandorisë otomane dhe vdiq i vrarë nga një trim i tij i pabesë, të cilin Hasani e pati dërguar në Tiranë të vriste Ahmet Zogun. I ati, Ahmet Haxhi Ali Berisha, në ortakëri me Ismail pashë Dibrën duke kontraktuar ushqimin e ushtrisë otomane, grumbulloi pasuri tepër të madhe në pak vjet. Xhaxhallarët e tij arrin shkallën e pashait. Hasani e kaloi rininë e tij larg Kosovës, në shkollë e shoqëri turke, prandaj nuk mundi ta njohë mirë popullin shqiptar, edhe gjuhën amtare e fliste me një theks anadollaku.”Kujtimet” vetë i shkroi turqisht dhe ia përktheu shqip Bedri Peja. Po të mos e përfillte për mik të besës, Hasan Prishtina nuk do të vinte tek Isai t’i çelte zemrën për kryengritjen e përgjithshme në Kosovë dhe nuk do t’i fliste komisionit të marrëveshjes me aq zemërim të ndezur për sulmin që i patën bërë Kullës së Boletinit, në vjeshtë 1908, kur Hamidi qe në fron akoma. Po të mos e përfillte për mik të besës, Isa Boletini nuk do ta kishte pritur Hasan begun aq përzemërsisht në takimin e Gojëbulës dhe nuk do të kujdesej t’i shpëtonte jetën pas takimit në Bolancë; dhe ca më pak të dobësonte frontin e Mitrovicës për të ndihmuar e shpëtuar Hasan Prishtinën në rrethimin e Pejës. Më shumë se sa mik personal, Isai e çmonte Hasan Prishtinën si shqiptar patriot se kjo cilësi i interesonte në çdo njeri kur do ta bënte mik apo armik të tijin. Nuk ka asnjë dyshim që të dy, edhe Isa Boletini edhe Hasan Prishtina, e donin mëmëdheun e tyre me gjithë mallin që ka çdo patriot i vërtetë; dhe ia donin të mbarën. Hasan Prishtina, dallohet si Isa Boletini për shumë shërbime të vlefshëm që i ka bërë çështjes shqiptare, për këtë s’ka vend dyshimi dhe askush nuk do të guxonte t’ia mohonte këtë vlerë. Në dëshirat për të ndihmuar atdheun ai qëndron krah për krah me Isa Boletinin, me Bajram Currin dhe me Ismail Qemalin, por në mënyrën dhe në mjetet që zgjidhte për të ndihmuar çështjen kombëtare ndryshonte kryekëput nga të tre kom-patriotët e lartpërmendur. (Skënder P.Luarasi. Forumi shqiptar)

“I madhi Isë, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e Shqipërisë!”

Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjesht, ata dëshironin lirinë për popullin e vet…Ismail Qemali, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, kur mori lajmin se po vinte Isa Boletini, mori flamurin dhe i doli vet përpara, duke i thënë:”I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e Shqipërisë!

Heroi i përjetësuar në këngë

Poeti patriot Risto Siliqi, i cili mori pjesë vetë në këtë kryengritje ka shkruar: “Ret ishin lidhun nyje, e pëllumbat pikojshin si pikat e shiut, ndërsa trimat luftëtarë këndojshin sikur ishin në dasëm”. Ndërsa për komandantin e kryengritësve shkruante: Isa Bega Boletina / Bir i së njërës kosovesh/mbi halldupa, mbi coftina,/Nget e shket me shpatë zhvesh. Ushtria osmane e udhëhequr nga gjeneralët kriminel, Dergut Pasha e Shefqet Pasha bëri krime të papërshkruara ndaj popullsisë duke vrarë e varë, djegur e plaçkitur. Për këtë rapsodi popullor ka kënduar: N’Kaçanik e në Boletin /Krejt Kosova u mbush me tym /u mbush me tym e na i dual flaka / E dogj me topa Dergut Pasha. Shqiperia etnike- Kosova e lirë!

Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh. Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujti ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq.

Dorëzo armët, o Isë Boletini! Jo besa!
S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit!

Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, duket urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake. Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vetë i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.

Çfarë shkroi Gjillasi për rënien e Isë Boletinit?

Midis tyre kishte bërë pjesë edhe shkrimtari i njohur dhe disidenti antikomunist Millovan Gjillas me vepren e tij letrare “Toka pa Drejtësi”(Land ëithout Justice) botuar anglisht në New York ne vitin 1958 nga “Harcourt, Brace &World , Inc. Millovan Gjillas shkruan: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij më të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në të katër anët. Isa Boletini ishte vrarë. Por, kishte luftuar trimërisht, bile për një kohë të gjatë pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu i plagosur ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për ta mbajtur pushkën qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjërin prej armiqve para së të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorë të majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rëne përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte shikuar me sytë e tij të mëdhenj e të përgjakur, kishte thënë diçka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorëze të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndjenim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kurrkujt dhe pa falur kurrkënd, ashtu drejt në këmbë i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qofte se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë përjetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të.

Intervistë me nipin, i cili njihet po me emrin e gjyshit, Isa Boletini

Zoti Boletini, kur u vra gjyshi juaj, Isa Boletini?

Boletini: Im gjysh është vrarë së bashku me dy xhaxhallarët e mi, që ishin dy djemtë e tij, si dhe me dy nipat, e tre bashkëluftëtarë të tjerë, në janarin e vitit 1916, në një tradhti (pritë) nga forcat serbo-malazeze të drejtuara nga ministri i Brendshëm serb i asaj kohe. Ai u vra në Podgoricë. Aty dhe u varros së bashku me të tjerët. Në varrimin e tij kanë marrë pjesë mijëra njerëz nga të gjitha trevat e Kosovës.

E kishit të ruajtur deri sot varrin e tij?

Boletini: Ai u vra, siç ju thashë, në vitin 1916. Pas disa vjetësh, ka shkuar im atë, Ademi, i cili është saktësisht i biri i Isës, dhe ka mundur të bëjë një rregullim të përgjithshëm të varreve, ku të paktën vuri një pllakë me nënshkrim të koka e tyre. Ke parasysh se im atë në ato varre kishte edhe dy vëllezër, dhe dy nipër të tij. Por një vit me mbrapa im atë vdiq, pasi u vra nga Njësitet Guerilë të Shkodrës. Boletini ishte nënkolonel në Ushtrinë Kombëtare Shtetërore. Madje, ka qenë komandant i batalionit “Dajti”, që mori pjesë në luftën italo-greke, ku ndihmoi fuqishëm italianët së bashku me Spiro Moisiun, i cili ka qenë miku i ngushtë i tim eti, dhe që në atë luftë edhe ai ka qenë komandant i batalionit “Tomorri”. Gjatë periudhës së ’43-shit ka qenë në Ushtrinë Shqiptare në Shkodër. Por të kemi parasysh se këta kishin vetëm emrin, pasi ushtria jonë në atë kohë pothuajse nuk ekzistonte fare. Në një ditë janari të atij viti të ’43-shit, ai ndodhej në Kafeterinë e Madhe në Shkodër, pranë të cilit ishte edhe komandanti i xhandarmërisë, Ndrec Prenga. Atë ditë Ndreca që vënë në plan nga njësitet guerile të qytetit, për t’u vrarë, dhe kështu ndodhi. Në atë situatë u vra edhe im atë Ademi, si dhe dy persona të tjerë që, me sa di, kanë qenë italiane.

Ishte vrasje aksidentale apo e piketuar?

Boletini: Absolutisht aksidentale, pasi forcat komuniste që vepronin atëherë në Shkodër e kanë pranuar, madje kanë kërkuar falje, në tre trakte, apo qarkore të nxjerra radhazi, menjëherë pas asaj vrasjeje.

Pas vrasjes së babait tuaj, nuk u kujdes kush për varret?

