Nga Agon SINANAJ

◾◾◾

Recension mbi veprën “Metamorfoza” te Franz Kafka

Letërsia e Franz Kafkës i përket asaj rryme letrare ku fuzionohen elemente të reales dhe imagjinares. Mes asaj që është reale dhe imagjinare qëndron ironia dhe metafora. Andaj, më shumë sesa vetë ngjarjen, në letërsinë e Kafkës, duhet deshifruar mesazhin që jep vet ngjarja. Dhe ky mesazh nuk jepet asnjëherë i gatshëm, por përmes situatave dhe konteksteve alegorike.

Si rrjedhim, pothuaj të gjitha veprat e Kafkës janë alegorike, me plotë ambiguitete, ironizim të situatave e konteksteve dhe përçim të mesazhit përmes metaforave.

Vepra letrare më ironike e Franz Kafkës mbetet “Metamorfoza”. Një lexim i pavëmendshëm i saj mund të na bëj shumë lehtë ta humbasim mesazhin që jep kjo vepër. Dhe me plot të drejtë, kur dihet se personazhi kryesor është një qenie njerëzore e shndërruar në insekt.

Gregor Zamza zgjohet një mëngjes të bukur dhe kupton se më nuk është qenie njerëzore normale. Ai është shndërruar në insekt. Për ta bërë situatën edhe më të turbullt, Kafka përgjatë gjithë veprës, asnjëherë nuk jep arsyet e metamorfozës që pëson personazhi i tij. Lexuesit që nga fillimi i veprës i duhet të bashkndjejë me një insekt.

Por çka fshihet pas gjithë këtij shndërrimi që pëson Gregor Zamza?

Natyrisht përgjigjen duhet kërkuar në vet kontekstin kohor, mes viteve 1884 dhe 1924, kohë kjo kur jetoi dhe veproi Franz Kafka. Për 40 vite sa jetoi, Kafka pa shkencën tek lulëzonte, shtetet tek industrializoheshin dhe, ajo më e rëndësishmja që e ndikoi veprën e tij, ai pa tek nxjerrin krye filizat e para të diktaturave të shekullit XX.

Në gjithë këtë mishmash ekzistenca individuale gjithnjë e më shumë po e humbiste karakterin e saj dhe po shkrihej në turma që stivoheshin nëpër fabrika. Kafka pa tek lulëzonte një sistem burokratik që e kishte shndërruar njeriun në qenie-automat.

Prandaj shndërrimi i Gregor Zamzes në insekt është në të njëjtën kohë ironia dhe revolta e Kafkës ndaj këtij përçudnimi të njeriut në shekullin e diktaturave dhe burokracisë. Por edhe për të na kujtuar se njeriu përballë gjithë këtij mekanizmi burokratik nuk mund të jetë asgjë tjetër pos një insekt. Siç thonë Felix Guattari dhe Gilles Deleuze në studimin e tyre të famshëm “Kafka: Për një letërsi më të re”:

“Grigor Zamza, te METAMORFOZA, kthehet në brumbull, jo vetëm për të ikur prej të atit, por për t’i ikur administruesit, tregtisë, për të shpëtuar prej burokratëve”.

“Metamorfoza” e Franz Kafkës është revolta e njeriut të zvetënuar nga një sistem diktatorial dhe burokratik i cili nuk pyet fare për individin. Diktaturat gjithmonë janë mbrujtur nga masat dhe vlera e individit të veçuar në to ka qenë e barasvlershme me një insekt. Në sisteme si këto ekzistenca individuale nuk ka kurrfarë rëndësie.

Ngjashëm ngjet edhe me Gregor Zamzen tek “Metamorfoza”. Ai e humbet punën, familja e përbuzë dhe pothuaj nuk ka asnjë marrëdhënie me ndonjë qenie njerëzore. Sepse ai që njëherë ka vendosur të dal nga mekanizmi, natyrshëm do ta fitoj përçmimin e të tjerëve. E rëndësishme këtu është sidomos marrëdhënia e Gregorit me familjen. Me t’u shndërruar në insekt, Gregori përçmohet në mënyrën më të ligë jo vetëm nga shoqëria, por tashmë edhe nga familja e tij. Të gjithë familjaret, që nga i ati, e ëma dhe motra, ia dëshirojnë sa më parë vdekjen. Por para se të shndërrohej në insekt, pra derisa punonte dhe sillte para në shtëpi, ai ishte në familje njeriu më i dashur.

Familja më shumë ishte e interesuar për nderin e fisit sesa për Gregorin që po përpëlitej mes jetës dhe vdekjes. Ja sesi e paraqet ketë vet Gregori në një moment reflektimi:

Pengesa kryesore, ishte dëshpërimi i tyre i plotë, mendimi se u kishte rënë mbi kokë një fatkeqësi e paparë ndonjëherë në historinë e fisit e të të njohurve të tyre.

Në një sistem ku paraja i determinon marrëdheniet mes njerëzve, madje edhe ato në familje, atëherë edhe vlera e njeriut matet me valutën. Gregor Zamza sa ishte në punë kishte respektin e gjithë shoqërisë. Sapo u shndërrua në insekt dhe e humbi punën nuk e donin as familja e tij. Kafka përpiqet ta theksojë faktin sesi në shoqëritë autoritare marrëdhëniet mes njerëzve përcaktohen nga pozitat shoqërore. I ati i Gregorit e donte të birin për aq sa ai sillte para në shtëpi.

Prandaj po të shprehemi me gjuhën e filozofit kilian Martin Hopenhayn, ironia e Kafkës tek “Metamorfoza” qëndron pikërisht tek metamorfoza. Metamorfoza është vet ironia ndërsa mesazhi që jep vepra është alienimi dhe zvetënimi i njeriut bashkëkohor.

Brumbulli Samsa nuk është plotësisht brumbull. Ai vazhdon të mendojë. Vetëdija e përdor trupin si mbulesë njëherazi që e burgos. Nëse aty ka ironi, kjo ndodh ngaqë vetë ironia duhet të na nxjerrë nga konteksti dhe të hapë një hendek midis botës dhe unit. Zbrazëtia kthehet në urë lidhëse midis botës dhe unit. Dmth, ironia është vetë metamorfoza.

Në eseun “Kafka nuk shkon në plazh”, shkrimtari latino-amerikan, Carlos Fuente, mendon se rëndësia e Kafkës në letërsi ishte protretizimi që ju bëri gati në mënyrë profetike tmerreve të pushtetit në shekullin XX. Ky lloj pushteti, sipas Fuentes, u duk qartë, tepër qartë, në Aushvicin e Hitlerit dhe në Gulagun e Stalinit.

Facebook Comments