Nga Dom Gjergj META

◾◾◾

Kisha rreth gjashtë muaj që isha shuguruar ipeshkëv i Rrëshenit. Në një fshat të dioqezës kishte ndodhur diçka e papëlqyeshme midis meshtarit të zonës dhe një banori i cili nuk ishte i atij fshati. Kur meshtari ma tregon situatën i them: “Ok mos shko më atje. Do të shkoj unë vetë e do t’u flas ashpër që pse kanë lejuar këtë sjellje të keqe ndaj teje.”

Në disa zona katolike ruhet ende njëlloj respekti e nderimi për meshtarin, ashtu sikurse ishte parashikuar në ligjin e maleve. Sigurisht komunizmi dhe koha që po jetojmë e kanë ridimensionuar shumë këtë gjë dhe marrëdhënia e meshtarit me popullin ka marrë trajta të tjera. Por nuk dua këtu të flas për këtë gjë.

Historia vazhdon kështu. Në polici ishte bërë një denoncim për atë njeri i cili kishte rrezikuar realisht jetën e priftit me sjelljen e tij.

Të djelën pas asaj dite mora me vete shefin e policisë e u nisa të shkoja atje. Kisha me vete autoritetin e ipeshkëvit dhe autoritetin e shtetit. Ndjeja se do të kisha shumë sukses e do të ushtroja pushtetin tim duke thënë:

“Jeni sjellë keq me priftin. Ju nuk meritoni më prift e unë nuk do t’ju dërgoj askënd derisa të kërkoni falje e as meshë nuk do të ketë më”.

Ishte një ditë e ftohtë acar. Kur hyra në rrugën që çon drejt Kishës e ngatërrova e dola tjetër për tjetër. U ktheva mbrapsht e mora rrugën e duhur. Kisha qenë vetëm dy herë në atë fshat. Brenda në makinë ishte ngrohtë, por jashtë frynte erë e binte si shi i përzjerë me borë, që kur të përplasej në fytyrë dukej si copa akulli. Kjo më acaroi edhe më shumë e zemërimi im rritej akoma edhe më shumë. “Tani ju tregoj unë” – thoja me vete e përgatisja me mend fjalimin tim të zjarrtë. Makina mezi ecte dhe akulli kishte krijuar një terren të rrëshkitshëm. Gati sa nuk desha të kthesha në shtëpi e të shkoja një ditë tjetër për të vënë drejtësinë në vend. Por vazhdova edhe sepse nuk kishte vend ku të ktheheshe me lehtësi, përveçse afër Kishës.

Më në fund mbërrita te Kisha. Bora kishte mbuluar oborrin si dhe varret që ishin pranë Kishës. Zbrita nga makina. Era më rroku fytyrën e pothuajse ma mpiu. Iu avita hyrjes e aty jashtë derës gjeta tre fëmijë që sapo më panë m’u afruan me shumë buzëqeshje e më përshëndetën: “Qoftë lëvdu Krishti dom Gjergj! Jena gati për meshën.” Më pas dolën edhe prindërit e tyre e më përshëndetën me të njëjtat fjalë e shtuan: “Mirëserdhe dom Gjergj!” Kishin thënë rruzaren ndërkohë që po prisnin të vija unë.

U ndjeva i vogël e nuk dija ku të fshihesha nga turpi kur pashë fytyrat e atyre fëmijëve që prisnin në të ftohtë. As nuk dija, e po më vinte marre, si të prezantoja shefin e policisë. Për çfarë arsye kishte ardhur? Po unë, për kë kisha ardhur me polic? Për këta fëmijë e për prindërit e tyre që kishin dalë në të ftohtë e kishin ecur në këmbë për të marrë pjesë në meshë? Kujt do t’ia shfryeja zemërimin tim dhe kujt do t’ia tregoja pushtetin tim?

Ata menjëherë më pyetën për meshtarin e tyre dhe thanë: “Kur do të vijë?”. E kuptova që e donin shumë.

Kurse ata që kishin krijuar problemin nuk ishin aty e as nuk kishin për të ardhur më, vetëm në ndonjë rast morti ndoshta, sikurse kishte ndodhur atë ditë. Ata thjesht kishin lënë problemin e kishin ikur në fshatin e tyre.

E unë, jo urtisht, mendova të merresha me problemin e të harroja njerëzit. Për mua si ipeshkëv e bari ishte një mësim i madh kjo ngjarje.

Kremtova meshën e i kërkova falje Zotit për gjithë mënyrën se si kisha menduar të veproj e atyre u thashë thjesht: “Faleminderit që keni ardhur në meshë. Problemet do t’i zgjidhim dalëngadalë”.

Fytyrat e atyre fëmijëve nuk do t’i harroj kurrë, sepse më bënë të kuptoj se çfarë ka dashur të thotë Jezusi me fjalët:

“Atyre që janë si këto fëmijë u përket Mbretëria e Hyjit!”

Të dielë të bukur!

Facebook Comments