Nga Red VARAKU

◾◾◾

Ashtu si në çdo dështim, edhe për dështimin e hapjes së negociatave Rama e ka bërë gati skenarin e fshehjes së pafuqisë së tij, me anë të të cilit mendon se mund t’i hedhë për të katërtën herë hi syve shqiptarëve.

Vetë ai me paturpësinë më të madhe hapi shampanjën si sinjal, që pinokët e tij të propagandës të nisin sërish fushatën idiote për të bindur shqiptarët që negociatat u hapën për të katërtën herë rradhazi.

Kjo fushatë në fakt ngjan thjesht jo vetëm si cinizëm me fatin e popullit më të varfër të Europës, por është gjithashtu edhe një tallje e hapur me arsyen e një njeriu me formim elementar.

Si është e mundur që pas shtatë vjetëve qeverisje, ky kryeministër nuk ka marrë asnjëherë asnjë përgjegjësi, por gjithmonë ose manipulon të vërtetën ose fajin ia hedh Opozitës? Si është e mundur që ky njeri sillet sikur akoma është në opozitë ? Si mundet kryeministri i vendit më të varfër në Europë të sillet në këtë mënyrë?

Fushata e kryepinokut për të fshehur dështimin spektakolar, është e pashembullt dhe e pamoralshme. Një fushatë e tillë nënkupton, që njerëzit janë aq të trashë, sa mund ta hanë sapunin për djathë, sa herë t’i teket kryepinokut .

Por, vjen një moment kur këmbëngulja e kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij e provokojnë vërtet shqiptarët, sidomos ai momenti kur deklarojnë që qeveria i ka bërë detyrat dhe nuk mban më asnjë përgjegjësi dhe tani është rradha e Europës të bëjë detyrën e saj.

Ndërkohë, Berlini po na e thotë në mënyrë aspak diplomatike se negociatat nuk hapen për shkak të krizës së rëndë të demokracisë ku ndodhet vendi për shkak të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie.

As që mund ta imagjinojnë vende si Gjermania, Hollanda apo Danimarka se si mund të vazhdojë të qeverisë një njeri që është kapur në përgjime zyrtare me grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar duke vjedhur zgjedhjet.

Ndërkohë, në vend të përgjigjes së kërkesës së natyrshme për zgjedhje të lira, ai jo vetëm nuk i kërkoi falje shqiptarëve dhe të zhdukej jo nga politika por nga Shqipëria, i imponoi shqiptarëve me dhunë zgjedhje moniste pa Opozitë.

Dyert e negociatave po na mbyllen për të katërtën herë rradhazi, edhe pas rekomandimeve të bujshme pozitive. Vetëm naivët nuk e kuptojnë se pse vendet anëtare në të vërtetë po na i plasin në fytyrë dyert e negociatave . Sigurisht , përgjegjësia për këtë dështim bie vetëm mbi një njeri, kryeministrin pinok.

Kush tjetër duhet të mbajë përgjegjësi që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, kur sot ai i ka kapur të gjitha pushtetet dhe Opozita është e gjitha në rrugë dhe thuajse nuk ka më asgjë? Kush tjetër mban përgjegjësi kur zinxhirin e institucioneve që merren me zgjedhjet e ka të gjithin në dorë vetëm qeveria dhe kur manipulimet dhe grabitjet e mandateve bëhen gjithnjë në dëm të opozitës dhe në favor të qeverisë?

Sigurisht, Opozita ka përgjegjësitë e saj që natyrisht duhet t’i marrë, por është naive të thuash se ajo ka bërë gjithçka për të bllokuar hapjen e negociatave. A thua se fajin e ka Opozita, që Rama i vodhi zgjedhjet në bashkēpunim me krimin e organizuar. A thua se fajin e ka Opozita, që Shqipëria sot është kthyer në bazë operacionale të krimit sipas DASH. A thua se fajin e ka Opozita që sot njerëzit e botës së errët të krimit janë të veshur me pushtet dhe janë kthyer në padronë të qyteteve dhe qytetarëve . A thua se Opozita e ka fajin që korrupsioni ka kapur nivele alarmante , nivele që kanë shqetësuar partnerët tanë perëndimorë.

Të paktën, vetëm kësaj qeverie nuk i lejohet të tallet më me aspiratën popullore për integrimin europian, duke luajtur kukafshehurazi u hapën s’u hapën, sepse u votua me një milion vota për këtë nga shqiptarët.

Treni i katërt është nisur dhe arrin në Tetor, por ne e kemi humbur akoma pa ardhur, sepse bileta që kemi prerë maksimumi na çon në Afrikë, sepse këmbim të negociatave morëm edhe nëntë kushte të tjera nga Gjermania, nëpërmjet të cilave i kërkon z. Rama të fusë në burg njerëzit më të rëndësishëm të PS-së, praktikisht senatorët e rilindjes. Në këmbim të hapjes së negociatave Buntestagu i kërkon të anulojë zgjedhjet e turpshme të 30 Qershorit dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme politike dhe lokale.

Pa plotësimin e këtyre kushteve, na ngelet që të pimë shampanjën bosh të integrimit çdo vit.

Facebook Comments