◾◾◾

Jahja Drançolli, ligjërues në Katedrën e Historisë në Universitetin e Prishtinës, ka folur për “Zërin” për të vërtetën e dokumentuar historike të përhapjes së dogmave fetare ndër shqiptarë.

Sipas tij, edhe islami edhe krishterimi janë përhapur në vend duke u përdorur si instrument dhuna. Megjithatë, thotë se ka pasur edhe partizanë të pranimit vullnetar të religjionit islam, duke përfshirë bejlerët, spahinjtë e agallarët, që pas përqafimit të islamit shtuan pasurinë e tyre.

Pas një periudhe disavjeçare të shtypjes së shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit, Drançolli thotë se një formë rezistence ishte kthimi kah religjioni.

Vit i kthesës në “përqafimin” më të madh të fesë për kosovarët thotë se është ai i vitit 1999, kur organizata të ndryshme fetare erdhën në Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe ndikuan në emër të bamirësisë.

Drançolli thotë se gjitha burimet që flasin për Betejën e Kosovës janë tregimtare dhe jo të besueshme.

Ndërkaq, në dokumentet zyrtare të Dubrovnikut që kishte noteri dhe kancelari qysh nga viti 1278 përmenden vetëm malet e Kosovës në vitin 1411. Por, nuk përmendet Kosova apo Beteja e Kosovës, që pretendohet se ka ndodhur më 1389. Kështu, ai thotë se ka shumë dilema nëse ka ndodhur Beteja e Kosovës.

Zëri: Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999, shqiptarët filluan të identifikohen më shumë se zakonisht me religjionin. Cili është shpjegimi Juaj rreth kësaj?

Drançolli: Kjo datë mund të merret si datë simbolike. De facto është interesant që historianët i marrin nismat me disa data simbolike. Edhe kjo datë mund të merret si datë e kthesave edhe në aspektin religjioz. Megjithatë, rrënjët e kthesave në përqafim të religjionit janë diku dhjetë vjet më herët, nga viti 1989, kur Kosovës iu mor autonomia, kur Millosheviqi nisi me makinerinë e vet të ndërhynte në çdo pore të jetës shqiptare. Një ndër reaksionet e popullit shqiptar, përveç daljes prej institucioneve të dhunshme, një reagim evident ishte religjioni. Prej asaj kohe xhamitë në një formë mbusheshin dhe me rastin e faljes së bajrameve shfaqej edhe reagimi i popullit me rastin e festës ndaj regjimit të Millosheviqit.
Këto janë kthesat që janë bërë sa i përket përqafimit ose rikthimit të religjionit që pothuajse kishte humbur fare në kohën e komunizmit.

▪️Viti 1999, vit i rikthimit të religjionit në Kosovë

Zëri: A kanë dashur që me këtë shqiptarët të tregojnë bashkimin karshi një regjimi shumë të egër apo kanë qenë shumë të lidhur shpirtërisht me religjionin?

Drançolli: Si historian këtë e kuptoj si një formë të rezistencës. E vetmja mundësi në një pushtet të fuqishëm, që bluante në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe në një mënyrë faktori ndërkombëtar ishte gjysmë i shurdhër për situatën në Ballkan, kjo ishte formë, respektivisht mënyrë e rezistencës, duke iu kthyer religjionit të mirëfilltë, religjion ky që ishte bllokuar gjatë 50 vjetëve të komunizmit dhe gjatë Jugosllavisë mbretërore, në periudhën mes dy luftërave.

Viti 1999 ishte një vit i rikthimit të religjionit në popullatë, por këtu duhet të shohim disa faktorë që ndikuan në këtë dukuri. Për shembull, shoqatat e nduarnduarshme që kishin ardhur nga bota arabe dhe në anën tjetër shoqatat e vendeve të krishtera, qofshin ato evropiane ose amerikane, së pari stimulonin popullatën që ishte djegur dhe shkatërruar.

Dhe, më pastaj, përmes këtyre shoqatave, t’i quajmë bamirëse, popullata vendore e Kosovës është përpjekur t’i plotësonte ato nevoja, që ia kishte marrë lufta dhe periudha para luftës.

