Nga Red VARAKU

◾◾◾

Demokracia nuk mbaron më si dikur në një çast, me anë të një grushti shteti, por vdes ngadalë dhe në mënyrë sistematike nëpërmjet dobësimit dhe më pas kapjes së institucioneve, sistemit të drejtësisë dhe medias, si dhe nëpërmjet rrënimit gradual të normave të gjithëpranuara politike. Ironikisht ajo vdes pikerisht në kutinë e votimit.

Ky është konkluzioni i dy profesorëve të nderuar të Universitetit Harvard, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, në studimin e tyre të fundit “Si vdesin demokracitë”. Ata kanë studiuar për 20 vjet rresht rënien e demokracive dhe instalimin e regjimeve totalitare në Europë dhe në Amerikën Latine dhe kanë dalë në përfundimin që, demokracia ka hyrë në një fazë, ku vetë egzistenca e saj rrezikohet nga format e kamufluara të ‘grushtit të shtetit’.

Por, le të analizojmë pak nën dritën e këtij studimi qeverisjen e Ramës. A po konsumon ai një ‘grusht shteti’ sipas konceptit të dy profesorëve të nderuar? A ka rrezik për instalimin e një regjimi të ngjashëm me atë të Putin në Shqipëri? A ka rrezik për demokracinë në Shqipëri?

Rama erdhi në pushtet si pasojë e pakënaqësisë së madhe të njerëzve me elitën e korruptuar politike shqiptare dhe një sistemi të bllokuar . Ai shfrytëzoi mllefin e madh që ishte akumuluar për shkak të korrupsionit kapilar dhe kushteve ekonomike të përkeqësuara.

Por, kur u votua masivisht si kryeministër, ai nuk bëri asgjë për t’i dhënë përgjigje këtyre problemeve. Ai e degradoi shtetin me sjelljen e tij banale, dobësoi institucionet duke rritur nivelin e korrupsionit si dhe degjeneroi seriozitetin e shtetit me gjuhën e tij vulgare. Pra, thënë shkurt, jo vetëm që nuk bëri asgjë për të zvogëluar zemërimin e njerëzve, por rrënoi edhe ato pak institucione që administronin disi këtë zemërim.

Historia dëshmon që, kur sjellja politike degjeneron deri në këtë papërgjegjshmëri dhe kur institucionet rrënohen deri në këtë shkallë, është shumë e vështirë rivendosja e normalitetit. Në vend të normalizimit, në fakt, fillojnë të dalin në skenë ide edhe më idiote dhe radikale, siç po shikojmë gjatë këtyre muajve me idetë anti-sistem.

Kjo ndodh sepse partitë e qendrës dobësohen, ndërkohë e majta dhe e djathta zhbalancohen dhe humbasin dinamikën. Këta radikalët që kanë dalë në skenë dhe që kërkojnë ndryshimin total të sistemit, duke flakur tej partitë tradicionale, janë edhe më të çmendur se vetë Rama.

Rama ndoqi një strategji të mirëmenduar, shumë të ngjashme me atë të vendeve ku sot janë instaluar regjime totalitare, për të arritur kapjen totale të shtetit dhe eliminimin e demokracisë. Trajektorja e qeverisjes së tij ndjek pikë për pikë trajektoren e logjikës së përshkruar nga profesorët Levitsky dhe Ziblatt.

Së pari, ai filloi me kapjen e institucioneve duke i kthyer në armë politike kundër kundërshtarëve të tij, brenda dhe jashtë partisë. Kapja e sistemit të drejtësisë menjëherë pas zgjedhjeve, blerja e mediave dhe bullizimi ndaj tyre, me qëllim intimidimin dhe mbylljen e gojës, si dhe rishkrimi i rregullave të politikës, me qëllim që kundërshtarët gjithmonë të humbasin, siç ishte reforma territoriale, janë fakte që ilustrojnë, që ai i ka ndërmarrë këta hapa vetëm me një qëllim: kapjen totale të sistemit, që do të thotë eliminimin e demokracisë.