Boletini: Kemi parasysh se ne kemi jetuar në Shqipëri. Varret deri në vitin 1970 kanë ngelur ashtu siç kanë qenë dhe në fillim. Kjo për faktin se në Kosovën e pasçlirimit titist sundonte pushteti serb, i cili, gjithsesi për demagogji, në vitet e para të bashkekzistencës paqësore nuk i interesonin ngritja e figurave mitike të kombit tonë.

Pse thatë deri në vitin 1970?

Boletini: Sërish marrëdhëniet e kosovarëve me pushtetin serbo-malazez, që ishte instaluar fuqishëm në të gjitha qelizat e Kosovës. Si për ironi të fatit, varrezat ku prehej Isa Boletini u prishen fare, dhe aty u bë një shesh “i mirë” për të luajtur kalamajtë. Pas kësaj u projektua dhe u bë një kënd lodrash, po për fëmijët.

Mbi varret ishte sheshi i lojërave të fëmijëve?

Boletini: Mos u llahtarisni kur flasim për pushtetin serb. Ishte ai sheshojë pikërisht mbi varrin e Isa Boletinit, të djemve dhe të nipave të tij. Jo vetëm kaq, por u llogarit që ky kënd lojërash të sofistikohej, duke u bërë tepër modern, që do të arrihej duke u gërmuar thellë gjithë vendi, poshtë, të cilit ndodhej edhe varri i Heroit. Kjo do të thoshte që të zhdukeshin fare eshtrat që ishin në varret atjeshme. Mirëpo pas ndërhyrjes së fuqishme të shumë shoqatave te shqiptarëve, si dhe format diplomatike të tyre, bënë që të ndryshonte destinacioni i fushës. Pas kësaj ndërhyrjeje u vendos që ajo fushë nga kënd lodrash të kthehej në parking makinash të mëdha të transportit ndërkombëtar, ose makinat TIR, siç quheshin atëherë.

A nuk ishte edhe kjo përdhosje e varreve?

Boletini: Po shqiptarët me anë formash intensive mbi pushtetin serbo-malazez bënë të mundur të paktën të ndryshonte destinacioni nga kënd lojërash ne parking. Këtu qëllimi ishte që të mos arrihej të gërmohej vendi, se në këtë rast do të kumbisnin fare varret. Kështu që me parking automjetesh u arrit të paktën që të shpëtojë gërmimi. Pra, u shpëtuan varret.

Çfarë ndodhi më mbrapa me ato varre?

Boletini: U arrit të pëlqimi (leja) që eshtrat e Isës të nxirreshin dhe të vendoseshin në një vend të sigurt.

Në ç’mënyrë?

Boletini: Ka qenë viti 1977. Kishin plot 7 vjet që përdhoseshin varret e Isës dhe të luftëtarëve të tij. Kjo nuk ishte e lehtë për shqiptarët kudo që ishin, pasi me figurën e tij përdhosej gjithë autoriteti i kombit tonë. Pikërisht në atë vit ka ndërhyrë presidenti Rugova. Pas asaj ndërhyrjeje u ngrit grupi i posaçëm për të zhvarrosur eshtrat e Isës dhe të bashkëluftëtarëve të tij, i cili përbëhej nga historianë dhe intelektualë të shquar, si doktor Muhamet Shukri, doktor Latif Berisha, nipi i Isa Boletinit, Remzi Murati, hoxha i Mitrovices etj.

Ishte legal ky komision?