Zëri: A është i dobishëm ky përqafim i religjionit për shqiptarët?

Drançolli: Proceset historike janë procese që zgjasin më gjatë. Nuk janë si proceset natyrore. Këto kanë ardhur menjëherë dhe popullata nuk ka qenë e përgatitur sa duhet të absorbonte menjëherë rikthimin, për arsye se është dashur të kalojnë vite dhe natyrisht popullata të piqet me ndryshimet që janë bërë dhe janë duke u bërë. Këto janë bërë përnjëherë ndoshta edhe nga grupet e interesit. Instalimet janë bërë aty për aty, gjë që njerëzit janë keqkuptuar me ideologji të importuar edhe nga bota Perëndimore, si dhe nga ajo Lindore. Madje, ka edhe raste kur popullata është instrumentalizuar për qëllime dhe interesa të ndryshme. Në këtë dukuri janë përfshirë të gjitha religjionet, si: religjioni mysliman, katolik, protestant, ortodoks, hebraik e ndonjë tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një “invasion” të infiltrimit të religjioneve përmes shoqatave “bamirëse”. Nëse shohim historikisht popullata jonë pas një vakuumi 50-vjeçar të religjionit që ishte ndaluar, këto ndryshime kanë ndikuar edhe në keqkuptime dhe devijime jo për shkaqe të diversitetit religjioz, por për shkaqe të imponimit të disa formave religjioze jotradicionale për vendorët. Njeriu i zakonshëm i shoqëruar më shumë problem që i ka sjellë lufta e Kosovës nuk ka mundur të kuptonte dogmën religjioze të importuar dhe në këtë kontekst janë përvjedhur edhe rryma ekstreme fetare.

Zëri: Cilat janë rrënjët e vërteta të islamit në Ballkan? Si u përhap islami tek shqiptarët? Disa predikues fetarë islamë thonë se kjo është bërë me vullnet të plotë nga shqiptarët?

Drançolli: Në kontekst të devijimeve dhe ndoshta edhe abuzimeve me popullatën, që nuk ka pasur ndonjë parapërgatitje shkollore, nuk ka qenë vështirë të plasohen edhe elemente të panjohura që dalin nga Bibla, Kurani, Talmudi dhe ndonjë libër tjetër i shenjtë. Mirëpo në shkencën teologjike, por edhe në histori të religjioneve komparative dihet mirëfilli kur është përhapur krishterimi, kur është përhapur islami, cilët janë profetët, si Jezu Krishti, Muhamedi A. S., etj. Është e njohur se religjionet monotesite, si: krishterimi ashtu edhe islami në fillimet e veta nuk kanë preferuar dhunën. Madje, edhe mesazhet kryesore të religjioneve në fjalë janë të drejtuara kundër dhunës dhe pro mëshirës, faljes dhe paqes. Më vonë ballafaqimet e qytetërimeve kanë ndikuar që të përdoret edhe dhuna, madje edhe shumë e ashpër. Në këtë kontekst, kemi depërtimet islame në Evropë gjatë shek. VIII – IX; kryqëzatat evropiane në botën arabe gjatë shek. XI-XIII, etj. Kur është fjala për përhapjen e islamit te shqiptarët, burimet historike njohin kontaktet e para të arbërve me inkursionet arabe diku nga mesi i shekullit IX. Po ashtu, janë të njohur misionarët arabë në Ballkan, sidomos nga shekulli XI, pasi që bota arabe ishte fuqizuar tepër në aspektin shkencor dhe ushtarak dhe kërkonte toka të reja. Në këtë kuadër janë të njohura edhe kontaktet e botës arabe me arbrit mesjetarë. Por, në këtë kohë, ndonëse arabët ishin të pranishëm në aspektin misionarik, islami nuk ishte pothuajse fare i pranishëm në Gadishullin Ballkanik, ashtu siç pretendojnë sot të thonë disa studiues se islamin e kemi të pranishëm në Ballkan që nga koha e profetit Muhamed A. S. Me fjalë të tjera, islami në Ballkan është përhapur me ardhjen e osmanëve, aty-këtu nga fillimet e shekullit XV, por gjithnjë në aspektin misionaresk ose edhe administrativ, siç është rasti me “Trepçën”, kur në vitin 1399 ishte instaluar një administrues osman për ta mbikëqyrur shfrytëzimin e minerareve.