Së dyti, ai degjeneroi normat informale të sjelljes, që përmend Levitsky dhe Ziblatt, të cilët argumentojnë që demokracitë nuk varen vetëm nga respektimi marrëdhënieve formale kushtetuese, por edhe nga respektimi i disa kodeve informale.

Ndër kodet informale më të rëndësishme është trajtimi i opozitës si kundërshtar legjitim dhe jo si “armik jolegjitim”, ndaj së cilës mund të shfrysh vrer dhe mllef sikur të kesh përballë teje armiq dhe jo bashkëkombas. Opozita është mrekullia e demokracisë. Sulmi kundër Opozitës në fakt është sulm kundër vetë demokracisë. Respektimi “i tjetrit”, sidomos kur mendon ndryshe dhe është në Opozitë, është një nga normat bazë të demokracisë.

Tjetër kod që nuk duhet thyer kurrë është raporti me të vërtetën. E vërteta është plurale. Ti ke të drejtë ta thuash dhe ta mbrosh të vërtetën tënde, sa herë të duash dhe sa më mirë të mundesh, por asnjëherë nuk të lejohet të tallësh, fyesh ose përbuzësh të vërtetën e tjetrit, duke nxitur urrejtje dhe përçarje apo të nxisësh hapur dhe pa pikë droje dhunë dhe intolerancë.

Së treti, ai e rrënoi edhe më shumë besueshmërinë te demokracia si sistem. Për shumicën e shqiptarëve, në vitin 2013, Rama ishte shpresa e vetme për rikthimin e besimit te demokracia. Por ai dështoi në mënyrë spektakolare. Çdo ditë e më shumë shqiptarët po e humbin besimin tek demokracia , ndaj nuk ka më asnjë reagim nga shoqëria ndaj prirjeve të hapura autoritare të Ramës, që kulmuan në zgjedhje të papranueshme moniste në 30 Qershor.

Së katërti, përballë realitetit të ri të komunikimit, internetit dhe rrjeteve sociale, ai jo vetëm nuk u tregua fisnik dhe luajal për ta përdorur në funksion të shëndetit të demokracisë , por me djallëzi e ktheu këtë komunikim në funksion të propagandës dhe luftës kundër fjalës së lirë duke instaluar një aparat gjigand, i cili merret me përpunimin dhe administrimin e të dhënave që burojnë nga ky komunikim. Kjo gjë e ka përkeqësuar komunikimin demokratik, duke ndihmuar në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë.

Paradoksi tragjik i rrugës drejt totalitarizmit dhe autokracisë është që vrasësit e demokracisë, armiqtë e saj, përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, madje dhe legale për ta eliminuar dhe asgjësuar atë.

Ishte pikërisht ky rrezik, që e detyroi Opozitën të digjte mandatet dhe të vazhdonte aksionin opozitar në rrugë duke ia djegur në dorë z. Rama skenarin e instalimit të një regjimi të ri, të kamufluar si demokraci, me një opozitë fasadë, që shërbente për të legjitimuar regjimin.

Shumë njerëzve dhe faktorëve iu duk radikal vendimi që mori opozita dhe kjo ishte fare normale. Madje pati kritika nga faktori ndërkombëtar sidomos ai amerikan, por tani pas radiografisë së ashpër të përgjimeve dhe pas skanerit të imtësishëm, që i bëri sistemit raporti i OSBE/,ODHIR, të gjithë e kanë të qartë që djegja e mandateve ka qenë një veprim i i domosdoshëm, i diktuar nga kushtet dhe rrethanat e një demokracie të marrë peng dhe që gati po jep shpirt.

Pra, ishte pikërisht ky regjim që e detyroi Opozitën të ndërmerrte një akt të tillë ekstrem. Nëse Opozita do të vazhdonte të shërbente si fasadë e këtij regjimi, shprehja “Tik-Tak”, që po përdoret këto ditë të trazuara për të sinjalizuar fundin e kohës së Ramës, mund të kthehej në “tik-takun” e fundit për demokracinë.

Facebook Comments