Nga Dr. Gjon BORIÇI

◾◾◾

I▪️Në vend të hyrjes – Marksizmi vs. Krishtërimit

Debati i madh qё ёshtё zhvilluar pёrgjatё dy shekujve tё fundit pas lindjes sё teorisë marksiste dhe Krishtërimit, padyshim qё do tё linte gjurmët e veta nё pёrplasje tё ashpёr politike ndёr vendet ku ideali komunist i frymëzuar nga mësimet e Marksit do tё persekutonte shoqёritё e vendeve me sistem njё partiak komunist. Nё Evropёn e shekullit tё XIX, pas pёrfundimit tё Kongresit tё Vjenёs dhe tё vendosjes sё sistemit tё ri nё marrёdhёniet ndёrkombёtare qё i dha fund luftёrave tё Revolucionit Francez, nё kontinentin e vjetёr filluan tё lulёzonin njё larmi idesh radikale, republikane dhe socialiste. Vitet 1830-1840, ishin vite tё frymёzimeve politike dhe ambicioze duke patur si shembull Frederikun e Madh, idetё jakobine, mendimet e Kantit dhe Fihtes dhe inovacionin e epokёs sё re. Mendimi politik i Marksit u formёsua pikёrisht nё kёtё epokё. Trashёgimia racionale ishte veçanёrisht e rёndёsishme pёr tё ndarё identitetin nga ajo çka u bё e njohur nё vitet 1830-1840 me emrin ‘socializёm’.
Kriticizmi i Marksit ndaj fesё bazohej mbi ballafaqimin ndёrmjet “Shtetit tё Krishterё” dhe “Shtetit tё arsyes”. Nё kundёrshtim me tё parin, qё sipas tij nuk ishte njё bashkim moral i qenieve njerёzore, por njё bashkim besimtarёsh, filozofia kёrkonte qё “shteti tё ishte shtet i natyrёs njerёzore”.

Identifikimi i shtetit prusian të epokёs sё Marksit me Krishtёrimin dhe shoqёrinё civile, shtyu vetё Karl Marksin tё mendonte njё rrugё pёr pёrmbysjen e madhe. Pёr Marksin, shoqёria e krishterё, ishte e njёjtё me shoqёrinё civile dhe rendin feudal qё ai quante ‘rendi kafshё’.

Do tё ishte Fojerbahu i cili do tё shtonte se “Krishtёrimi edukonte individualizmin dhe nuk lejonte lindjen e njё etosi (karakteri) komunal (tё pёrbashkёt)”.
Sipas tij, Krishtёrimi kishte ndarё unin nga ti, me bashkimin e veçantё tё çdo individi me qenie personale tё jashtme: me Krishtin. Do tё ishte kjo pёrplasje e fortё idesh pёr tё “rrёmbyer” sa mё shumё mbёshtetёs tё cilёt do t’i hapnin
udhё pёrmbysjes sё madhe me njё aleancё tё pandershme ndёrmjet atyre qё mendojnё dhe atyre qё vuajnё.

II▪️Identifikimi i klerit katolik si kundërshtari nr. 1 i regjimit komunist në Shqipëri

Që në vitin 1945, posaçërisht pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në mbledhjet e mbajtura nga data 6 deri më 10 dhjetor 1945 filloi identifikimin e tendencave oportuniste që kishin dominuar vijën e Frontit Demokratik.

Sipas përfundimeve të këtyre mbledhjeve kishte qenë gabim që në zgjedhjet për në asamble të lejoheshin të konkurronin edhe ata “rryma” që sipas Byrosë Politike kishin luftuar kundër fitores. Tre ishin forcat të cilat qysh në fillim të pushteti komunist dhe ligjёrimit të tij me anë të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 qё u identifikuan si kundërshtarët më potencialë të regjimit që u instalua: borgjezia, kleri katolik dhe intelektualët reaksionarё.

Leksionet e mbajtura kundёr klerit katolik ishin të gjitha të mbështjella me pasaktësi të mëdha historike çka tregon nivelin tepër të ulët teorik të atyre që i mbanin. Shumë prej dokumenteve që kam hulumtuar nuk kanë emër mbiemër se kush i ka referuar dhe as të nënshkruara në fund. Në këto ligjërata ngrihej në qiell lufta e Bashkimit Sovjetik [mё tej: BS] dhe largpamësia e këtij të fundit ndaj rrezikut nazist që i kanosej botës.