▪️Përhapja e islamit në Kosovë

Zëri: A ka të dhëna të sakta kur janë evidentuar shqiptarët e parë myslimanë në Kosovë?

Drançolli: Në vitin 1430-1431 kur bëhet regjistrimi në Arbëri, sipas “Defterit Arvanit”, defter ky i transkriptuar dhe i transliteruar nga historiani i madh turk, Halil Inalxhik, ai nuk ka ndeshur asnjë mysliman në Arbëri në këtë vit, përveç atyre që ishin instaluar nga Perandoria Osmane, qoftë si administrues, ushtarakë, zejtarë e ndonjë tjetër. Pra, vendorët nuk e kishin përqafuar islamin. E njëjta situatë ishte edhe në Kosovë. Në vitin 1455 nuk kemi mysliman vendor, por kemi ndonjë që i ka takuar klasës sunduese vendore dhe një numër jo të rëndësishëm, që kishin ardhur nga vende të ndryshme osmane.

Zëri: Si ndodhi pastaj përhapja e islamit në Kosovë?

Drançolli: Islami në fillim është shoqëruar me masa, që janë ndërmarrë nga pushteti osman, si: tatimet e llojllojshme, haraçi, haraçi në gjak, ndëshkimi i popullatës që kishte luftuar. Madje, shkatërroheshin edhe monumentet e kultit katolik si shenjë ndëshkimi për rezistencën e tyre ndaj inkursioneve osmane.

Zëri: A ishin shkatërruar edhe tek ne këto monumente?

Drançolli: Ishin shkatërruar monumentet e kultit katolik e jo ato të kultit ortodoks. Për arsye se ortodoksët nuk luftuan, nuk bënë rezistencë. Në rastin e pushtimit të Kontantinopojës (1453), një patriark ortodoks, i instaluar aty i quajtur Genadi, bëri marrëveshje, marrëveshje kjo që është respektuar për gjithë botën ortodokse. Krahas rezistencës është përdorur edhe dhuna e dyanshme, dhunë kjo e cila rangohet edhe si luftë fetare ndërmjet të krishterëve katolikë që mbronin atdheun dhe osmanëve myslimanë, të cilët mësynin pushtime të reja. Këtu, kishim një përplasje dhe përdorim të dhunës dhe njerëzit për t’i ikur sanksioneve të ndryshme, në fillim në masë jo të madhe, kishin përqafuar islamin. Por, asnjëherë në masë të madhe. Pas rënies së Tivarit dhe Ulqinit (1571), si dy qendra të mëdha katolike, si dhe pas ripërtëritjes së Patrikanës së Pejës (1557) Kosova shkëputet në aspektin e juridiksionit kishtar nga bota katolike, respektivisht nga Roma, pasi deri në atë kohë ishte nën juridiksionin e Arqipeshkvisë së Tivarit, e cila ishte e fundit që kishte rënë nën Perandorinë Osmane. Fati i shqiptarëve të Kosovës pastaj do të lidhej me Patrikanën e Pejës dhe filloi përqafimi i islamit që t’i iket asimilimit që ushtronte Patrikana e Pejës. Kështu, për mendimin tim, vitit 1571, respektivisht vitit 1557, janë vite të kthesave të përqafimit të islamit nga popullata shqiptare e Kosovës. Por, partizanë të parë të kthyer në islam pa dhunë ishin një pjesë e bujarisë, bejlerë, agallarë e spahi, që përmes ndërrimit të strukturës kishin ruajtur dhe shtuar ato pasuri. Kështu flasin të gjitha dokument ekzistuese të shoqëruara sidomos me defterë të kohës.

Përveç kësaj ka ndodhur edhe një trysni e paparë ekonomike, me taksa të llojllojshme të shoqëruara edhe me dhunë të paparë për kohën. Madje, ka raste kur osmanët për ta frikësuar masën kanë përdorur ndonjëherë edhe masa ekstreme, siç ishte “ngulitja në hu”. Shikuar në aspektin teorik, gjithnjë duke u mbështetur në burime të kohës, shumë studiues spikasin aspektin ekonomik, disa të tjerë spikasin dhunën, ka edhe të atillë që preferojnë se islami është përhapur me dëshirë.

