Nga Faruk MYRTAJ

◾◾◾

NE (besojmë se) i njohim të gjithë, atëherë ishim të bindur se aq keq sa kishim qenë deri atë mot, s’do ishim kurrë më. Dhe kjo natyrisht është e vërtetë. Por s’është e vërtetë se ne i njohim ATA Atje Lart…

Atë ditë kisha botuar te “Zëri I Rinisë” një shkrim me titullin: PËR KË DUHET TË DUARTROKASIM?” me nëntitullin “PËRSE DUHET TË DUARTROKASIM?!” Me shkronja të mëdha. Kapitale.
E kisha një kopje me vete kur u ndodha përpara Akademisë së Arteve. Atje…ndodhnin REFLEKSIONET…!

Ja tek ishte, I Gjatë, I Allasojshëm, I Pakursyer në lirinë e fjalëve që shpërndante…
Citonte Konicën, papushim dhe mbante në krahë Trebeshinën…

Berisha, edhe sipas meje, ish-sekretari i partisë, më shumë simpati për Neritan Cekën -thinjat, origjina etj. por mbi të gjithë ngrihej Edi Rama…
Ngulte këmbë se as pardesy të bardhë s’kishte veshur!

Nuk dinim këto që dimë sot, për askënd prej tyre, s’e dinim mirë rolin e Ramiz Alisë në dekretimin e Pluhur-Alizmit, që Ceka do bëhej ministër I Brendshëm nën PS-në, dhe që Berisha si “Bashkëfajtor e Bashkëvuajtës” do bënte koalicion edhe me djallin për të mbetur në pushtet…
Nuk para-mendohej se, me Edi Ramën do të nënshkruanin marrëveshjen e Mukjes së pluralizmit (ashtu siç e bënë vet…) duke i vënë nën kontrollin e Dy Krytarëve…që do alternoheshin në pushtet…

Që Edi Rama ta rrëmbente kreun e PS-së nuk shkohej ndërmend, se ai predikonte dënimin maksimal të Byroistëve, nëse jo dot anatemimin e gjithë komunistëve, që…ku tjetër veç se në PS ishin në shumicë?
Isha vlerësues që PS nuk ishte më PP, por ai e shndërroi në Klub Aksionesh dhe tërë Shqipërinë në PPP…

Por është fjala se si u prezantova me Edi Ramën dikur…
Përpara Akademisë, Edi ishte përballë dhe unë…
I shfaqa nga afër faqen e parë të “Zërit të Rinisë” ku titulli dhe nëntitulli i shkrimit tim, besoja mahere, përkonin me atë liri të Tijën, të Refleksioneve të tij, edhe pse sadopak trembte ai shpengim lirie lëshuar që shkonte deri në anarki…
Edi Rama, i Refleksioneve, i vuri re, ngriti gishtin e madh të dorës së djathtë, YES, siç bënin Amerikanët. Ndjeva kënaqësi edhe unë.

Pra: tek e fundit, pas asaj diktature të rreptë të Njëshit, pse duhej të duartorkisnim tjetërkënd?! Askënd më! Të gjithë që do ngjiteshin në pushtet pas kësaj, do kryenin detyrën, në Shërbim të Popullit e të Atdheut dhe do iknin…kur t’u mbaronte afati me Kushtetutë, do zbrisnin sërish mes Njerëzve…

Më pas, tani vonë, bie fjala, kur e shihja në mbledhjet e Komitetit Drejtues të PS-së që fillonin kur vinte AI dhe mbaronin kur mbaronte Fjalën Ai, e shihja që shkarkonte ministrat e vjetër, emëronte ministrat e rinj, duke iu drejtuar hera herës ndokujt, në sallën ku të gjithë ishin atarë të Këshillit Drejtues, si dikur antarë të KQ.
I shkonte dikujt prej tyre ndërmend të gëzohej, të qeshte, të duartrokiste…

“Kush duartrokiti atje? Çfarë ka këtu për të duartrokitur, ë?”

Facebook Comments