Kjo nuk është aspak e vërtetë pasi ishte BS ai që nënshkroi më 23 gusht 1939 paktin e mossulmit me Gjermaninë naziste duke i lënë dorë të lirë Hitlerit në copëtimin e Polonisë me BS dhe të Evropës lindore.

Interesant është fakti se Partia Komuniste Shqiptare kishte kërkuar të bënte aleancë me klerin katolik për rrethin e Shkodrës për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.

Për këtë arsye, për të bërë fushatën elektorale, PKSH dërgoi në Shkodër Sejfulla Malëshovën i cili e filloi fjalimin e tij nё Shkodёr duke evokuar punën e madhe të rilindësve shkodranë Vaso Pasha, Abat Doçit, Fishtën, Mjedën e Luigj Gurakuqin.

Por, përpjekja e PKSH për të lidhur aleancë me katolikët në Shkodër dështoi pasi kleri katolik kishte refuzuar madje edhe kërkesën e Malëshovës për të themeluar një Parti Demokristiane sipas at Zef Pllumit.

Kjo parti të krijohej me kushtin që të bënte pjesë në Frontin Demokratik, por ipeshkvi Gaspër Thaçi e kishte refuzuar pasi nuk dëshironte që kleri katolik të përzihej në çështje politike.

Në një leksion/instruksion partie i qarkut Berat vihen në dukje problemet që do të kishte pushteti komunist me klerin katolik. Edhe pse në këtë leksion thuhet se çështja e klerit katolik nuk ishte problem në qarkun e Beratit, ai ishte një problem me rëndësi për partinë.

Sipas leksionit, kleri katolik ishte bërë boshti i reaksionit në Shqipëri sidomos në veri të vendit. Mjaft domethënëse është pjesa ku shkruhet: “Ata [katolikët] kanë organizimin e tyre, ata nuk janë me ne. Duke marrë parasysh nivelin e tyre të ngritur, kapacitetet e tyre dhe frymën e tyre anti popullore ata janë sot një rrezik për ne”.

Në leksion jepej udhëzimi që asnjë komunist të mos hynte në polemikë me klerin katolik pasi kjo gjë nuk ishte e favorshme, por të përpiqeshin t’i ndalonin për të mos luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen reaksionare të vendit.

Pamundësia për të lidhur aleancën me klerin katolik dhe nëpërmjet tij me shumicën e katolikëve të Shqipërisë, ndezi propagandën më të ashpër komuniste kundër kësaj strukture mijëravjeçare shqiptare. Nga strukturat e aktivit të partisë në Shkodër vijuan të “vërshojnë” në komitetin qendror të PKSH-së qindra njoftime ndaj punës armiqësore të klerit katolik në vitet e luftës.

Një fakt interesant që vjen nga ky dokument është fakti se qyteti i Shkodrës sipas arkivit të partisë ishte çliruar pa luftë.

Një tjetër fakt interesant në këtë dokument është shtesa në informacion me shkrim dore: “Karakteristikë është qëndrimi i ftohtë i shtresave katolike”.

Në informacionin që paraqiste më 16 janar 1945 për qytetin e Shkodrës i dërguari i PKSH Mihal Prifti, situata paraqitej aspak shpresëdhënëse për komunistët.

Sipas Mihal Priftit, populli në qytet ishte i ftohtë, indiferent dhe spektator mbi gjithçka ngjante përqark tij. Populli nuk merrte pjesë në asgjë e për më tepër elementi katolik ishte shumë i lidhur me klerin e me reaksionin.

Elementi katolik në Shkodër ishte i organizuar në shoqata të ndryshme çka përbënin edhe ndarjen më të madhe ndërmjet elementëve të ndryshëm me parullat kundër lëvizjes dhe për të sabotuar mobilizimin.

Shtresat e ulëta sipas Mihal Priftit duhet të ishin baza nga ku duhej të fillonte mobilizimi për të afruar popullin me lëvizjen.

