Nga Stefan ÇAPALIKU

◾◾◾

Me rastin e 87 vjetorit te zotni Nard Bushatit

Në krye të Rrugës së Murgeshave, fill djathtas, madje tamam te Kisha e Murgeshave asht një zotni që qeshë. Ky zotni që qeshë asht ende aty për ata që dinë me e kërkue. Madje asht një zotni që të mëson me qeshë. Edhe ata ma mërhumat, turickajt, turisëzt, mustaqellinjtë kishin me mësue me qeshë prej tij. E ky asht Zotni Nardi.
Sepse edhe në kohën ma të egër, ma të vorfën e ma të mbrapshtë, Shkodra, e rrahun prej gjakatarësh ideologjikë, dinte me thirrë “zotni” atë që kishte lindë Zotni e me thirrë “shok” atë që nuk mund të bahej kurre “zotni”.
Pa ju merzitë, due me rikujtue një “store” të vogël, që më bie ndër mend sa herë që më del para zotni Nardi.
Asht viti 1985, tre vite mbas vrasjes më bujë të Xhevdet Mustafës, një diversanti që hyn në Shqipni me i ba atentat Enver Hoxhës. Banda e Xhevdet Mustafës asht skupi medatik i kohës. Asht frika jonë dhe lavdia e sistemit komunist. Unë jam në vitin e parë fakultet e nuk di pse gjendem ato ditë në Shkodër. E tamam atëhere cohet e vjen një gazetar i Radio Tiranës, me emrin Xhevat Mustafa. Ky Xhevati, që ishte aso kohe i njohun i imi, më lutet me e shoqnue te Klubi i Rinisë se donte me ba një reportazh.
Hy unë i pari e Xhevati mbas meje:
-Zotni Nard! Ky shoku asht gazetar i Radio Tiranës. Quhet Xhevat Mustafa e ka ardhë me ba një reportah për ju – flas unë.
-E kush jeni ju?! – i drejtohet zotni Nardi Xhevatit, duke qeshë me za.
-Jam Xhevat Mustafa- i kthehet me seriozitet të naltë gazetari.
-Ti nuk je Xhevat Mustafa! Ti je Xhevdet Mustafa- ia pret befas zotni Nardi, duke i dhanë dorën e duke e tërheqë për t’i ba vend në njenin prej atyne poltronave të vobektë që mbante mbi dyshemen prej dërrase të zyrës së vet.
-Më falni, por unë quhem Xhevat.
-Xhevdet, Xhevdet, por hajt se po ta falim – vazhdonte zotni Nardi dhe e qeshuna e tij po shpërthente hatllat.
Atëhere me sa duket Xhevati, që e pa mirë që nuk mund të ngulte ma kambë në identitetin e vet dhe se nuk mund ta kryente misionin për të ciiin kishte ardhë, pranoi lehtësisht jo vetëm të ulej, por edhe të qeshte…
Sot që e mendoj këtë histori mbas tridhjetë e sa vjetsh, them me vete sa gjynah që drama e absurdit nuk ka lindë në Shkodër. E kemi jetue dhe nuk kemi ditë me e shkrue.
Të falemi nderës që ke qenë e që je ZOTNI NARD BUSHATI

Facebook Comments