Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Jo pse kritikon, se nuk jemi në kohën e lavdishme të shokut Enver ku nuk lejohet kritika kundrejt kryetarit dhe kushdo që kritikon është armik i partisë e i popullit. Smund ta mbartë ketë botëkuptim partia e demokratëve dhe kushdo që e çon nëpërmend në ndonjë moment, duhet të frenohet, të mendojë dhe të bindet që nuk i ka hije një demokrati trajtimi i kritikës si armiqësi. Kritika, mendimi alternativ dhe debati janë themel ku duhet mbështetur partia, sikundër besnikëria ndaj statutit dhe vendimeve të anëtarësisë, Kuvendit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe Kryetarit janë gjithashtu themel ku mbështetet partia.
Problemi krijohet kur kritika është foshnjore, mllefore dhe rrugaçërore, aq më keq e ndikuar. Qysh se e kam ndjekur ketë Murrizin në prononcimet e tij jam irrituar prej faktit që në PD dhe deputet i PD është një personazh i tillë që shan me fjalë të ndyra nëpër statuse cilindo që e mendon kundërshtar. Nivel shumë acarues dhe abuzues. Shante policin në postobllok, shante gazetarët, shante edhe figura të PD. Tashti i kishte kushtuar status vetë Lulzim Bashës. Po me fjalë të ndyra taman siç di ai. Unë sdua të dal avokat se as më ka caktuar kush avokat e as avokati falas nuk ushtroj. Mirëpo ky është rast për tu studiuar e smunda t’i rezistoj tundimit. Është irritues fakti që PD u ka dhënë mandate deputeti të tillë personazheve. Del sot e i thotë Lulzim Bashës je kështu e ashtu por, katër vitet që shkuan ishte mbështetës i Lulzim Bashës dhe klithte që partia duhet spastruar nga njerëzit e 2005-2013, duke u gënjyer nga iluzioni e duke mendur se ky kryetar ka ardhur për ta shembur partinë dhe për të krijuar një parti të re me ketë dhe shokët e këtij (kur u kuptua se nuk është kështu, na doli lider i keq). Jo se nuk ka maskarenj të 2005-2013 që sduhen lejuar as në oborr të selisë, mirëpo kjo 2005-2013 ka gjithashtu njerëz korrektë, profesionistë të mirë, njerëz me talent politik dhe administratorë që kanë punuar për të ndryshuar Shqipërinë siç realisht u ndryshua. U arritën rrugë, ujësjellës-kanalizime, u mbështetën projekte për shtimin e pasurisë së vendit, u ndërtuan vepra energjitike si Ashta e Statcraft, iu rrit prestigji Shqipërisë duke u avancuar elementet e civilizimit. Se këto quhen elemente civilizimi, kush i ka këto quhet vend i civilizuar. E kush e mundësoi ketë? Këta zyrtarë e këta politikanë të 2005-2013. Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Ridvan Bode, Bujar Nishani etj. pra qeveria dhe administrata e qeverisë deri në nivel specialisti, se nuk e realizuan alienët, as “i erdhi koha” se koha është edhe sot për vepra të mëdha por, nuk janë njerëzit. Ndaj spastrimi i 2005-2013 nuk mund të jetë filozofi e as aspiratë vetëmpse ka maskarenj që u shfaqën asokohe dhe, ka maskarenj të tjerë të shfaqur pas asaj kohe që duan spastrim me qëllim promovimin e vetes. Partia Demokratike në 2005-2013 ka rekorde qeverisëse që asnjë qeveri në historinë e shtetit nuk i ka. Ajo periudhë duhet mbrojtur si monument i qeverisjes, jo të përbaltet. E para. E dyta, personalisht do më kishte ardhur turp që të bashkëpunoj me dikë katër vite, pastaj të dal e të them ky është njeriu më kot, njeriu më i keq e kështu apo ashtu. Ndodh që të ndahen rrugët me bashkëpunëtorët në një moment, shkëputesh, sepse kështu i ka ligjësitë kjo fushë. Mirëpo del thua o zotnij unë zgjodha mes opsioneve që kisha mbi tavolinë, politika është me opsione dhe ndodh që nuk i ke në tavolinë opsionet që ti dëshiron, kështu që duhet të zgjedhësh ato që janë, nëse ske fuqi për të krijuar opsion të ri realpolitik. Thua nuk eci më ky opsion dhe kaq. Thua respektoj bashkëpunëtorët për kohën dhe punën e përbashkët por sot kam një tjetër projekt. Nëse del dhe derdh llavën e mllefit kundër ish-bashkëpunëtorit, del e bëhesh si ato gratë që kur i provokon ndokush për shaka shprazin arsenalin e sharjeve, njerëzit kanë të drejtë të të thonë; po a tashti u kujtove të na e thuash, kur u idhnove ti me të u bë kaq i lig ai? Njeriu i cili sillet kësisoji është karakter i dobët. Kritika ndërtohet mbi parim, jo sa është me ty e të mbështet ty kryetari, ti hesht. Sapo të prishet ty furriku ngaqë veprimi i kryetarit nuk përputhet me projektin tënd për çeljen e vezëve, ti del e kakaris arave kundër tij. Mund të ketë të drejtë tjetri edhe pse nuk përputhet me planet e tua, sikundër mund të kesh ti të drejtë në kritikën tënde. Ndaj më mirë të caktohen njerëz me karakter e më pak konjukturalë, sesa të caktohen njerëz konjukturalë por pa karakter. Se për tu stërvitur, njeriu stërvitet e mëson, ndërsa mungesa e karakterit nuk përftohet rrugës. Si përfundim e kam merak ta sqaroj se nuk ia dedikoj ekskulzivisht Murrizit ketë shkrim, por meqenëse në kërkim shkencor ka arsyetim me analogji dhe arsyetim me deduksion, ku merr rastin dhe shkon gjen ligjin dhe, anasjelltas, merr ligjin dhe shkon gjen rastin, mora rastin Murrizi për të shpërfaqur një vijëzim të kritikës në hartën e mardhënieve politike, sipas gjykimit tim. Përderisa jemi në sistemin ku kryetarët caktojnë emra, kryetarët kanë detyrë t’i ofrojnë shoqërisë shqiptare sa më shumë emra të pranueshëm, me karakter, etikë dhe qytetarë. Gjithsesi duhet të besojmë edhe tek përvoja dhe duhet të besojmë se lista e rradhës do jetë shumë më cilësore dhe, pa dyshim, fituese.

Facebook Comments