Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se do të nis një shkrim me fjalët “Sokol Balla” por ja që ndodhi. Duke biseduar me një demokrat më pyet çfarë po ndodh në parti, sepse lexova diku në një portal që “Berisha po përgatitet për aksion për rrëzimin e Bashës”. I them mos lexo Sokol Ballën, se është helmues, ndotës dhe trillon me qëllim për të hutuar, çorientuar dhe dekurajuar demokratët. E di e di – mu përgjigj – po vetëm thashë, ngaqë e lexova dhe mu duk habi. Më pas ma përmendi dikush tjetër në tavolinë po të njejtën gjë, më tha “Shiko çfarë shkruan kjo RealStory”. Më pas, RealStory nxorri një shkrim për kryebashkiakun e Lezhës dhe shkruante: “Fran Frrokaj shpërthen kundër Bashës”. E lexova shkrimin, nuk kishte asnjë shpërthim. Prononcimi ishte krejt normal. Po Sokol Ballës i duhet ta paraqesë si shpërthim që njerëzit të mendojnë se PD është tokë e minuar dhe njerëzit shpërthejnë njëri pas tjetrit, kundër Lulzim Bashës. Ndërkohë që në PD njerëzit kanë kritika, nuk është se nuk kanë, mirëpo sot përpiqen të jenë sa më të bashkuar, kundër Edi Ramës. Kanë kuptuar qartë se nëse në ketë betejë do të merren me njëri-tjetrin, nëse do kthejnë shënjestrën dhe do të godasin shokun në krah në vend që të godasin armikun përballë, kompaktësia dhe forca e PD do përgjysëmohen. Besimi do të ulej. Njerëzit do të mendonin se këta janë në luftë me njëri-tjetrin, do bëheshin mosbesues për të votuar PD, sepse do gjykonin se këta kur nuk janë aq të pjekur e politikanë sa kontradiktat mes vedi t’i menaxhojnë dhe të gjejnë konsensus, do na qeveriskan këta Shqipërinë. Pra shkrimet agjentureske të Sokol Ballës dhe portalit të tij RealStory, kishin zbritur deri në bazën e demokratëve shqiptarë dhe u kishin ngacmuar atyre mendimet, duke tentuar turbullimin e tyre. E ndyrë por e vërtetë. Mu kujtua Kim Filbi i cili në librin “Lufta ime e heshtur” shkruan se çdo shërbim sekret ka seksionin e propagandës me qëllim për të manipuluar opinionin publik për synimet e veta. Atyre (Organizatës) u intereson që njerëzit të binden dhe të mendojnë se fajin për gjendjen ku jemi sot nuk e ka qeveria. Nuk e ka vjedhja e shfrenuar si asnjëherë në histori. Nuk e ka kaparimi i parave të shqiptarëve me konçesione të tilla që edhe 10 vite pasi të ikë Edi Rama, buxheti do i paguajë para Ramës, sepse kështu e ka kopsitur me kontratë. Duan t’i bindin njerëzit se fajin nuk e ka dhuna e strukturuar polici-tatime-gjyqësor. Se fajin nuk e kanë grupimet kriminale aksionere në shtet etj. U intereson t’i bindin njerëzit, demokratët, se fajin e ka opozita e cila është e dobët. Se opozita ka probleme dhe përçarje, ndaj Shqipëria ndodhet në ketë gjendje. Se po të mos ishte opozita kështu, Rama do të shporrej. Ndaj për shporrur Ramën, duhet të zëvëndësojmë opozitën. Nuk mund ta shporrim Ramën pa shporrur opozitën. Ky është kurthi ku propaganda tenton t’i fusë mendjet e njerëzve. Në çdo shoqëri normale, kur qeveria abuzon, ajo zëvëndësohet me opozitën ngaqë rrotacioni ndodh më shumë sepse njerëzit nuk durojnë qeverinë, jo se janë të dashuruar me opozitën. Vetëm në Shqipëri duan të përhapin mendimin se kur qeveria abuzon, duhet zëvëndësuar opozita, jo qeveria. Ky është mendim spektakolar. I gjithë thelbi është këtu; të coptojë dhe ndryshojë