Zëri: Cila është kryesorja?

Drançolli: Në historinë shqiptare preferohet më tepër aspekti ekonomik për t’i ikur dy ekstremeve të tjera. Kjo është një zgjedhje solomonike, por shkenca nuk i bindet politikës, por këmbëngul më shumë në argumente, të cilat dalin nga burimet kokëforta të kohës.

Zëri: A është e vërtetë kjo zgjedhje?

Drançolli: Jo nuk është e drejtë. Nuk mund të bëhet politikë me historinë. Nuk duhet të thuhet historia me improvizime, që dalin nga politika e ditës.

▪️Burimet për Betejën e Kosovës janë tregimtare dhe jozyrtare

Zëri: Jeni ndër historianët e parë që qysh në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, më 1989, e keni ngritur dilemën për ekzistimin e kësaj Beteje. Ndërkohë në shkrime tuaja të mëvonshme keni ngritur dilemën e asaj se a ka ekzistuar apo jo kjo Betejë. Por, nuk keni shprehur qëndrim të prerë për këtë. Por gjithsesi i keni përmendur edhe burimet ku është përmendur Beteja e Kosovës?

Drançolli: Edhe atëherë edhe sot hezitoj të them prerazi. Sepse, në shkencë nuk ka pikë. Ndoshta zbulohet një dokument që mund ta forcojë tezën e ekzistimit të Betejës. Burimet e deritashme që i kemi në dorë flasin se kjo Betejë nuk ka ekzistuar. Gjitha burimet që në një mënyrë aludojnë në ekzistimin e Betejës së Kosovës janë të natyrës tregimtare (narrative), nuk janë të natyrës zyrtare, përveç një burimi që ka dalë nga zyra e mbretit Tvrko i Bosnjës, që nuk ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës.

Është një korrespondencë me Firencën dhe aty kapen shumë studiues për validitetin e atij dokumenti. Edhe ai dokument duhet të studiohet mirë nëse aludohet në Betejën e Kosovës, pasi kjo Betejë në atë dokument nuk përmendet fare. Aty, Tvrko i Bosnjës thotë: “Unë fitova”. Tani, duhet të shikojmë nëse ai dokument ka korresponduar me fitoren në Betejën e Kosovës apo për atë në Bileçe apo Plloçnik të Bosnjës, ku përnjëmend kanë fituar boshnjakët ndaj Sulltan Muratit I.

Zëri: Po ditari i murgut rus Injacit, i shkruar siç thuhet 12 ditë pas Betejës së Kosovës?

Drançolli: Janë burime sekondare. Është ditar i një njeriu që mund të shohë ndonjë ëndërr. Dhe ne duhet t’i studiojmë ato kronika dhe anale. Nuk i kemi bërë kritikë shumë burimeve që bëjnë fjalë për Betejën e Kosovës. A janë ato dokumente të kohës. Apo janë riprodhime shumë të vonshme. Shumë studiues seriozë mendojnë se janë riprodhuar shumë kohë më vonë. Për shembull, janë humbur disa dokumente të rëndësishme, si: ai Patrikut të Pejës ose ndonjë burim tjetër origjinal dhe më vonë ato na dalin si riprodhime të shekullit XIX. Me fjalë të tjera, dokumentet në fjalë nuk janë nënshtruar kritikës së jashtme të dokumentit. A mund t’iu besojmë këtyre dokumenteve kur kemi dokumente origjinale zyrtare që ruhen në arkiva e që e heshtin këtë Betejë?!

Zëri: Mirë, cilat janë këto dokumente apo burime zyrtare që e heshtin këtë Betejë?

Drançolli: Këto janë burime të Dubrovnikut, që kishte noteri dhe kancelari qysh nga viti 1278. Instalimi i zyrave të Dubrovnikut në Kosovë nga viti 1332. Në Prizren ishte konsullata për gjithë Ballkanin. Më vonë dalin konsullata tjera, në Novobërdë dhe Prishtinë. Na dalin edhe në Pejë dhe Trepçë. Dhe të gjitha burimet zyrtare e heshtin këtë Betejë.