Boletini: Nuk bëhej fjalë për legalitete, çdo gjë ishte në fshehtësinë më të madhe, madje kërkonte sakrificë, pasi çdo ndërmarrjeje e tillë në kushtet kur u ndërmor kjo iniciativë nuk ishte pa pasoja, po qe se do të diktoheshe. Megjithatë, unë ju shpjegova se ishte ai përkushtimi patriotik që eshtrat e atyre që kishin luftuar për liri dhe për pavarësi të ishin në vendin që meritonin. Ky përkushtim patriotik ishte kaq i madh, sa që gjente një solidarizim nga gjithkush. Në ketë atmosferë filloi puna e madhe për të gërmuar aty ku mendohej se ishin varret, që në ato momente, siç ju bëra të ditur, ishte parking makinash të transportit të rëndë. Punohej natën deri në mëngjes, në një fshehtësi të plotë, derisa zbardhte dita. Kjo punë në të shumtën e rasteve bëhej në kohë të ftohtë dhe në acar, pasi andej në ato zona është shumë ftohtë. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kjo punë bëhej edhe në kushtet e shirave të ftohtë.

Sa kohë vazhduan këto punime?

Boletini: Derisa i gjetën të gjitha varret, u punua jo pak, por plot dy javë. Puna bëhej me ekskavatorë dhe në shumë raste gërmohej edhe shumë thellë.

I dallonit eshtrat nga njëri-tjetri?

Boletini: Në fillim i nxorëm të gjitha eshtrat, duke i vendosur në një vend të përbashkët. Pastaj i futem në një thes dhe i çuam në Mitrovicë. Këtu u morën specialistët e kësaj procedure, të cilët, pas një kohe të gjatë, mbështetur në karakteristikat e trupave që kishin pasur, u bë ndarja e të gjitha eshtrave sipas emrave. I vendosëm në thasë të posaçëm, sipas radhës dhe, si u vumë edhe etiketat përkatëse, i vendosëm në një xhami. Po doni të dini më shumë, po ju them akoma se ajo xhami që u vendosen të gjitha eshtrat e tyre ishte pikërisht në pjesën lindore të Mitrovicës, e cila binte në zonën serbe. I vendosëm në radhë, në thasë, që të mos kumbisnin, duke u siguruar një vend jo të dukshëm.

Deri tani aty kanë ndenjur?

Boletini: Po. Di që deri tani kanë ndenjur në Mitrovicë. Saktësisht se ku i kanë mbajtur, tani kohët e fundit, nuk e di. Por e di se për to janë përkujdesur shumë, jo një e dy, por ekipe të posaçme.

Po gjatë kohës së luftës në Kosovë, a pati probleme?

Boletini: Nuk ka pasur asnjë problem. Nuk ka rënë eshtrat në dorë të serbit asgjë, megjithëse, Kosova kaloi gjithë atë flakë dhe atë tragjedi, duke parë te djegur dhe të therur, por eshtrat e heronjve asnjëherë nuk la kënd të prekte mbi to. Ato i konsideronte krenari kombëtare.

Kur u vendos që eshtrat të vendosen në Boletin?

Boletini: Para tre vjetësh, me porosi të presidentit Rugova dhe të deputetit Ramadan Kelmendi, si dhe të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u vendos që në fshatin Boletin të “Shala e Kosovës” të ringriheshin tri kullat e Isa Boletinit, të cilat ishin të shkatërruara që në kohën e Turqisë. Vendimi i mëtejshëm i urdhrit të autoriteteve të mësipërme të Kosovës ishte që aty ku do të ngriheshin kullat të vendoseshin së fundmi eshtrat e të parëve të tyre.

Ju kanë përndjekur e ndjekur vrasjet nga regjime të mëvonshme pas rënies së Isasë?

Boletini: Si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjend nën një keqtrajtim të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarve nga familja jonë arriti në 15 veta, dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë.

Edhe Enver Hoxha?!

Boletini: Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë, të cilën e kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos, dhe tek në vitin 1962 Isa Boletinit iu dha titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e Ditës së ngritjes së Flamurit dhe në vitin 1981, por kur u inagurua monumenti i gjyshit tim, Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij, si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri.

Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familjeje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit?

Boletini: Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, po jap ca dëshmi dhe fakte të hidhura që kam ndjerë vetë mbi shpatullat e mia, bashkë me peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Titos dhe Enver Hoxhës.

Isa Boletini

URTËSI MENDIMESH TË ISA BOLETINIT

Sido që të jetë e çarmatosëm edhe shqiptarin.