III▪️Kleri katolik dhe katolikët si kundërshtarë të regjimit

Që në fillim të vitit 1946, në raportet që vinin nga qarku i Shkodrës, shikohet se theksi vendosej tek fushata kundër elementëve të Klerit Katolik.

Nga raporti i datës 3 tetor 1946 i dërguar nga Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën, informohej se koka e reaksionit ishte kleri katolik i mbështetur nga shërbimi i fshehtë britanik.

Por, sesi e mbështeste shërbimi britanik klerin katolik në qytetin e Shkodrës nuk jepet asnjë fakt. Thjesht, kleri katolik ishte armiku kryesor që punonte natë e ditë për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Sipas raportit kleri katolik punonte në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative.

Kleri mundohej ta paraqiste sipas raportit pushtetin e PKSH-së si anti fetar.

Sipas statistikave të Sigurimit të shtetit përpiluar në Shkodër në janar 1979 (dokumenti është pa datë) në vitin 1945 në Shqipëri kishte 145 meshtarë katolikë.

Në raportin e 2 nëntorit1946, deklarohej se kleri katolik me gjithë tërheqjen e tij mbetej kokë drejtuese e reaksionit dhe se nuk ishte goditur aq fort sa duhet.

Deri në muajin nëntor 1946, kleri katolik ishte elementi që kishte pësuar goditjen më të rëndë nga pushteti komunist në Shqipëri. Nga dosjet që kam hulumtuar të deklasifikuara së fundmi, më rezulton se nga viti 1945 deri mё 1946 ishin arrestuar dhjetëra priftërinj katolikë dhe mbi të gjitha ishin ekzekutuar 6 prej tyre.

Ndërsa në burg kishin vdekur nga torturat katër priftërinj katolikë.

Kjo sipas Qarkorit të PKSH për degën e Shkodrës nuk quhej goditje e fortë? Çfarë duhej të ndodhte që të quhej goditje e fortë? Deri në fund të regjimit komunist në Shqipëri, numri i klerikëve katolikë të pushkatuar sipas një statistike të Sigurimit të Shtetit e përpiluar në Shkodër më 22 dhjetor 1978 është 26.
Ndërsa numri i klerikëve katolikë sipas të njëjtit dokument të vdekur në burgje është 18.
Në muajin nëntor vijuan arrestimet e tjera të klerikëve katolikë imzot Frano Gjinit për shkak se tek kisha e fretënvet (Kuvendi Françeskan) më 14 nëntor 1946 u gjetën armë.
Si kishte mundësi? Të vërtetën e armëve në Kuvendin Françeskan e “plasi” një ish sigurims i quajtur Pjerin Kçira më 19 maj 1949 kur vetë u arrestua dhe kishte dalë para gjyqit si anëtar i grupit të Koçi Xoxes.
Në gjyq, Kçira do t’i shprehej kryetarit të gjyqit: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë duke ia futur armët në kishë, e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret…për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të Enver Hoxhës ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm. Ju keni qenë ata që më keni detyruar të torturoj priftërinj dhe rregulltarë katolikë, pasi i kishit akuzuar pa asnjë bazë. Ju keni qenë ata që më keni urdhëruar të vendos natën armë në kisha e kuvende dhe objekte kulti me qëllim gjetjen e një preteksti për të eliminuar klerin dhe Kishën Katolike”.
Pushteti komunist nëpërmjet Sigurimit të shtetit kërkonte të mbyllte çdo “çerdhe” katolike siç i quante kuvendet dhe shtëpitë e murgeshave që të mos kishte asnjë mundësi të flitej kundër PKSH-së.

