Nga Ilir KADIA

◾◾◾

Kampioni është Arjan Koçi, gazetari BBC. S’ ka pak ditë që ka bërë me not ngushticën e Dardaneleve në Çanakala!
E ka bërë edhe Lord Bajroni, i them. Po e ka bërë kur ishte 22 vjeç por unë jam 52 vjeç dhe e bëra më shpejt se ai! Pesë minuta më shpejt! -thotë dhe qesh.
E po ja more dorën ngushticave qëkur i re liqenit të Kukësit nga njëra anë në tjetrën me not! -i them.
E bëra dy vjet rresht por nuk ngjizi! Desha të krijoja traditë për rininë kuksiane kudo të jetë, për ta bërë atë sfidë, por s’ di pse ngeci! -thotë prap Arjani që në anën tjetër të liqenit të Fierzës ka shtëpinë e babait. Ku ta dijë Arjani se eshkën në Shqipëri ka vite që e lag politika e ajo varet si ta merr iniciativën kaq qytetare.
Me Arjanin kemi punuar 18 vjet për seksionin shqiptar të BBC. I martuar me angleze që i vjen çdo vit në Shqipëri edhe pesë ditë leje të ketë! Se nderon babain e dy fëmijve të saj, Arjanin. Tani vazhdon gazetarin e BBC në dhomën e lajmeve bashkë me Genc Lamanin, Diana e Paulin Kolën, Albana Kasapin…! Kujtojmë me mall të gjithë miqtë e vjetër në Tiranë, Prishtinë, Londër, Athinë, Shkup… emër për emër! Kemi mall, shumë mall!
E qerasa me ujë të ftohtë dhe mollë! Nuk desh raki! Kampionët nuk pinë raki!
Ishte e vështirë sfida në Dardanele., e pyes.
Shumë e vështirë! Kishte rryma të forta dhe të ftohta shumë! -thotë ai duke vënë buzën në gaz sërish.
Jo më të ftohta e më të forta se rrymat e Tiranës, i them. Në çast të parë ai shikon me habi pastaj qesh se e merr vesh për çfarë rrymash e kam fjalën! Për rrymat që në 30 vjet e pakësuan numrin e banorëve të vendit me një milion banorë! E s’dihet sa më poshtë do e ulin!

Facebook Comments