◾◾◾

Në 45-vjetorin e vdekjes së Imzot Irine Banushit, pasardhësit e martirit të Kishës dhe të Kombit i kërkuan Sinodit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kthimin e eshtrave të tij në Manastirin e Ardenicës, andej nga ku e dëboi diktatura ateiste. Përveç atij mesazhi të vitit të kaluar, të cilin e shpërndajmë këtu, fisi Banushi ka parashtruar edhe kërkesë me shkrim në KOASh. Këtë lutje e ka nënshkruar edhe prifti i sotëm në Manastirin e Ardenicës.

Jo vetëm që Kryepeshkopi Anastasios nuk e ka pranuar kërkesën legjitime të pasardhërsve të Imzot Irine Banushit, por sipas burimeve brenda KOASh-it, Fortlumturia është pezmatuar e nxehur dhe ka shpërthyer se nuk do që t’ia përmendin më këtë çështje.

Cilat janë arsyet që kryepeshkopi i sotëm nuk lejon nderimin dhe kthimin e eshtrave të tre Kryepriftërinjve martirë të Ortodoksisë Shqiptare, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kisit dhe Irine Banushit?

Së pari, është kombësia shqiptare dhe atdhedashuria e tyre.

Kryesia e sotme kishtare ka punuar dhe punon për zhbërjen e sfondit kombëtar në Kishë.

Së dyti, është burrëria dhe shenjtëria e këtyre hierarkëve tanë.

Z. Janullatos ka themeluar dhe investon për një literaturë ortodokse e cila qerthullohet rreth anastasizmit, ku vetë kryepeshkopi grek është alfa dhe omega, duke i vënë ditëlindjen KOASh-it në vitin 1992.

Urrejtja e Janullatosit ndaj sfondit shqiptar në Kishën tonë, zhdukja e shenjave të mëdha dhe harresa ndaj figurave ortodokse vendore, gjendja e sotme, pra, ekspozon rëndë politikanët, aktorët publikë, intelektualët dhe të gjithë ata shqiptarë që janë kompromentuar dhe përdoren sot për të mbrojtur autorin dhe përluftarin e shkombëtarizimit të komunitetit ortodoks në Shqipëri.

Si e justifikoni ju, zotërinj që mbroni Janullatosin, luftën kundër Irine Banushit?

Nëse lidhja juaj me Kryepeshkopin Anastas nuk është lidhje e errët, përse të mos t’i flisni, të mbështesni kërkesën e pasardhësve të Imzot Irine Banushit, që të përmirësoni edhe imazhin e z. Janullatos ndër shqiptarë, për të mos hedhur poshtë edhe veprën ndërtimore greke në Shqipëri?

Kërkesa për varrosjen e Imzot Irineut në Ardenicë, në manastirin që ai vetë shpëtoi nga prishja dhe na la për trashëgimi, është një thirrje humane, është minimumi i nderimit të të vdekurit; sidomos në popuj të qytetëruar.

Facebook Comments