Nga Besart LOGU

◾◾◾

Grushti i shtetit i 15 korrikut 2016, i mbetur në tentativë, nuk është i pari me të cilin është përballur pushteti në Turqi. Në historinë e saj Turqia shënon edhe katër të tjerë, të cilët për nga natyra dhe zhvillimi që morën nëse i krahason me atë të 15 Korrikut të bën të dyshosh nëse ishte i vërtetë apo sajesë e Erdogan për të forcuar pushtetin e tij.

1960
Grushti shtetit i parë në Turqi ndodhi më 1960, ku ushtria ia doli me sukses të merrte nën kontroll vendin në mesin e tensioneve të larta në vend. Presidenti i atëhershëm Celal Bayar, kryeministri Adnan Menderes dhe zyrtarë tjerë u arrestuan dhe u gjykuan për tradhti. Më vonë, Menderes u var. Gjenerali ushtarak Gursel, që drejtoi grushtin e shtetit, mori postin e presidentit dhe atë të kryemministrit.

1971
Ushtria përsëri rrëzoi qeverinë turke më 1971. Grushti shtetit erdhi pas disa muajve të përcjella me dhunë e trazira. Ky grusht shteti u konsiderua si “grusht shteti me memorandumi” pasi që gjenerali ushtarak Memduh Tagmac i dha ultimatum kryeministrit Suleyman Demirel, duke e detyruar atë të largohet nga zyra. Për dallim nga zhvillimet e vitit 1960, ushtria nuk e mori shtetin në dorë, por kabineti që drejtonte qeverinë ishte nën mbikëqyrjen e ushtrisë.

1980
Meqenëse grushti i shtetit i vitit 1971 nuk solli shumë qetësi në Turqi, ushtria sërish tentoi për një të tillë më 1980. Grushti i shteti u ndërmor në shtatorin e atij viti, dhe ushtria sërisht mori kontrollin. Admirali Bulent Ulusu mori postin e kryeministrit nga Demirel. Kësaj radhe, grushti shtetit solli stabilitet në Turqi, por ushtria ndaloi disa mijëra persona, ekzekutoi disa dhjetëra dhe torturoi një numër të madh.

1997
Ndonëse nuk mund të konsiderohet si krejtësisht grusht shteti, ushtria më 1997 lëshoi disa rekomandime për qeverinë turke. Zgjidhja e vetme e qeverisë ishte të pranonte ato rekomandime. Kryeministri Erbakan u detyrua të dorëhiqej. I cilësuar si grusht shtet “i butë”, ai ishte i suksesshëm pasi që ushtria punoi me bizneset, me drejtësinë, me mediat dhe me liderët politikë.

Pra, historia e grushteve të shtetit në Turqi na mëson se kur ushtria nis një të tillë e finalizon, duke sjellë edhe shumë ndryshime rrënjësore, që nga qarkullimi i liderave dhe drejtuesit të vëndit deri në organizimin e ri shoqëror. Ndryshe ndodhi në atë të 15 Korrikut ndaj Erdogan, çuditërisht ushtria ishte “e pafuqifshme” që të realizonte qëllimin e saj!!!

Ky bllafaqim mes grushteve të shtetit të ndodhura në një hark kohor prej 50 vitesh, edhe pse me viktima (në mbajtjen e pushtetit nga njëra anë dhe për rrezimin e tij nga ana tjetër), tregon se përgjithësisht Turqia ka fituar prej tyre, minimalisht në qarkullimin e elitave dhe në reformat e ndërmarra pas secilës ngjarje. Nisur nga këto premisa kuptojmë se populli turk i bie të ketë humbur nga mosrealizimi i grushtit të shtetit më 15 Korrik 2016. I fituari i vetëm nga kjo ngjarje ishte R.T.Erdogan, në eleminimin e kundërshtarëve potencial duke instaluar e siguruar edhe më tej pushtetin e tij absolut!

Pra, populli turk në historinë e grushteve të shtetit ka shënuar me qindra heronj e dëshmorë të cilët dhanë jetën për demokracinë, stabilitetin dhe zhvillimin e vëndit, ndryshe nga ato të 15 Korrikut të cilët i shërbyen vetëm një personi dhe jo vendit të tyre.

Pikërisht, 15 Korriku për KM tonë është një ngjarje për tu mbajtur mend, aq sa lind nevoja që ti ngrejmë edhe memorial në mes të Tiranës!!! Ky akt përveç se tregon një shkallë të lartë servilizmi ndaj një udhëheqësi me jo pak influencë në politikat e jashtme sidomos në ato rajonale, vlenë të veçohet pasi dhënia e jetës në shërbim të pushtetit është akti më ekstrem që mund të bëjë një militant i tij në ruajtjen dhe vazhdimësinë e pushtetit absolut që ka ngritur nga “reformat e thella” nën siglën “Bëjmë shtet”.

Memoriali është një shenjë e cila tregon shumëçka! KM e ka braktisur rrugën e integrimit europian dhe se orientimi i tij nga lindja do na kthejë shumë hapa pas. Gjithashtu përqafimi i një modeli diktatorial si ai i Erdogan është ogur i zi për çdo shqiptar.

Facebook Comments