Ismail Qemali kur vajti në Londër për t’u takuar me Kryeministrin e Anglisë, e shoqëronte Isa Boletini. Isa Buletini në brez kishte vënë dy kobure.

Mirëpo, kështu të armatosur nuk e linin të hynte në kryeministri dhe bënë fjalë me të. Ismail Qemali i bëri me shenjë të dorëzonte armët. Këtë punë e mori vesh edhe kryeministri e, në bisedim e sipër, si me të qeshur i tha Isa Buletinit:

– Sido që të jetë e çarmatosëm edhe shqiptarin!

– Shqiptarët s’ka burrë t’i çarmatos – u përgjigj Isa Boletini dhe nxori koburen tjetër që kishte fshehur.

Flamuri i kombit është i të gjithë atyre që flasin shqip dhe kanë në dej gjak shqiptari!

Kur Isa Boletini po kalonte nëpër Myzeqe, në krye të trimave të tij kosovarë, për të ardhur në Vlorë më 28 nëntor 1912, një lajmëtar i doli përpara dhe i tha:

– Baca Isa, Ismail Qemali po ju pret. Ai e ngriti flamurin e Shqipërisë në Vlorë. Dhe Isai, mendueshëm, iu përgjigj:

– Jo vetëm të Shqipërisë, more bir, por flamurin e të gjithë shqiptarëve kudo e nën këdo që të ndodhen. Ai është flamuri i të gjithë atyre që flasin shqip e kanë në dej gjak shqiptari. Dhe këtë do ta ruajnë e do ta mbajnë gjithmonë kudo që të ndodhen.

Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës, që mbaj me vete!

I dërguari i Stambollit i shkoi në shtëpi të Isa Boletinit dhe e pyeti përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin, kur ai erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1911.

– Nuk mund të vija se ju më kërkuat të dorëzoja armët!

– Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit?

– Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete. Sulltanët të kanë pritur gjithmonë me muzikë e të kanë vrarë pas shpine me thikë.

Nuk u bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve!

Një ditë të bukur korriku të vitit 1908, kur dy djemtë e Isa Boletinit po ktheheshin në Shqipëri nga Stambolli, xhonturqit ia mbajtën peng, sepse Isai nuk kishte pranuar të shkruhej anëtar i xhemijetit. Ata e kërcënuan Isanë duke i dërguar lajmin: ose të zbriste në Mitrovicë e të shkruhej anëtar i xhemijetit, ose nuk do t’i shihte kurrë djemtë e tij.

Dhe Isa Boletini u dha këtë përgjigje:

– A, kaq për zemërpakët më mbani sa t’u bie në gjunjë për kryet e dy djemve të mi? Jo, unë nuk bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve të mi…

Ora e Shqipërisë po bie!

– Të bëhet nisja e delegatëve nga të gjitha

Krahinat e trojeve shqiptare!

Në telegramin e IsmailQemalit, thuhej:

– Të nisën delegatët e të gjitha Krahinave të trojeve etnike të Shqipërisë!

Unë, Ismail Qemali, po nisëm për në Durrës!

Edhe Kosova duhej të merrte pjesë në shpalljen e pavarësisë së shtetit të parë shqiptar.

Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Sali Drenica,

e burra të tjerë, po e prisnin gjeneralin, Isa Boletini.

Isa erdhi dhe u përshëndet me burra.

– Burra, Ora e Shqipërisë po bie! Në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar jemi marrë vesh që flamurin kombëtar ta ngrehim në Durrës.

Tash kur Ismail Qemali porosit për me u nisë delegatët, jeni dakord Kosova të dërgojë burrat atje?

– Po! Jehoi pajtimi i burrave kosovarë.

– Epo, në emër të të gjitha Krahinave të Kosovës po dërgojmë Isa Boletinin, me trimat e vet. Ata do të jenë edhe në mbrojtjen e shtetit shqiptar.

