Nga Neritan SEJAMINI

◾◾◾

Më 11 shtator 2001 pashë nga afër e përjetova, nga njëra anë, tronditjen paralizuese të një krimi barbar dhe, nga ana tjetër, ngadhnjimin e njerëzve të lirë. Në orët e para pas sulmit, çdo gjë u paralizua, çdo gjë u mpi, çdo gjë ndaloi. Por pasdite shenja e parë e jetës, në mënyrë domethënëse njësoj si në fjalët e himnit amerikan, ishte flamuri amerikan që valëvitej: në çdo dritare, në çdo shtëpi, në çdo ndërtesë, në çdo makinë, në çdo rrugë e shesh amerikanët ngritën flamurin e tyre. Flamuri ishte shenja se Amerika nuk u mposht as nga ky sulm, siç nuk ishte mposhtur në Baltimorë shekuj mē parë.

Pas saj erdhi triumfi njerëzor, individual. Në orët dhe ditët e para pas sulmeve, sfida kryesore ishte mposhtja e frikës brenda vetes, për të mos e lënë atë të të paralizonte, të të mbyllte brenda. Ishte sfida për të gjetur menjëherë kurajon për t’i rikthyar jetës edhe pse kishte ende shumë pasiguri, për të udhëtuar sërish, fluturuar sërish, vizituar qendra tregtare dhe vende të tjera publike sërish. Më qëlloi të isha në fluturimin e parë që u nis nga aeroporit i Bostonit, pas hapjes së tij, dy ditë pas sulmeve. Nuk do i harroj kurrë fytyrat e atyre pak bashkëudhëtarëve që kishin vendosur të mos e anullonin fluturimin: në castet e para të gjithë ishin thellësisht të tronditur, të pafjalë, dyshues nga çdo kujt tjetër, ndaj çdo lëvizjeje jo normale në bord, ndaj çdo zhurme. Por dalëngadalë ndjenja njerëzore dhe besimi njerëzor i zunë vendin mosbesimit, ne filluam të flisnim me njëri-tjetrin për t’u ndarë në fund të udhëtimit në Çikago duke u përqafuar e njëri-tjetrin dhe personelin e avionit.

Në ditë të vështira duken kombet e mëdha. Amerikanët në ditët e para pas 11 shtatorit treguan se janë një komb i madh, si pak të tjerë mbi dhé.
🇺🇸🇺🇸🇺🇸

Facebook Comments