◾◾◾

Me rastin e Ditës së Pakicave, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” denoncon dramën e harruar të Pakistanit. Mijëra vajza të reja rrëmbehen, përdhunohen dhe detyrohen të kalojnë në fenë islamike.

Hap tjetër për të kuptuar më mirë disa fenomene e për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme. Ky ishte takimi i fundit, që mblodhi në Karaçi të Pakistanit, përfaqësues të feve të ndryshme dhe të shoqërisë civile vendase. Nismë e avokates katolike Tabassum Yousaf, që punon për të shpëtuar nga kthimet e detyruara në Islam, vajza e gra të reja të pakicave fetare. Takimi u organizua me mbështetjen e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, në kuadrin e Ditës së Pakicave, që u kremtua dje në Pakistan. Morën pjesë personalitete të shumta, ndërsa kryeipeshkvi i Karaçit, kardinali Joseph Coutts, dërgoi një mesazh, në pamundësi për të qenë i pranishëm, për arsye shëndetësore.

Familjet e fitojnë rrallë gjyqin
“Çdo vit, të paktën njëmijë vajza rrëmbehen, përdhunohen, detyrohen të kthehen në Islam dhe të martohen me torturuesit e tyre”, denoncoi avokatja pakistaneze, duke theksuar se kjo dukuri ka të bëjë veçanërisht me pakicat e krishtera dhe hinduiste. Dramë për familjet, që, shpesh, janë të pafuqishme përballë vështirësive për të fituar drejtësi. Impenjimi i tyre për të hedhur në gjyq fajtorët, për të siguruar kthimin e vajzave në shtëpi e për të marrë një dëmshpërblim, mund t’u kushtojë shtrenjtë jo vetëm ekonomikisht. Shpesh, torturuesit hakmerren.

Perëndimi dhe media ndërkombëtare mund të bëjnë shumë
Kjo gjendje e rëndë ka nevojë për ndërhyrjen konkrete të autoriteteve, të cilat nuk e kanë të lehtë të marrin masat e duhura në një vend me njëmijë probleme, që po mundohet të dalë nga prapambetja, pavarësisht se po bën hapa përpara. “Perëndimi dhe media ndërkombëtare – nënvizoi avokatja pakistaneze – mund të bëjnë shumë për të mbrojtur pakicat fetare”, pa u lënë shteg qarqeve ekstremiste, të cilat akuzojnë se po zhvillohet kryqëzatë kundër Islamit, fe shtetërore në vend, siç parashikon Kushtetuta e Pakistanit. Presionet e jashtme dhe të brendshme mbi qeverinë e udhëhequr nga ish-kampioni i kriket Imran Khan, fatkeqësisht, nuk synojnë zbatimin e idealeve fillestare të themeluesve të vendit, menduar prej tyre si tokë me mundësi të barabarta dhe me të drejta për të gjithë.

Integrimi i pakicave në shoqëri
Avokatja Yousaf nuk kërkon vetëm mbrojtjen e pakicave, por edhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri. “Fëmijët tanë – denoncoi ajo – nuk kanë arsimim të përshtatshëm, prandaj penalizohen edhe për gjetjen e punës”. Në bashkëpunim me kardinalin Coutts dhe me krerët e feve të ndryshme, ajo ka hartuar një rezolutë prej 10 pikësh për promovimin e pakicave. Në të parashikohet rritja e moshës minimale për martesë në 18 vjeç dhe mbrojtja efektive ligjore kundër rrëmbimeve të shpeshta e kthimeve të detyruara në fe tjetër.

Së fundi, Tabassum Yousaf i shprehu Papës Françesku gjithë mirënjohjen e të krishterëve të Pakistanit. “I jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë për afërsinë e tij në lutje për ne dhe për vendin tonë dhe për faktin se na mendon vazhdimisht”.

Facebook Comments