opozitën ngaqë kjo opozitë nuk po u shkon sipas fijes. Organizata Rilindje ka nevojë jetike që ta luftojë opozitën shqiptare. Tia dekurajojë e tia hutojë mbështetësit. Tia përçajë rreshtat me synimin që tia zvogëlojë peshën dhe reagimin e fuqishëm që pritet në vjeshtë, si edhe për faktin se deri sot opozita duket e vendosur, kokëfortë dhe luftarake. Meqenëse Organizata nuk mundet tu japë shqiptarëve asnjë arsye pse ajo duhet votuar, synon të vazhdojë sundimin duke shkatërruar opozitën, zëvëndësuesen në qeverisje. Që të marrë edhe kuptim shprehja qyqare “Ja iku Rama, po me kë ta zëvëndësojmë”, duke shpallur kështu se narkorama është burri i vetëm në Shqipëri, ska tjetër. Sokol Balla me shkrimet agjentureske në RealStory, shkruan se Berisha do punojë për zëvëndësimin e Bashës (rrenë), se mardhëniet Berisha-Basha janë të akullta e ata nuk shkojnë mirë (rrenë), se Berisha do mbështesë në heshtje grupe për rrëzimin e Bashës (rrenë). Ska dyshim pra se këto nuk janë të vërteta. Janë rrena me qëllim hutimin, dekurajimin dhe uljen e besimit të demokratëve duke i futur ata në ankth. Opozitës i duhet shkaktuar hutim, frakturë, nxirje, mosbesim tek mbështetësit, diversion, rrjedhje, që opozita të mos mundet të jetë e unifikuar dhe fuqia e saj të përgjysmohet. Pastaj opozita të zëvëndësohet dhe ne si Shqipëri të biem rehat, në paqe e qetësi, pa konflikt politik, me sistemin ku kryetarët e PD i emëron kryetari i PS, model ky i njohur në shumë vende jodemokratike, nuk është se është model i panjohur. Mesazhi që lexoi Ilir Meta me 2 korrik ku Edi Rama i kishte shkruar atij se pas 30 qershorit do ta rrëzoj Lulzim Bashën nga kryetar i PD-së, nuk është mohuar nga Edi Rama. Ska dalë Edi Rama për ta mohuar atë mesazh. Ai mesazh vërteton çfarë përmenda më sipër; tentativën për të instaluar sistemin ku kreu i PD emërohet nga kreu i PS. Nëse ndonjë demokrati i vjen mirë që kryetarin tia emërojë PS, skam çfarë them, po sbesoj se ka demokrat të tillë. Ndaj demokratët duhet ta kenë të qartë se si është loja. Si luhet, si trillohet, çfarë synohet dhe kështu të mos bien viktima të seksionit “anti-opozitë” të propagandës së Rilindjes, relatuar nga Sokol Balla, Mero Baze dhe të tjerë. Duhet ta kuptojnë demokratët se këtu po angazhohen gazetarë e media më qëllimin për t’i dekurajuar, hutuar dhe përçarë, për të shpërqëndruar vëmendjen, për të eklipsuar përgjegjësinë që Edi Rama ka për katastrofën ekonomiko-politiko-sociale dhe krizën në veçanti. Nuk është Edi Rama në pozita të forta. Pa dyshim ai nuk do të dalë në televizor e të deklarojë “Jam në hall”, gjithmonë do shfaqë vetësiguri, pushtet, komoditet, se kështu e kërkon propaganda e adeti. Por ai nuk është në pozita të forta as të lakmueshme. Çdo demokrat sa herë që të lexojë Sokol Ballën, portalin apo emisionin RealStory, duhet ta ketë të qartë se aty ska të vërteta dhe se ato çfarë thuhen dhe shkruhen, janë pjesë e një operacioni për goditjen dhe delegjitimimin e lidershipit të PD, me qëllim dobësimin e opozicionit kundër Edi Ramës. E pavarësisht gjithçkaje, asgjë nuk do ta ndalojë PD për të ardhur në qeverisje e për t’i mundësuar Shqipërisë elemente të civilizimit, siç ia ka mundësuar në qeverisjet e mëparshme, me infrastrukturë, ujësjellës, energji etj.

Facebook Comments