Megjithatë, Sigurimi vigjilonte edhe ndaj nëpunësve të vet si me rastin e Brahim Shparit oficer i Sigurimit në Shkodër vetëm për faktin pse ishte shoqëruar me të rinj katolikë.
Ndërsa për komunistin katolik Kol Ashta, përmes raportit thuhej se nuk mund të quhej i besueshëm për partinë sepse ishte shpirtgjerë e i mëshirshëm.
Në goditjen ndaj klerit katolik nuk bënte përjashtim Tirana. Goditja që ishte dhënë në Shkodër në vitet 1945-1947 padyshim që do të ndihej edhe në Tiranë.
Në raportin dërguar Komitetit Qendror nga aktivi i partisë së Tiranës më 4 mars 1947, informohet se tek katolikët e Tiranës për arsye të goditjes që kanë pësuar shikohet një frikësim i madh.
Duke qenë se shumica e katolikëve të Tiranës ishin me origjinë nga Shkodra padyshim që lidhjet me atë qytet ishin të forta, familjare dhe miqësore. Të jetuarit në këtë qytet prej më shumë se 30 vjetësh i kishte identifikuar ata si njerëz të biznesit e të kulturës. Sipas raportit, numri i katolikëve ishte i mirë, por që qëndronin larg aktiveve të partisë.
Shumica e tyre sipas raportit ishin intelektualë dhe nëpunës të vjetër që kishin pasur poste me rëndësi në shtet dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm me njëri tjetrin dhe e ruanin miqësinë.

Radhët e partisë në Tiranë “mbusheshin” nga shtresa të varfra dhe të pa arsimuara
Katolikët nuk bënin pjesë në asnjërën nga shtresat e lartpërmendura. Në asnjë rresht të raportit nuk flitet se ishin rekrutuar katolikë nga Tirana në radhët e PKSH-së. E gjithë kjo bëri që katolikët e Tiranës të quheshin kundërshtarë të regjimit. Ndër parullat sipas qarkorit të partisë së Tiranës që lëshonte kleri katolik ishte se “feja katolike po luftohet ndërsa ortodoksëve dhe myslimanëve u jepet subvencion nga shteti”.
Megjithatë nga Shkodra në Tiranë raportet nuk reshtnin së informuari mbi aktivitetet “armiqësore” të reaksionit katolik kundra pushtetit popullor të PKSH-së. Çdo fjalë e pamatur qoftë
edhe në formë shakaje (është i njohur humori shkodran për barcaletat e panumërta për regjimin) dhe e gjithë kjo veprimtari quhej çorientuese në punën e partisë.
Komiteti i partisë i rrethit të Shkodrës kërkonte një goditje edhe më të fortë ndaj klerit dhe reaksionit katolik pasi nuk ishin goditur aq sa duhet.

Para problemeve të fillimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, raportet nga rrethi i Shkodrës për aktivitetin e klerikëve katolikë janë më të shpeshta. Sipas tyre, ishte i vetmi rreth kundërshtar që megjithë goditjet e forta që kishte pësuar në vitet 1945-1947, përsëri fliste kundër Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.
Në fakt, me çfarëdolloj problemi politik që kishte pushteti komunist në Shqipëri me të huajt, Kisha Katolike e Shqipërisë patjetër që kishte gisht. Në një raport të Sigurimit të shtetit, për vitet 1944-1947, kisha katolike e Tiranës ishte nyje e ndërlidhjes midis reaksionit të brendshëm, Vatikanit e zbulimeve të huaja.

Në raportin e Sigurimit të shtetit për klerin katolik, del se ky i fundit kishte qenë përgjegjës për të gjitha pushtimet e huaja që kishin ndodhur në Shqipëri që nga koha e pushtimi otoman (që në raport shkruhet Automan).

Thuajse në çdo gjyq që zhvillohej kundër klerikëve katolikë siç dëshmon edhe At Zef Pllumi, një nga akuzat ishte se “jeni përgjegjës që nga kryqëzatat e deri tek përpjekjet për të përmbysur pushtetin popullor”.

Pra kleri katolik, ai që kishte ndërtuar shkollat e para shqipe në Shqipëri dhe që kishte mbajtur gjallë këtë gjuhë të lashtë, na ishte obskurant dhe i ishte kundërvënë në çdo kohë traditave dhe zakoneve më të miratë popullit shqiptar.

Borgjezia katolike dhe kleri katolik ishin një dhe meqë ishin dukshëm anti komunistё, rrjedhimisht ishin edhe anti shqiptarё.

Megjithatë, sipas raportit të Sigurimit të shtetit edhe pse kleri katolik kishte pësuar goditje të forta, përsëri nuk e kishte ndërprerë veprimtarinë antikomuniste dhe rrjedhimisht tradhtinë ndaj atdheut dhe popullit.
Por me gjithë goditjet e herëpashershme që kishte marrë kleri katolik, vijonte të ishte armik i betuar i rendit socialist.

