Nga Francesco GIUIBILEI

◾◾◾

Babai i fisshëm i politikës shqiptare, Sali Berisha, President i Republikës nga viti 1992-1997 dhe Kryeministër nga 2005 deri në 2013-ën, na mirëpret në zyrën e tij në një ndërtesë të lartë prej xhami, të ndërtuar së fundmi në qendër të Tiranës. Në të njëjtën ndërtesë, dy kate janë zënë nga delegacioni i Bashkimit Europian. Nga zyra e tij mund të admirohet lehtësisht panorama e qytetit që po ndryshon vitet e fundit, me rrokaqiejve të rinj dhe apartamenteve luksoze. Vetëm disa metra larg ndërtesës në të cilën gjendemi, qendron stadiumi i ri i lidhur me një rrokaqiell me zyra dhe apartamente ekskluzive.

Dekori klasik i zyrës së Berishës bie ndesh me modernitetin e ndërtesës. Pas tryezës së tij- ku së bashku me një grumbull letrash dhe dokumentesh është një libër nga Seneca-pikaset edhe një flamur i Shqipërisë dhe i NATO-s. Falë Berishës, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s dhe atij iu dha një rol qendror në procesin e pavarësisë së Kosovës. Dhe, kontributi i tij përmendet këndshëm në një relike që mbart të vijëzuar kufijtë kosovarë e që është pozicionuar mjaft mirë në bibliotekë.

Çfarë mendoni për vendimin e kryeministrit Edi Rama për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, pavarësisht se dekreti i Presidentit Ilir Meta konsistonte në shtyrjen e tyre në muajin tetor?

Zgjedhja e Presidentit Ilir Meta bazohet në Kushtetutë dhe është një vendim i marrë në të kaluarën nga parardhësit e tij në pesë raste të tjera. Për herë të parë, Kryeministri ka hedhur poshtë dekretin, dhe ky mund të quhet ‘një grusht shteti i vërtetë’.

Një grusht shteti? Është një deklaratë shumë e rëndë…

Kështu është! Ai mbajti zgjedhje kundër ligjit dhe kushtetutës, duke krijuar kaos dhe duke ushqyer një klimë konfrontimi që ekzistonte. Zgjedhjet u mbajtën në qershor me një ngjyrë të vetme dhe sipas Konventës për të Drejtat e Njeriut, nuk mund të cilësohen aspak si demokratike. Në 57% të bashkive, u prezantua vetëm një kandidat nga Partia Socialiste e Ramës, duke shënuar kështu një shkelje të rëndë të të drejtave ndërkombëtare. Shqipëria është shndërruar në një vend diktatorial që bazohet në trafikun e drogës; është me të vërtetë një narko-shtet.

Këto janë akuza të një shkalle të lartë…

Që nga viti 2016, Shqipëria është kultivuar e tëra në Kanabis. Shumë sipërmarrës të paguar nga trafikantë kanë mbyllur bizneset e tyre për të liruar tokën e për t’i lënë terren krimit të organizuar, dhe punëtorët e tyre kanë filluar të punojnë në plantacione të mbrojtura nga roje të armatosura.

Padyshim që është një situatë shqetësuese, por çfarë lidhje ka politika me gjithë këtë?

Nomenklatura e Partisë Socialiste, të cilën unë e përkufizoj si “Parti Kanabiste”, administron dhe qeveris territoret individuale dhe në vend që të monitorojë dhe të luftojë ilegalitetin, nuk bën asgjë. Në Shqipëri lind çdo vit një fond prej miliarda dollarësh, për të ricikluar paratë e drogës, kjo edhe falë një bashkëpunimi shumë të ngushtë me kartelet e Amerikës së Jugut. Janë tonelata droge të eksportuara në Itali dhe Evropë, mendoni thjesht se si për antimafian italiane trafiku i heroinës është pothuajse ekskluzivitet i mafias shqiptare. Një narko-shtet nuk mund të krijohet pa bashkëpunimin e politikës.

Në çfarë mënyre ka ardhur ky lloj bashkëpunimi që po përmendni?

Do t’ju jap disa shembuj. Qeveria ime kishte realizuar një masë për të ndaluar kontrabandistët nga Shqipëria në Itali, duke ndaluar lundrimin me varkat e tyre në detin Adriatik. Kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, e la dekretin e moratoriumit të skadonte, pa e përtërirë atë. Një nga rastet më të habitshme është ai i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama deri në vitin 2017. Emri i tij doli gjatë hetimeve të Guardia di Finanza, pasi u arrestuan gjatë një operacioni një grup trafikantësh shqiptarë, përfshirë kushëririn e tij Moisi Habilaj. Parlamenti ndaloi urdhërin e prokurorisë, duke mos lejuar arrestimin, ndërkohë Tahiri jep në atë kohë dorëheqjen si ministër. Fatmir Xhafaj, vëllai i Agron Xhafajt, i dënuar në Itali për trafik droge për shtatë vjet, zë vendin e tij dhe për shkak të një skandali të ri, edhe ky ministër detyrohet të japë dorëheqjen, duke i lënë kështu rrugën ish-gjeneralit Sandër Lleshaj.

A nuk rrezikojnë këto skandale kompromentimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Pa dyshim që po! Por, Bashkimi Evropian nuk përjashtohet nga gabimet. Në raportin evropian të vitit 2016 për Shqipërinë, nuk u përmend asnjë nevojë urgjente për të luftuar drogën. Dukej si të ish shkruar në zyrën e Kryeministrit. Për më tepër, ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ishte implikuar në një skandal për blerjen e vendbanimit të saj zyrtar në rezidencën luksoze Rolling Hills. Vila e saj kushtoi 1.6 milionë euro, 4.700 euro për metër katror, ndërkohë që çmimet e tregut luhaten midis 1000 dhe 2000 euro për metër katro. Kjo ishte një blerje e dyshimtë që solli një hetim të brendshëm të Komitetit të Kontrollit të Buxhetit në BE.

Në çfarë pike janë negociatat për anëtarësim, në këto momente që po flasim?

Çdo vit që kalon, Shqipëria largohet nga hyrja në Bashkimin Evropian. Kushtet e përcaktuara për anëtarësim nuk janë respektuar pothuajse asnjëherë. E vërteta është se Rama nuk ka asnjë interes që Shqipëria të anëtarësohet në BE, sepse është i vetëdijshëm se nëse kjo gjë ndodh sistemi që ka ndërtuar do të dështojë dhe fuqia e tij do të vendoset në rrezik.

Çfarë mendoni për politikat e imigracionit të zbatuara nga Salvini në Itali?

Projekti për të destabilizuar shoqërinë evropiane përmes imigracionit është i papranueshëm. Emigracioni i organizuar nga vendet më të varfëra është një krim kryesisht ndaj njerëzve që përdoren për qëllime politike. Ne duhet t’i ndalojmë kontrabandistët për të shmangur në të ardhmen atë çka ndodhi vite më parë në kanalin e Otrantos. Në të njëjtën kohë është e nevojshme që organizata si “Shoqëria e Hapur e Soros” të mos ndërhyjnë duke u përpjekur të ndikojnë në politikat shtetërore. Unë nuk e njoh Salvinin personalisht. Politikani italian me të cilin kam kontaktuar në çdo rast është miku im Silvio Berlusconi.

© Ilgiornale.it

Facebook Comments