Nga Glenn KENNY

◾◾◾

“The Load” përshkruan ngjarjet në Jugosllavinë e 1999-s, midis bombardimeve të NATO-s për t’i dhënë fund dhunës etnike.
Si në fillim, ashtu edhe nga fundi i filmit, bombat shihen prej larg – me skena të atyre që duken si fishekzjarrë që ngjiten dhe zbresin, por nuk shpërthejnë kurrë në ngjyra.
Personazhet në këtë film mbërthyes nuk u përkojnë pamjeve në asnjë mënyrë: eksplozivët janë vetëm një prej komponentëve të pakëndshëm të përditshmërisë së pakëndshme të tyre.
Një nga temat e këtij filmi, të parit film artistik me skenar dhe me regji të Ognjen Glavoniqit, është se si njerëzit i përshtaten një ambienti ku kryhen krime, duke mbërritur në pikën që ata vështirë se ia vënë veshin.
Rrëfimi përcjell Vlladën (Leon Lucev), një mesoburrë ballërrudhur dhe gojështrembër.
Ai ka dalë për herë të tretë për të punuar si ngasës kamioni; nuk është i mësuar me një punë të tillë, por ka nevojë për para. Vllada nuk është i vetëdijshëm se çfarë po bart në kamionin e tij, pjesa e pasme e të cilit është e mbyllur dhe e siguruar me zinxhirë.
Gjithçka që di ai është se do të dëshironte që prej Kosovës të mbërrinte në Beograd me kohë, në mënyrë që të mund të flinte në shtëpi.
Posa që niset, ai has në disa vetura që digjen, të cilat e kanë bllokuar rrugën.
Ai takon një tinejxher që i kërkon ta marrë me vete, Paja (Pavle Cemerikiq) dhe i cili pretendon që e di një rrugë tjetër.
Filmi gradualisht zbulon aspekte të së kaluarës së Vlladës dhe karakterit të tij, shpesh përes detajeve të vogla, si me çakmakun e moçëm të cilin Vllada ia huazon Pajës.
Në fillim gjithçka që dijmë është se ky çakmak nuk punon mirë.
Por, dalëngadalë, shikuesi dikur e mëson rrëfimin e çakmakut, mbishkrimin në të, prej nga kishte ardhur – gjëra këto që bëhen bashkë për ta sqaruar lodjen e Vlladës me jetën.
Nga fundi i filmit Vllada e kupton se ai është duke përkrahur krime lufte të një natyre tejet të neveritshme.
Në pjesën e fundit të filmit, pasi që ai me në fund mbërrin në shtëpi, nis që të mendohet se çfarë duhet të bëjë, apo edhe nëse mundet të bëjë diçka.
Aparati i lirë që ai përdor për të fotografuar pjesën e prapme të kamionit duket armë e dobët.
Qiejt e murrmë nën të cilët ka xhiruar Glavoniq dhe mungesa e dinamizmit na bëjnë që natyrshëm ta vihemi në pozitën e Vlladës, për ta pyetur veten se çfarë do të bënim në vend të tijin.

© The New York Times

Facebook Comments