Nga Shaban MURATI

◾◾◾

Shqipëria duket është i vetmi shtet anëtar i NATO-s, që mendon se mund të flerë pa u merakosur për rreziqet, që shtohen rreth e qark saj në Ballkan. Nuk shpjegohet ndryshe që asnjë zyrë shtetërore nuk reagoi në Tiranë për njoftimin e rëndësishëm, që u publikua në Beograd në 10 shtator se Serbia ka blerë në Kinë porosinë e parë të 9 dronëve të armatosur apo të avionëve luftarakë pa pilot dhe pas kësaj do të blejë edhe 15 avionë të tjerë luftarakë pa pilot. Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandër Vulin, me këtë rast deklaroi se pajisja me dronët e armatosur do të fuqizojë fort kapacitetet e ushtrisë serbe, kapacitete, që nuk i ka pasur në të kaluarën.

Njoftimi për blerjen e dronëve luftarakë kinezë “Wing Long” u bë menjëherë pas bisedimeve në Beograd me një delegacion ushtarak kinez të nivelit të lartë. Por në fakt marrëveshjen për blerjen e dronëve të armatosur apo të avionëve luftarakë pa pilot e ka nënshkruar personalisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Pekin në shtator të vitit të kaluar. Dronët ushtarakë kinezë janë avionë luftarakë pa pilot, të cilët pajisen me bomba dhe me raketa për të goditur objekte tokësore dhe kanë një rreze prej 4 mijë kilometrash. Për të ilustruar rolin dhe përdorimin e tyre drejt objektivave në shtete të tjera po përmendim faktin më të freskët të datës 14 shtator 2019 kur forcat rebele Huthi në Jemen dërguan dronë luftarakë për të bombarduar në Arabinë Saudite dy rafineritë më të mëdha të naftës në botë, duke shkatërruar gjysmën e kapacitetit të naftës të atij shteti. Pra nuk janë dronë si ai që u hodh gjatë ndeshjes së futbollit të Shqipërisë me Serbinë, as si ai që donin të ngrinin për hakmarrje çekët filoserbë në Prishtinë gjatë ndeshjes së kombëtares së tyre atje, dhe as nga ato me të cilët bëjnë foto nga qielli reporterët. Dronët luftarakë të Serbisë janë dronë të armatosur me bomba dhe me raketa kundër objektivave në distanca të gjata.

Serbia bëhet shteti i parë ballkanik dhe europian, që pajiset me dronë të armatosur kinezë, hap që padyshim krijon një disekuilibër të ri të rrezikshëm forcash në rajonin e Ballkanit. Lidhur me këtë zëvendësministri serb i mbrojtjes, Nenad Miloradoviç, u mburr se Serbia po pajiset me sisteme të sofistikuara dronësh ushtarakë kinezë, të cilët nuk i ka asnjë shtet rreth saj. Zëvendësministri serb i mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se marrëveshja e nënshkruar me Kinën parashikon edhe transferimin e teknologjisë për sisteme integrative të avionëve luftarakë pa pilot, mbi bazën e të cilave avionët pa pilot ose dronët ushtarakë, që do të prodhohen në Serbi, do të pajisen me sisteme elektroniko-optike.

Kemi kështu një rrethanë të re strategjike në rajon, e cila nuk mund të anashkalohet nga shtetet e rajonit dhe sidomos nuk mund të lihet jashtë vëmendjes nga shtete dhe popuj, të cilët konsiderohen kërcënim nga doktrina zyrtare ushtarake serbe, dhe konkretisht Shqipëria dhe Kosova. Ja për cilët është konkretisht rreziku dhe objektivi i kërcënimit të dronëve luftarakë serbë, sipas ekspertëve ushtarakë të huaj, të cilët shqetësohen më shumë se zyrtarët tanë për fatet tona. “Dronet e armatosur serbë mund të dislokohen në bazën e brigadës së 98 të ushtrisë serbe në Nish, zonë e njohur për tensionet e Serbisë me Kosovën dhe me Shqipërinë kohët e fundit”,- paralajmëronte para pak kohësh portali “defence.pk”. Agjencia e madhe amerikane e lajmeve “Asoshiejtid Press” shkruan në 10 shtator 2019: ”Ekziston frika në Perëndim që armatosja e Serbisë nga aleatët e saj Rusia dhe Kina mund ta inkurajojë këtë shtet ballkanik drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër ish-provincës së saj, Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në 2008”.

Dronët luftarakë të Serbisë përfaqësojnë pra një rrezik ekzistencial, që duhet të ngrejë në këmbë qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Informacioni i pajisjes së Serbisë me avionë luftarakë pa pilot, që mund të godasin me bomba dhe me raketa objektiva tokësore deri në 4 mijë kilometra larg, mund të jetë ri për publikun e gjerë, por në qarqet ushtarake dhe diplomatike ai qarkullon që prej verës së vitit të kaluar, kur një delegacion ushtarak serb bëri një vizitë të posaçme në Kinë në grupin industrial kinez “Chengdu Aircraft Industry Group”, që i prodhon dronët luftarakë, dhe kur presidenti i Serbisë Vuçiç nënshkroi kontratën e blerjes së dronëve luftarakë gjatë vizitës së tij në Pekin.

