Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Mbajti fjalim në parlamentin çmendinë të humorit dhe psikiatrisë ku deklaroi se u mbrojt “demokracia liberale” dhe se djegia e mandateve nuk e pengoi punën e parlamentit, pasi “Opozita e Re” ka thirrur dy interpelanca më shumë se e vjetra.
Është e trishtueshme për një komb kur parlamentin e tij e drejton dikush i cili nuk e njeh parlamentarizmin dhe nuk e do parlamentarizmin; nuk e respekton dhe nuk e sheh parlamentarizmin si domosdoshmëri. Prandaj përfundon duke shqiptuar fraza banale të cilat tenton t’i bëjë më pak banale përmes përmendjes së “Magna Charta”. Parlament në Shqipëri, nuk ka.

Se parlamentarizëm ska pasur ndonjëherë. Parlamenti së pari është kushtetues dhe besnik i Kushtetutës.
Po u përdor parlamenti si turme kravatash që ngrenë dorën për të asgjësuar ligje e institucione, ska parlamentarizëm.
E dyta, si parlament ka nevojë për vullnet të përfaqësuar.
Gjysma e vullnetit të popullit ka bojkotuar. Partitë që janë votuar kanë bojkotuar, individët që janë votuar kanë bojkotuar.
S’ka vullnet të përfaqësuar, nuk është parlament.
Parlamenti konstituohet me zgjedhje.
Kur gjysma e parlamentit dalin në përgjime duke shkatërruar zgjedhjet, ai parlament shpërndahet.
Mirëpo Ruçi e Rama nuk e shohin skandalin si detyrim për të mbajtur përgjegjësi por si detyrim për të rezistuar e për tu fortifikuar kundër një armiku.
Dhe armiku është vetë skandali i tyre.
Meqë kryetari i parlamentit Ruçi dhe kryetari i Ruçit Rama, na flasin për demokraci liberale, atyre u duhet kujtuar se parlamenti konsiderohet si hapsirë e opozitës për të folur e për të kontrolluar, ngaqë mazhoranca ka institucionet dhe flet me akte e me vendime.
Pra parlamenti është i opozitës dhe për opozitën.
Mirëpo Ruçi e Rama nuk e shohin parlamentin si të opozitës dhe për opozitën, ata e shohin si sallë përmes të cilës të maskojnë diktaturën dhe totalitarizmin, tu thonë shqiptarëve dhe të huajve, se sjemi aq diktaturë, shikoni, kemi edhe parlament.
Ky parlament nuk është më parlament dhe meqë kanë marrë përsipër të përmendin demokracinë liberale si etiketë për tu legjitimuar, le të thellohen dhe do të shikojnë se etika e demokracisë liberale e kërkon që ky parlament të shpërndahet dhe të shkojë në zgjedhje.

Facebook Comments