Nga Marsida T NAJDENI

◾◾◾

Mustafa Greblleshi 1922 – 1986

Lindi në Tiranë në një familje qytetare. Ai ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Ndër të parët autorë që shkruajti një roman dashurie në letërsinë shqiptare. “Greminat e dashunisë” botuar në Tiranë më 1944 nga shtëpia botuese “Ismail Mal’Osmani”, edhe pse si datë e përfundimit shënohet prej autorit data 1 janar 1942. Shtysën për ta mbaruar këtë roman sipas Bedri Alimehmetit, treguar atij nga Ibrahim Hasnaj, ia ka dhënë Fiqri Llagami dhe vetë Ibrahimi. Libri u shit në kohë rekord. I dha një sukses të bujshëm e gjithëpërfshirës autorit duke i dhënë një post të artë në letërsinë shqiptare. Censura komuniste s’do t’ia ribotonte kurrë më, ndërkohë që në Prishtinë është ribotuar disa herë duke e bërë Mustafain ndër shkrimtarët më të lexuar shqiptarë në Kosovë. Mustafai e filloi botën e shkrimit në moshë fare të re. Kjo nuk ishte rastësi. Kryeredaktori Gjergj Bubani i “Bashkimi i Kombit” e kishte kuptuar talentin e të riut tiranas. Kështu më 1942 Mustafai vetëm 20 vjeçarë punoi në këtë redaksi me mjeshtra të gazetarisë si Bubani dhe Fiqri Llagami. Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit”. I kishin pushkatuar babanë. E burgosën 19 muaj. Për vuajtiet e tija i ka treguar mikut, gazetarit tiranas, Skifter Këlliçit në vitin 1980 si më poshtë:

Kisha kaluar 19 muaj në qelitë e burgut të Tiranës, kisha provuar mbi trupin tim tortura nga më çnjerëzoret; për ditë të tëra duarlidhur, me një zinxhir të ngulur në tavan, pezull e këmbë që nuk më hasnin në dysheme, aq sa një mesditë, kur torturuesit më zgjidhën, u këputa në dyshemenë e ftohtë akull të qelisë dhe mbeta pa ndjenja deri të nesërmen në mëngjez; kisha parë një politikan të njohur nacionalist, të dergjur në dyshemenë e ftohtë të qelisë dhe të përgjakur nga rrahjet, të kërkonte një gotë ujë, që hetuesit e përbindshëm nuk ia kishin dhënë, deri sa kishte dhënë frymën e fundit… Dhe ja, po lirohesha. I pafajshëm, si disa të burgosur të tjerë që na kishin reshtuar në oborrin e burgut, midis të cilëve edhe miqtë e mi gazetarë në gazetën “Bashkimi”, Petro Marko dhe Andrea Varfi, të burgosur dhe torturuar, kinse për faje shumë të rënda që i ngjesheshin vetëm Koçi Xoxes, që tashmë ishte shpallur armik i Partisë dhe i popullit. Pafajësinë na e kumtonte Mehmet Shehu, ministri i Brendshëm që u tregua më xhelat se i mësipërmi. Por më pas, një vartës i tij më pati thënë: “Sidoqoftë, një faj e ke bërë: kur më 1944 rinia kërkonte të lexonten vepra revolucionare, ti botoje “Greminën e dashunisë”, roman që rrëmbeu mendjet dhe ndjenjat e të rinjve të asaj kohe”.

Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut. Gërmon, studion, shkruan, tri monografi për Haki Stërmillin, Fan Nolin dhe Omer Khajamin. Boton tregimet “Kuklla” dhe “Tut Huqi dhe hygjena” tek Nëntori më 1962. Boton të plotë vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu”. Boton vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe “Njëmijë e një netët”. Të gjitha këto kur punonte bojaxhi krahu sepse Partia s’e lejonte të kryente asnjë punë tjetër. Edhe këto botoheshin falë miqve të tij ose njerëzve që ishin rritur me romanin e tij. Fëmitë e Mustafait më 2017 i botuan librin “Kujtime 1939-1944” dhe po punojnë t’i venë babait vendin që meriton në letërsinë tonë. Urojmë t’i kemi në botim gjitha shkrimet që ka lënë pas i ndjeri Mustafa. Po e mbyll listën e Mustafait me librin satirik në dialektin e Tiranës “Muhabet tirançe me Liun e Cakut”, një formë letërsie ndryshe që e kishte mësuar nga gazetari Xhemal Farka.

Facebook Comments