Prof. Dr. Hektor PEÇI

◾◾◾

Historia e Lazaratit është e lashtë. Ajo fillon që me periudhën Iliro-Romake. Pozicioni gjeografik i këtij fshati, vendosur në një pllajë kodrinore-shkëmbore në rrëzë të Malit të Gjerë, kufizuar nga veriu me Gjirokastrën, në jug me krahinën e minoritetit grek dhe poshtë me autostradën, i jep disa veçori Lazaratit. Është vendi me 12 orë diell në ditë e 12 muaj në vit. Si vendas të patundur, lazaratasit kanë krijuar fshatin më të madh të Jugut e ndoshta më i madhi në Shqipëri. Në vitin 1945 ishin 200 shtëpi me 1200 banorë e aktualisht janë 750 shtëpi me 4000 banorë (74 banorë për km2). Përmenden si më të preferuarit për produktet blegtorale, në kufi me minoritetin grek njihen si banorë me tolerancë fetare, që duan të jetojnë në miqësi, vëllazëri e në marrëdhënie korrekte e të mira reciproke. Historikisht virtutet e tyre u kanë shërbyer vlerave e qëndrimeve kombëtare. Është absurde të dëgjosh, se pozicioni gjeografik i Lazaratit ka shpëtuar Gjirokastrën nga helenizimi dhe të folurit greqisht!

Fshati është me tokë bujqësore të pakët. Banorëve lazaratas u takon 1.5 dynymë për frymë, kur mesatarja e rrethit është 3 dynym. Por megjithë këtë, 79% e lazaratasve janë të punësuar në bujqësi (në bazë rrethi 56%). Popullsia lazaratase me moshë mesatare 71.4 vjeç , 3065 frymë i ka në moshë pune dhe nga këta vetëm 79 vetë janë punësuar në shtet. Prosperiteti në fshat thuajse u takon të gjithëve. Vetëm 3.2% e familjeve të Lazaratit janë me ndihmë ekonomike ( mesatarja e rrethit është 12%). Në fshat 67% e familjeve janë me makina, shtëpitë me ujë brenda e me komoditete jetese të admirueshme. Komuna, nga tatimet e taksat vendore siguron 5 milionë lekë të reja në vit. Për zhvillimin ekonomik e mirëqenien nëpërmjet një pune të lodhshme e të ndershme në Lazarat, ka kontribuar mbarështrimi i blegtorisë. Lazaratasit kanë qenë e janë blegtorë potencialë Në regjimin e Zogut tufat (kopetë) e Lazaratit numëronin 16.000 krerë bagëti të imta (kryesisht dele). Prodhimet e tyre ishin të preferuara në Gjirokastër, Shqipëri e më tej.

Në vitet ’50, pas çlirimit, një nga reformat drastike të sistemit, shoqërorizimi i blegtorisë private dhe krijimi i ndërmarrjeve ( brigadave blegtorale shtetërore), ashtu si në gjithë Shqipërinë e dëmtoi rëndë edhe ekonominë lazaratase. Në këtë reformë, për të cilën jam dëshmitar okular e pjesëmarrës për shkak të detyrës, blegtorët me qindra e mijra kokë dele kishin të drejtë të “zgjidhnin” 150 krerë. Të tjerat shoqërorizoheshin. Në këtë katastrofë edhe blegtorët lazaratasit bënë si gjithë të tjerët, ashtu siç tha partia. Fatet e “brigadave blegtorale shtetërore” dihen: Degradim në vazhdimësi i blegtorisë shqiptare, gjer në fundin e tyre me “tufëzat e Ramiz Alisë”. Ekonomia kombëtare humbi rreth 5 milionë kokë dele. Është dëshpërimi më i madh i jetës time, të cilin do ta marr me vete.

Në kooperativën bujqësore, lazaratasit hynë me 5000 kokë dele; 800 dhi; 700 lopë dhe 175 qe pune dhe dolën prej saj me një pasuri të përafërt. Oborrizimi ishte goditja kulminante për të gjithë fshatarësinë. Çerdhet e fëmijëve prisnin qumësht e vezë nga qyteti që s’kishte për vete. Mirëqënia lazaratase e dikurshme u harrua. Për të siguruar mbijetesën shumë lazaratas erdhën në Zagori dhe ngritën çadrat në rrëzat e maleve Bisej edhe Dhëmbel për të mbledhur bimë medicinale. Me këtë pasuri natyrore mundoheshin të mbijetonin edhe zagoritët, por hallexhinjtë u mirëpritën dhe së bashku nxirrnin bukën e gojës. Edhe Lazarati ka treguar herë pas here mikëpritësinë e tij. Në Lazarat gjetën strehë çamët e përzenë nga Greqia, atje u strehuan 1500 kosovarë në ditët e emigrimit të tyre. Mirësinë zagorite ata nuk e harrojnë.

Historia, nga Ali Pasha te partizanët

Lazaratasit kanë qenë miq e luftëtarë të Ali Pashë Tepelenës. Për mbrojtjen e Janinës nga turqit mori pjesë edhe një çetë lazaratase me në krye trimin Daut Dervishi. Ajo luftoi me trimëri, fitoret e saj janë shënuar në histori. Çeta lazaratase u kthye duke lënë 7 të rënë në fushën e betejës. Në mbretërinë e Zogut, kur u bë goditja ndaj fanolistëve, u vu në shënjestër edhe doktor Omer Nishani. Lazaratasit e morën në mbrojtje deri sa kaloi kufirin me Greqinë. Në Vlorë midis pritësve të ngritjes të flamurit ishin edhe 12 lazaratas. Shkolla e parë shqipe u hap më 1908. Në luftën për çlirimin e atdheut nga nazifashistët lazaratasit, si edhe disa krahina të tjera, patën prirje të ishin me Ballin. Ndërkaq 70 lazaratas dollën partizanë; 6 prej të cilëve janë dëshmorë të kombit. Ndër këta edhe kryetrimi Mustafa Gjollesha, emri i të cilit nderohet në rrugën më kryesore të kryeqytetit. Në këtë luftë regjistrohet një moment historik për lazaratasit. Në luftime, rreth 20 partizanë u bënë viktima të rënies rob në duart e ballistëve. Urdhëri ishte të pushkatoheshin në Lazarat. Por burrat lazaratas, pavarësisht bindjeve dhe angazhimit politik me Ballin, mendjen dhe karakterin i kishin në vend. Ata nuk pranuan një turp të tillë për fshatin dhe partizanët, me gjithë armët e tyre, u lanë të lirë të ktheheshin në njësitë partizane.

Facebook Comments