Përgatiti Rexhep SHAHU

◾◾◾

Me daten 3 korrik 1975 ne pergjigje te pyetjes ne hetim Havzi Nela thotë:

“Unë kam disa mendime të miat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta këto bien në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se lidhur me fenë, ajo duhej të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej. Me një fjalë unë jam besimtar dhe besoj te feja. Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë se atje është përdorur edhe forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte përgatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë ishte kolektivizimi dhe nuk kishte kushte për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mundet të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e humbasin kohë njerëzit duke udhëtuar. Përsa i takon rinisë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, gustos së jetesës, dëfrimit e të mos diktohet sesi të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar… Përsa i takon standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca etj. Këtë e them pse njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë si televizor, automobila, e sende të tjera që bëjnë një jetë vërtet luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu them se në këto vende njerëzit kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik ekonomik, nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat kohor vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojnë, bile e nxorën para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim. Të gjitha këto përfundime e mendime, unë i nxora nga studimet që kam bërë në literaturën që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm”.

Facebook Comments