Ne do të rrimë në Kosovë, për me i dalë zot vendit, dhe me i pengua forcat serbe-malaziase për të depërtuar në viset veriore të Shqipërisë!

A ke me thënë diçka, o Isa Boletini?

Çka me thënë, o Hasan Prishtina?

– As gjaku im, as i bijve të mi, nuk mundet me e shpërblye nderin aq të madh që ma bëni Ju në këtë Lidhje të Dytë të Prizrenit.

Ju faleminderit Juve, o Hasan Prishtina,

dhe tanë Kosovës!

Rroftë Shqipëria! (Nga filmi: “Nëntori i dytë”, Tiranë)

Besa…

I dërguari i Stambollit i shkoi në shtëpi të Isa Boletinit, dhe e pyeti:

– Përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin, kur ai erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1911?

– Nuk mund të vija se ju më kërkuat të dorëzoja armët!

– Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit?

– Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete! Sulltanët na kanë pritur gjithmonë me muzikë, e pas shpine na kanë ngulur thikën!

Të pabesit kurrë s’i kemi zënë besë!

“Sidoqoftë, detyra e tij është vetëm e një shërbëtori!”

Një ditë Isa Boletini u nis tek bashqatipi i Sulltanit për të protestuar kundër ndjekjeve politike që i bëheshin popullit kosovar. Portieri, Halil Aga, të cilit edhe ministrat ia kishin frikën, dhe i bënin komplimente, kur Isai deshi të hynte brenda, i tha shkurt e shqip:

– Është e ndaluar!

E kur Isai u nis drejt derës, Halil Aga e kapi për krahu. Atëherë Isai e kapi nga mesi dhe e rrokullisi tatëpjetë shkallëve. Natyrisht u dëgjua shamata dhe dolën të gjithë nga zyrat, me bashqatipin, dhe panë Halil Agën në fund të shkallëve. Isai, si pa të keq, hyri në zyrën e bashqatipit, të cilit i foli me urtësi:

– E këshilloni shërbëtorin që t’i dallojë njerëzit, zotëri!

– Nuk është shërbëtor, por njeri me gradë të lartë që kryen detyrën e portierit, o Isa Beg!

– Sidoqoftë, detyra e tij është vetëm e një shërbëtori – ia preu Isai.

FAMILJARË BOLETINI TË VRARË NGA SERBËT:

Halil Boletini 1833

Mujë Boletini 1892

Ahmet Boletini 1894

Isa Boletini 1916

Halil Boletini 1916

Seid Boletini 1916

Jonuz Boletini 1916

Halit Boletini 1916

Musa Boletini 1944

Skënder Boletini 1944

Asllan Boletini 1945

Faik Boletini 1947

Isuf Boletini 1947

Rasim Dajçi (nip) 1945

Hysni Rudi (nip) 1945

TË BURGOSUR NË JUGOSLLAVI

Mujë Boletini 3 vjet

Kapllan Boletini 20 vjet

Ali Boletini arratisur nga burgu

Tafil Boletini burgosur në 1945

Ikballe Boletini burgosur në 1945

Kumrie Boletini burgosur në 1945

FAMILJARË BOLETINI TË VRARË NGA SERBËT:

Halil Boletini 1833

Mujë Boletini 1892

Ahmet Boletini 1894

Isa Boletini 1916

Halil Boletini 1916

Seid Boletini 1916

Jonuz Boletini 1916

Halit Boletini 1916

Musa Boletini 1944

Skënder Boletini 1944

Asllan Boletini 1945

Faik Boletini 1947

Isuf Boletini 1947

Rasim Dajçi (nip) 1945

Hysni Rudi (nip) 1945

TË BURGOSUR NË JUGOSLLAVI

Mujë Boletini 3 vjet

Kapllan Boletini 20 vjet

Ali Boletini arratisur nga burgu

Tafil Boletini burgosur në 1945

Ikballe Boletini burgosur në 1945

Kumrie Boletini burgosur në 1945

Facebook Comments