◾◾◾

Mid’hat Frashëri u nderua dje në 70 vjetorin e vdekjes pranë varrit të ri, ku prehet që prej një viti, pranë vëllezërve Frashëri në Kodrat e Liqenit Artificial.
Simpatizantë të Ballit Kombëtar, shoqatat antikomuniste, ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj që është dhe iniciator i ardhjes së eshtrave të tij nga Amerika, vunë kurora me lule dhe nderuan figurën dhe veprën e tij.

Më pas në Hotel Tirana u prezantua botimi i veprës së 4-ët të Frashërit nga Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo”, emri që Mid’hat Frashëri kishte zgjedhur për veten si pseudonim letrar.

Në këtë përvjetor, historiani Uran Butka, hodhi dyshime për vdekjen e tij, nëse ishte një vdekje natyrore, apo një vrasje nga agjentët rusë për interes të regjimit komunist shqiptar.

“Mid’hat Frashëri udhëtoi në muajin shtator 1949 nga Parisi, ku shpalli Komitetin Shqipëria e lirë, në Londër ku dha një intervistë në BBC për programin e kësaj qeverie demokratike në emigracion, për në Uashington, ku u prit nga kryetari i Komitetit “Evropa e Lirë”, Jozef Grei dhe zevendës ndihmës sekretari i shtetit, Thomson. Mid’hati në fjalën e tij në pritje tha: «Shpresojmë t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën kundër tiranisë komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët në këtë luftë për demokraci”. Aleatët anglo-amerikanë caktuan selinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë’ dhe të kryetarit Mid’hat Frashëri në New York. U vendos në hotelin Winthrop. Ishte shëndoshë e mirë dhe e nisi mbarë punën, sipas programit që paraqiti në BBC. Mirëpo për fat të keq, më 3 tetor 1949, ora 9.25, vdiq papritur.

Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në ato çaste, Telhat Karagjozit, dhe sipas ekspertizës të atypëratyshme të mjekut ligjor, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit. Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së). Kim Philby, agjenti i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur Komiteti “Shqipëria e lirë”, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalite të tjera antikomuniste të Lindjes si, Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov. Në mbështetje të këtij varianti është edhe një dokument i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, qe e kam zbuluar tash së voni, ku shkruhet:

‘Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin… Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Mid’hat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto duhen bërë sa më parë’”, –tha Butka.

Gjithashtu një tjetër studiues i jetës dhe veprës së Frashërit, Dr. Skënder Myrtezani, në një video të regjistruar në Hexington Hotel në New York, pikërisht në dhomën ku më 3 tetor të vitit 1949, ora 09.25, ndërroi jetë Mid’hat Frashëri, tha se akoma nuk njihet për publikun autopsia që autoritetet amerikane i bënë trupit të tij për të kuptuar më qartë shkaqet e vdekjes.

Facebook Comments