Për çdo dështim që mund të ndodhte në jetën e përditshme sidomos në rrethin e Shkodrës, fajin për të gjitha e kishte reaksioni me klerin katolik në krye.

Identifikimi i kësaj strukture si armiku nr. 1 i pusht Zukuetit komunist në Shqipëri e bënte të thjeshtë detyrën e kryetarëve të Komiteteve të partisë në Shkodër që për çdo gjë të akuzonin Kishën Katolike dhe klerin e saj. Madje, informacionet marrin edhe trajta groteske pasi edhe për luftën që zhvillohej në ato vite në Greqi, Kinë apo Palestinë, padyshim që kishte gisht edhe kleri katolik.

Megjithatë, arrestimet e klerikëve vijonin dhe në fund të vitit 1948, njoftohej edhe për katër klerikë të tjerë katolikë të arrestuar dhe dymbëdhjetë shtetas të besimit katolik tё arratisur.

IV▪️Rinia katolike armike e rrezikshme e regjimit komunist

Edhe përsa i përket arsimit në rrethin e Shkodrës, profesorët më të mbikëqyrur dhe rrjedhimisht më të goditur ishin ata të besimit katolik.

Akuza ishte se kishin nxitur rininë gjimnaziste të liceut dhe të normales që të kundërshtonin punën vullnetare gjatë viteve 1946 dhe 1947.

Të përpiqeshe të “sabotoje” punën e Frontit Demokratik duke i bërë propagandë rinisë që të mos merrte pjesë në ato mbledhje apo mitingje ishte krim i rëndë që nuk duhej lënë pa ndëshkuar.

Arrestimet dhe përjashtimet nga shkolla dhe presioni që iu ishte bërë familjeve të tyre e kishte frenuar për disa kohë aktivitetin e tyre kundër pushtetit popullor.

Duke marrë shkas edhe nga një vërejtje e Enver Hoxhës me shënimin përkatës në fund të raportit, kryetari i komitetit Abaz Laze rekomandon se katër studentë të demaskoheshin dhe të përjashtoheshin menjëherë nga shkolla. Si për ironi të fatit të katër këta studentë ishin të besimit katolik.
Një nga parullat e shkruara në një copë letër dhe që ishte kapur prej Sigurimit të shtetit ishte: “Rr. Sh. (Rroftë Shqipnia). Dita 28 nëntor Dita e Flamurit nuk festohet. Kurse dita e 29 nëntorit dita e okupimit të Shqipnis prej Bishës Komuniste Festohet. Mos e humb shpresën popull se pas vuajtjeve vjen Liria..”.

Seksioni Organo-Instruktor i Komitetit Qendror të PKSH-së i kryesuar nga Manush Myftiu kërkonte gjatë të gjithë muajit janar 1948, sesi ishte gjendja në liceun e Shkodrës dhe çfarë masash ishin marrë në përgjigje të aktivitetit kundërrevolucionar të studentëve atje.
Ndërkaq edhe pse u morën masa të rrepta, përsëri hedhja e parullave në copa letrash nuk u ndal.
Duke qenë se masat e marra nuk po jepnin rezultat, komiteti i partisë për rrethin e Shkodrës i kërkonte organizatës bazë që të vijonte me demaskimin dhe izolimin nga masa të gjithë elementëve që ishin kundër pushtetit dhe të vijonte përjashtimi nga shkolla të elementëve të cilët ishin propozuar edhe më parë për këtë masë.

Goditja e komitetit të partisë dhe organizatës bazë të Shkodrës nuk u ndal vetëm tek katolikët gjimnazistë, por edhe tek ata katolikë që ishin anëtarë partie dhe pjesëtarë të Sigurimit të shtetit si Pjerin Kçira etj.

Ky grup katolikësh anëtarë të PKSH u godit me akuzën se gjoja paraqiteshin si komunistë për të mbrojtë sektorin katolik i cili gjoja po goditej nga pushteti dhe nga partia.
Në të gjithë qytetin e Shkodrës sipas raporteve të vitit 1948, kishte nga 1800 deri në 2000 të rinj e të reja katolikë.
68•Sipas raportit të gjithë këta ishin nën ndikimit e klerit katolik me anë të organizatave dhe shoqërive si Don Bosko, Stigmatine, Antoniane, rrethi katolik juvendes etj.