Zëri: A është studiuar mjaftueshëm në këto dokumente? A ka pasur ndonjë shkencëtar qasje të plotë në arkivat e Dubrovnikut?

Drançolli: Unë kam pasur fatin që disertacionin ta kem “Raguzanët në Kosovë nga fundi I shek. XIII deri në vitin 1455” dhe çdo germë që është shkruar për Kosovën nga këndvështrimi i Dubrovnikut e kam shfletuar. Nuk përmendet askund as Beteja e Kosovës e as Kosova. E kemi një Anonimus të vitit 1480 që flet që Beteja është zhvilluar në “Kosovo Polje”. Por, shikoni, ky burim flet 90 vjet më vonë dhe sipas mendimit tim flet për Betejën e dytë të Kosovës.

Si koncept gjeografik Kosova na del në një dokument të Dubrovnikut, të vitit 1405, ku përmenden malet e Kosovës, si “Boschii de Cossoua”. Për herë të parë në histori, Kosova si koncept gjeografik, jo politik, përmendet në këtë dokument të Dubrovnikut të vitit 1405. Pra, në vitin 1389 Kosova është inekzistente. Ekziston Novobërda si qytet, Prizreni, Trepça, regjioni i Dukagjinit, Dërshkova (Drenica). Pra, i kemi krahinat që kanë pasur emrat e vet, por asnjëherë nuk është përmendur Kosova. Dhe ajo përmendje e vitit 1405 duke aluduar vetëm në malet e Çiçavicës, kur një tregtar ishte nisur nga Prishtina për në Trepçë. Përmendet bile edhe njëfarë “un albergho“ aty, njëfarë bujtine dhe bëhet njëfarë përleshje, “A me pagu apo jo”, po abuzon me çmim, etj. Në këtë kontest përmendet edhe Kosova.

▪️Edhe krishterimi u përhap me dhunë?

Zëri: Profesor, do të doja të kem edhe një mendim tuajin për përhapjen e krishterimit në trojet e banuara me shqiptarë. E thatë se qysh është përhapur islami. Po, si ka ndodhur përhapja e krishterimit? Ishte kjo e vullnetshme apo edhe kjo ndodhi me dhunë?

Drançolli: Është fakt që religjioni i krishterë është më i hershëm. Këtu nuk ka sekrete. Në vitin 56 e kemi një sinjal të rëndësishëm kur krishterimi, Shën Pali, një njeri që nuk ka qenë i krishterë e as apostull, por që iu ka paraqitur një vizion, ka ardhur në Selanik, ka kaluar në Itali, Romë dhe kemi pasur fatin që ai të kalojë në trevat shqiptare.

Mirëpo është absurde se si flasin disa arkeologë dhe historianë kur thonë se monumentet e kultit janë të shekullit të parë dhe të dytë. Krishterimi ka qenë i ndaluar nën thundrën e Perandorisë Romake, nuk ka mundur të veprojë deri në vitin 313 asgjë. Gjitha këto tjerat janë spekulime, se në shekullin e dytë kemi këtë apo atë. Pra, para vitit 313 vetëm është liruar ndalesa kur edhe na dalin objektet e kultit. Dhe edhe krishterimi merr përmasa të mëdha. Kemi ne këtu Ipeshkvitë e mëdha, si Ipeshkvia e Ulpianës.

Kështu kontributi ynë në krishterim është tepër i madh. Por edhe aty është përdorur dhuna nga pushteti mbi të krishterët.

Zëri: Do të thotë shqiptarët nuk kanë pse të krenohen se ishin pjesëtarë të këtij apo atij religjioni sepse të dyja këto religjione ishin rezultat i dhunës?

Drançolli: Është një histori shumë e hidhur. Por është një absurd të thuhet që islami ishte më i hershëm se krishterimi. Dokumentet flasin se e kemi këtu krishterimin, i kemi përndjekjet, sakrificat dhe edhe në periudhën osmane i kemi këto përndjekje dhe sakrifica. Ata që njohin mirë kronologjinë nuk bien në gabime të tilla.

Facebook Comments