Nga Rezart PRIFTI

◾◾◾

Është punë mendësie e gjitha kjo! Po sa e vështirë është tu shpjegosh njerëzve punën e mendësisë? Duke qenë se ne jemi mësuar përherë me premtime dhe me fjalë të mëdha, nëse nuk u bën temena me të tilla gjëra nuk të konsiderojnë. Mendësia është nga ato pak gjëra që janë për tu ndryshuar në këtë vend. Shpeshherë ndodhem përballë një pyetje e cila në fillim më intimidonte nga njerëzit. “Po të ishte ti çfarë do bëje?!” Për kontekstin shoqëror nuk është aspak e gabuar sepse njerëzit në përgjithësi nuk kanë kohë që të arsyetojnë më shumë ose në rastin më të keq nuk kanë aparatin përpunues teknik që ndonjëherë të bëjnë deduksione relativisht impenjuese intelektuale, si rrjedhim duan ta kuptojnë shpejt se si ndryshon ti duke i dhënë një shembull sa më të prekshëm.

Unë e di që ti lexues i im i dashur nuk je kështu… Megjithatë mos u mërzit…

Sikur të mos e nis analizën shumë larg, por qëllimisht po e bëj nga koha e qoftëlargut mërhum sepse në këtë formë i bie të vras si rrallëherë tre zogj me një plumçe. Vetë qoftëlargët kur erdhën në pushtet në fillim të 1940, përpos imoralitetit, mungesës së kodit të vlerave të brendshëme, gjakatarizmit, etj të tilla, mblodhën rreth vetes lloje e soje injoranti, të frustruarish socialisht dhe seksualisht, batakçinjsh, hajdutë perimesh, matrapazë të kësi soji ose si njihet në ditët e sotme e në kohët e Shqipërisë moderne “aleanca e qelbësirave”.

Në fillim, në ato vite kur erdhën ata u ranë qytetarëve sepse ndiheshin të intimiduar nga qytetaria, u ranë aristokratëve sepse ishin si kujtesë për impotencën e tyre intelektuale, u ranë atyre që kishin shkollë sepse nuk i shikonin dot, i ranë klerit fetar se nuk e honepsnin dot urtësinë, u ranë të pasurve sepse shterpësia ishte e brendshme e tyre, i ranë simbolit të gruas sepse ata edhe gruan e deshën si burrë. Që të mos zgjatem kjo punë vazhdoi për 50 vjet pa rreshtur që nga dita kur barbarët u grabitën Korçarëve dhe Shkodranëve çentrot e tavolinës të punuara me dorë, floririn dhe objektet e artit, deri te dita që të pashpirtët prishën institucionet e kultit dhe vranë individin. Gjatë gjithë këtij pesë dekadëshi ata folën në emër të popullit. Ka fjalë më të madhe se në emër të popullit?! Unë jam rritur në një mënyrë që fjala në emër të popullit më ngjeth mishin… sepse ai që e përdor nuk është vetëm debil se nuk di ç’thotë, i papërgjegjshëm që flet në emër të dynjasë, por dhe kriminel që u heq lirinë të tjerëve… Pra për pesë dekada u fol me fjalë të mëdha, u ngritën vepra të mëdha dhe burgje e atrocitete akoma e më të mëdha.

Në tre dekada pluralizëm (lexo Bordell) pati ndryshim specimenësh por jo ndryshim kulture dhe mendësie. Jacques Attali ka një interpretim tjetër në raste të tilla ku mosndryshimi vjen nga nevoja që ka një shoqëri që nuk ka prodhuar gjë autentike dhe si rrjedhim lind dhe nevoja për autoritarizëm (shumë shkurt dhe trashë ky shpjegim).

Këta qelbësira u zgjeruan, sepse nëse në të shkuarën ishte vetëm një, tanimë janë dy palë por të njëjta në sojin e vet. Pra “aleanca e qelbësirave moderne” krijoi një ekosistem si një Makondo unike, nuk ndryshonin por thjeshtë iknin e vinin qelbësira me të njëjtën mendësi si xhonturqit, vetëm se këta i vinin haraç vedit, ose të tyrit. Për tre dekada me radhë e deri më sot ndodh po e njëjta gjë. Këta flasin në emër të popullit, vrasin intelektualin, plaçkisin të pasurit, përçundojnë individin, shkalafitin femrën, shesin atdheun dhe lërojnë mëmëdheun. Nëse dikur fjalë e madhe ishte hidrocentral i popullit, uzina e popullit, metalurgjiku i popullit, kombinati i popullit, sot jane PPP, koncension, aftostradë, 100 mln euro në bujqësi, dhe të gjitha në emër të popullit për popullin.

Mund të dukem qesharak por a më beson kur të them që ky është shtet kriminel dhe gjithë kjo vjen nga mendësia? Ja përshembull një i ri vrau në Bulqizë një të ri tjetër për çështje të zakonshme strategjike të tipit pse më shikon. Shteti e priti sa vrau dhe ndërhyri për ta futur në burg. Një shembull tjetër, shteti para pak doli në aksion dhe arrestoi biznesmen për faje të dyshuara si evazion fiskal. Pra shteti ndërhyri prap në fund.

Me ketë lloj mendësie janë dy gjëra. Këta shtetarë kanë 30 + 50 vjet që dallojnë vetëm krimin si fenomen dhe asgjë tjetër. Nuk e njohin arsyetimin, diagnostifikimin se pse ka vajtur këtu kjo punë. Por jo, njohin vetëm krimin kur bëhet, i çfarëdo lloji qoftë ky: vrasje, përdhunim, vjedhje, etj. E dyta, e ke venë re që gjithë dynjaja ndëshkohet për çdo lloj gjëje por shteti asnjëherë nuk e gjykon veten? Shteti, ky krimineli më i madh, përdhunuesi më i madh e grabitësi më i madh, asnjëherë nuk gjykohet për çdo gjë që ndodh. Biznesi ka faj, shteti që është korruptuar jo, krimineli ka faj ndërsa ai i shtetit i korruptuar jo, Mihali ka faj, ata që janë korruptuar nga Mihali jo, unë kam faj, doktori që merr lek ka faj, shteti që e trajton si palaco jo, pedagogu që bën tre punë ka faj, shteti që e trajton si Luli i Vocërr jo.

Ore e ke vënë re që ky shtet nuk ka asnjëherë faj? Ore e ke vënë re që ky që drejton shtetin ka ngel pa punë e vetëm humor bën? Ore e ke vënë re që nuk i kërcet trapi? Ore e ke vënë re që edhe opozita kujton se është shtet? Ore e ke vënë re që janë të gjithë njësoj? Ore e ke vënë re që ka njerëz me mendësi tjetër? Ore e ke vënë re apo jo?

Si përfundim, e di si i përgjigjem pyetjes se çdo bëja po të isha unë? Tani më ndryshe jo si në fillim, i them ç’është mendësia, i them që kam mendësi tjetër…- e shikoj që më veshtron por nuk më shikon. Pastaj i them: Jam i lirë, do bëja atë që do bënte një njeri i lirë! Po ti je i lirë?

Facebook Comments