Sipas raportit, kleri me anë të këtyre shoqatave kishte rrënjosur tek të rinjtë katolikë kulturën fashiste. Kjo dallohej se ata thuajse të gjithë dinin italisht, dëgjonin këngë italiane dhe akoma më keq lexonin libra italisht nëpër shtëpitë e tyre.
Një tjetër element që e dallonte rininë katolike në Shkodër ishte dashuria e madhe për Italinë dhe urrejtja karshi popujve sllavë.

Për të treguar se nuk ishin dhe nuk do të ishin të prirur të merrnin kulturë marksiste, pas mbylljes së gjimnazit të etërve jezuitë dhe françeskanë 90% e të rejave dhe të rinjve katolikë nuk vazhduan në shkollat e shtetit.
Megjithë goditjen e rëndë të klerit katolik i cili sipas raportit të vitit 1948, tregon se nga më shumë se 24 priftërinj katolikë që kishte Shkodra kishin mbetur vetëm 6 (3 priftërinj dhe 3 fretër), kurse 18 ishin pushkatuar dhe burgosur.
Kur zhvilloheshin mbrëmje kulturore, dëgjohej dhe vallëzohej nën tingujt e muzikës italiane dhe të rinjtë katolikë merrnin pjesë masivisht në ato mbrëmje dhe krenoheshin se ishin reaksionarë.
Megjithëse u morën masa të rrepta ndaj elementit kundërshtar katolik
përsëri PKSH ishte larg fitores ideologjike dhe kulturore ndaj kësaj shtrese. Të bindur se nuk do t’ia dilnin vetëm duke e persekutuar këtë shtresë, taktika e re që duhej përdorur e kombinuar me dhunën shtetërore të organizuar, ishte ndërtimi i kulturës së re komuniste e cila do të sfidonte kulturën katolike.

V▪️Përpjekjet e pushtetit komunist për të kontrolluar Kishën Katolike të Shqipërisë

Papërputhshmëria e ideologjike ishte një tjetër faktor i rëndësishëm që e etiketonte si armik të popullit klerin katolik dhe katolikët shqiptarë. Ndërsa kleri bektashi, ishte më pranë lëvizjes komuniste.
Problemi që kishte pushteti në rastin e klerikëve ishte vetëm një: katolikët. Në relacionin datës 28 dhjetor 1949 lidhur me mbledhjen e klerit katolik në Shkodër të datës 28 dhjetor 1949 për të diskutuar mbi projektligjin e datës 27 nëntor 1949 për komunitetet fetare, kleri katolik kishte shfaqur shqetësim dhe frikë se mos shkëputeshin lidhjet me Vatikanin.
Synimi i regjimit ishte që Kisha Katolike e Shqipërisë në udhëzimet e pushtetit të zgjidhte ajo ipeshkvit dhe jo Vatikani. Dëshmia më e qartë për këtë na jepet nga pjesëmarrësi i vetëm i gjallë i kёsaj mbledhjeje që i mbijetoi sistemit komunist at Zef Pllumi. Edhe tek vetë kleri katolik i mbledhur pati debate të forta sipas at Pllumit lidhur me statutin e ri të Kishës Katolike Shqiptare. Megjithatë, përsëri në këtë mbledhje triumfoi krahu i fortë katolik për t’i bërë ai një ultimatum qeverisë shqiptare; pa Papë nuk ka Kishë Katolike ashtu si nuk ka komunistë pa Moskën.
Kjo ishte përgjigja sipas at Pllumit që at Marin Sirdani i kishte thënë Tuk Jakovës kur ishin takuar në Tiranë për të diskutuar për projekt-statutin e Kishës Katolike Shqiptare.
Megjithë vuajtjet e tmerrshme, vrasjet, torturat, burgosjet, kërcënimet, kleri katolik shqiptar vijonte rezistencën. Domethënëse ishte fjala në mbledhje e dom Ernest Çobës i cili tha: “…se me pushtetin deri tani jemi dakord, por ne rast se na prek kodin kishtar si edhe lidhjet me Papën neve nuk do të pranojmë”.

Facebook Comments