Nga Red VARAKU

◾◾◾

Është mbase ndër rastet më të rralla në historinë e Bashkimit Europian, që Unioni brenda një kohe kaq të shkurtër i jep një vendi mundësinë e hapjes së negociatave brenda një afati tremujor. Kjo dëshmon vullnetin e jashtëzakonshëm të Unionit, që edhe Shqipëria të anëtarësohet në gjirin e vendeve perëndimore, por sigurisht kjo u bë edhe me një qëllim.

Në fakt, në qershor me refuzimin e hapjes së negociatave, Edi Ramës iu dha një mundësi për të zgjidhur krizën e rëndë ku e kishte futur vendin dhe për të vazhduar më pas, mbase deri në përfundimin e mandatit katër vjeçar, ku shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale dhe arrestimi i peshqve të mëdhenj të përfshirë në krim elektoral do të ishin tregues të mjaftueshëm të vullnetit të kësaj qeverie për sundimin e ligjit.

BE synonte t’i jepte kështu një mesazh të qartë shqiptarëve dhe disa detyra për në Tetor qeverisë. Detyra që lidheshin kryesisht me zgjidhjen e krizës së funksionimit të demokracisë.

Pra, BE në qershor i dha për herë të fundit edhe një shans qeverisë së Edi Ramës. Si pasojë e këtij vendimi qeveria shqiptare duhet të ndërmerrte disa vendime dhe të jepte disa garanci që lidheshin drejtpërdrejtë me zgjidhjen e krizës dhe me rikthimin e funksionimit të demokracisë në normalitet, të cilat kjo qeveri nuk i ndërmori kurrë.

Për çdo Kryeministër tē përgjegjshëm refuzimi i hapjes së negociatave në Qershor, në një kohë kur hapja ishte thjesht një formalitet, do të ishte një katastrofë politike. Çdo kryeministër me pak karakter do të terhiqej menjëherë nga ideja e zgjedhjeve pa Opozitën, do të ofronte një pakt për zgjidhjen e krizës dhe kësisoj në Tetor do të garantonte edhe hapjen e shumëpritur të negociatave.

Por, fatkeqësisht ne nuk e kemi një kryeministër të tillë .

Edi Rama gjatë kësaj kohe ka treguar jo vetëm një kokëtrashësi të thellë njerëzore, por edhe një mendjelehtësi shqetësuese politike. Ndaj BE ka vendosur që t’ia mbyllë derën në mënyrë përfundimtare. Natyrisht moshapja e negociatave për të katërtën herë këtë Tetor, duke na ndarë si dele e zezë , është një mesazh i prerë në rradhë të parë vetëm për qeverinë shqiptare, e cila jo vetëm nuk ndryshoi asgjë në qëndrimin e saj ndaj krizës këto tre muaj, por përkundrazi me zgjedhjet skandaloze moniste dhe me pushtimin e turpshëm të bashkive, e thelloi atë edhe më shumë.

Në vend që të pranonte dështimin sepse është shkaktari kryesor i kësaj krize dhe arsyeja kryesore e moshapjes së negociatave, ai me paturpësinë më të madhe shpërtheu në një lumë akuzash këtë javë në parlament, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe kundër Opozitës. Sigurisht, me qëllimin për të mbuluar këtë dështim spektakolar.

Por, e vërteta e hidhur tashmë nuk mbulohet dot më, sado moderne qoftë propaganda tashmë bajate e kryeministrit, që trashëgimi të vetme ka degradimin e komunikimit publik dhe gojështhurjen e ndyrë.

Sado u përpoq, që nëpërmjet disa ambasadorëve dhe përfaqësuesve me reputacion të dyshimtë “t’ia linte në derë” Evropës rekomandimin pozitiv , duke shpresuar se kjo do t’i jepte pikë në sytë e opinionit publik, ai nuk ia doli të bindë BE-në se Shqipëria është gati për të filluar procesin e anëtarësimit.

Përkundrazi, shuplaka që po na vjen nga Europa tregon që jo vetëm nuk kemi bërë hapa para , por jemi kthyer 30 vjet pas, pa pluralizëm, pa gjykata , me emigracion të lartë, me korrupsion kapilar , me kriminelë në parlament dhe kudo.

Në fakt, perëndimi, ndryshe nga herët e tjera po e thotë në një gjuhë aspak diplomatike, që Edi Rama është përgjegjësi kryesor për kapjen kapilare të institucioneve, për vjedhjen barabare të zgjedhjeve, për zgjedhjet e turpshme moniste dhe për pushtimin e bashkive me dhunë. Pra, perëndimi po na thotë troç që ai është fajtori dhe përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar dhe kërkesa për hapjen e negociatave nuk do të pranohet për sa kohë, që ai do të vazhdojë të jetë në pushtet.

Rama bën sikur nuk e kupton arsyen e vërtetë, pse po ia përplasin dyert në fytyrë në çdo kancelari perëndimore. Ai bën sikur nuk e kupton që negociatat nuk hapen për shkak të dështimit të qartë në sundimin e ligjit dhe rrënimin e demokracisë.

Ai bën sikur nuk e kupton që radiografia e ashpër e BILD ndodhet përpara tavolinës së kancelarive perëndimore, ndërsa raporti i OSBE/ODHIR nxorri në pah jo vetëm degradimin e pushtetit, por edhe rrezikun, që nëse nuk ndërhyet menjëherë dhe radikalisht , demokracia shqiptare rrezikon të shkojë në komà.

Ai bën sikur nuk e kupton që kushtet e Bundestagut e thonë qartë, që pa një konsensus me Opozitën për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme nuk ka as hapje negociatash as anëtarësim.

Por, gjithsesi ai thellë-thellë e di që çështja e tij tashmë ka marrë fund. Ai e di që e ka humbur përfundimisht shansin që bujarisht iu dha në Qershor për të zgjidhur krizën dhe për të vazhduar mandatin. Ai e di që e humbi shansin për të hyrë në histori si njeriu që do të hapte negociatat për Shqipërinë.

Ai e di që dera e perëndimit, që iu përplas në fytyrë kësaj rradhe, ishte përfundimtare për të. Ky refuzim shënon edhe fillimin e dështimit më të madh dhe real të Edi Ramës. Shënon fillimin e fundit të tij tashmë të pashmangshëm.

Facebook Comments