Dy shtetet shqiptare dhe kombi shqiptar janë përpara një gare të ethshme të armatimeve nga Serbia, e cila nga dita në ditë po merr armë gjithnjë e më të sofistikuara. Blerja e dronëve të armatosur apo e avionëve luftarakë pa pilot e ngre këtë garë armatimesh në një fazë cilësisht të re, që shtron pikëpyetje të madhe ekzistenciale. A ka Shqipëria përgjigje për rrezikun e dronëve të armatosur të Serbisë?

Është e njohur se çdo plan apo strategji kundërmasash do të përfshinte në radhë të parë reagimin e menjëhershëm diplomatik dhe propagandistik. Shqipëria po hesht si mumje, siç ka bërë gjithmonë, edhe kur u ngrit baza ushtarake ruse e Nishit, edhe kur Rusia furnizon me avionë të sofistikuar dhe me raketa Serbinë, edhe kur në Serbi zhvillojnë manovra ushtarake zbarkimi në Ballkan forcat desantuese ruse, edhe kur Serbia bëhej shtet vëzhgues në organizatën ushtarake ruse CSTO, etj. etj.

Shqipëria me urgjencë duhet të ngrejë çështjen e dronëve të armatosur serbë në komitetin ushtarak strategjik të NATO-s për të bashkërenduar me aleatët atlantikë masat mbrojtëse, që duhen marrë në Shqipëri dhe në Ballkan ndaj rreziqeve, që përfaqëson ky lloj armatimi i ri serb. Shqipëria duhet të ngrejë zërin në Bashkimin Europian, ku BE duhet t’i japë fund heshtjes dhe indiferencës ndaj garës së rrezikshme të armatimeve nga Serbia. Është e pakuptimtë që BE të avancojë integrimin europian të Serbisë në kohën kur ai shtet armatoset kundër vendeve anëtare dhe kandidate të BE në rajon. Është vërtetë paradoksale se si BE toleron përrallën e Serbisë zyrtare për të ashtuquajturin neutralitet ushtarak, në kohën që ky shtet kandidat i BE po armatoset me një ritëm të paparë me armë të sofistikuara. Udhëheqja serbe ka shpikur tezën absurde sipas të cilës qenka neutralitet ushtarak kur Serbia armatoset nga të katër anët, nga Rusia, nga Kina dhe nga të gjithë shtetet, që shesin armë. Tirana duhet ta ngrejë me forcë zërin dhe të protestojë direkt tek Beogradi për këtë provokacion të rrezikshëm, që destabilizon rajonin, dhe e fut atë në një cikël të ri të garës së armatimeve. Shqipëria duhet ta ngrejë zërin në samitet apo në forumet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor. Nuk mund të mos habitesh nga ky Ballkan Perëndimor, që nuk shqetësohet për dronët luftarakë të Serbisë, e cila bombat dhe raketat planifikon t’i hedhë pikërisht në Ballkan. Serbia tallet me shtetet e Ballkanit Perëndimor me tullumbacet e “integrimit të përbashkët ballkaniko-perëndimor”. Tallet veçanërisht me Shqipërinë, të cilës i ka lejuar të vetëkënaqet me hapjen e një zyre ballkaniko-perëndimore për rininë, e cila planifikon mbrëmjet e vallëzimit apo “party” verore midis dhjetë të rinjve shqiptarë dhe dhjetë të rinjve serbë. Serbia tallet me Shqipërinë, sepse ka lejuar që në paradën e saj të LGBT të 15 shtatorit të këtij viti kryeministrja serbe të fotografohet para parullës së atij komuniteti “shqiptarët janë vëllezërit tanë”.

Çështja është tepër serioze për Shqipërinë, për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar. Serbia hyri në epokën moderne të droneve luftarakë, që mbajnë bomba e raketa, dhe kjo është një situatë e re, që duhet të mobilizojë qeverinë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shtabet ushtarake dhe institucionet e inteligjencës, emergjencat civile, gjithë strukturat mbrojtëse të shtetit. Ekspertë të sigurisë, me të cilët kam pasur rastin të bisedoj për domosdoshmërinë e kapaciteteve të detektimit, të bllokimit dhe të neutralizimit të dronëve sulmues, ngrenë supet kur i pyet se çfarë do të ndodhte nëse dronët e armatosur serbë do të godisnin objekte të mëdha strategjike në Shqipëri, siç bënë rebelët Huthi të Jemenit në Arabinë Saudite.

Shteti nuk mund të ngrejë supet, as të bëjë të paditurin dhe të pamundurin, por duhet të përgatitet për çdo situatë. Shteti serioz nuk auto sugjestionohet nga retorikat boshe për internacionalizmin ballkanik. Interesat strategjike kombëtare në Ballkan janë jo të përputhshme, dhe sidomos me Serbinë janë të kundërta. Këtë dëshmon pajisja e Serbisë me dronët e armatosur me bomba e raketa, ndërsa Shqipëria nanuritet me idiotizmat e paqes së rreme ballkaniko-perëndimore.

Facebook Comments