Nga Erl KODRA

◾◾◾

Të kuptohemi, memoriali për të rënët e Grushtit të Shtetit në Turqi, i ndërtuar në Tiranë nga Erion Veliaj, nga të gjitha pikëpamjet është i papranueshëm. Besoj se këtu nuk ka nevoj të jepen arsye, sepse gjërat e kuptueshme nuk kanë nevojë për shpjegim, sidomos kur arsyeja është brenda tyre.

Unë thjesht do të bëj një spekullim, me “sikur”. Ka mundësi që ky shkrim do të ngjallë shumë reagime, por meqenëse unë i them gjërat troç dhe pa autocensurë, i mirëpres kundërshtitë, po ama vetëm ato të mirë-argumentuara.

Ne shqiptarët kemi një histori të përbashkët rreth 500 vjeçare me Perandorinë Osmane. Superfuqia e asaj kohe me siguri do të na pushtonte, ashtu siç pushtoi shumë vende në Azi, Afrikë, Mesdhe dhe në Ballkan. Ishte koha e perandorive, ku bota qeverisej në territore të mëdha, dhe nuk njihej shteti komb. Mirë apo keq, në rrethanat ekonomike, sociale dhe kulturore ku gjendej popullsia shqiptare e asaj kohe, është krejtësisht e paarsyeshme që shekujt e kaluar të gjykohen nga pozitat e nacionalistit të sotshëm. Sepse, para pushtimit Osman, Shqipëria dhe shqiptarët nuk ekzistonin, domethënë, jo në konceptin që ne kemi sot për kombin dhe shtetin. At’botë ekzistonin pricipatat shqiptare, ku sundimtarët lokal qeverisnin krahinat e tyre, ndërsa trojet shqiptare pushtoheshin rregullisht nga Mbretëria e Bullgarisë, Mbretëria Serbe, Perandoria Bizantine, anzhuinët, venedikasit, grekët, etj. Katër shekujt pararendës, domethënë para pushtimit Osman, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Kruja kalonin nga pushtimi në pushtim. Fakti që shumica e toponimeve janë në gjuhën sllave tregojnë se pushtuesit kishin një qëllim; historia të shkruhej sipas tyre. Po ashtu, shumica e popullsisë shqiptare të asaj kohe i përkiste fesë ortodokse, po ashtu shqiptarët mbanin me shumicë emra ortodoks. Rregjistrat e taksave të e asaj kohe e dëshmojnë këtë.

Shqiptarët e asaj kohe nuk kishin mundësi për të zgjedhur një alternativë, sepse bota e tyre nuk ishte bota që njohim sot. Njerëzimi nuk kishte kaluar akoma nëpër atë që quhet procesi i formimit të shteteve kombe. Ata thjeshtë do të mbijetonin ndaj pushtuesve të shumtë, sidomos në shekujt e 12-të, 13-të dhe 14-të, fundi i të cilave erdhi me pushtimin nga Perandoria Osmane.

Përfundimisht, trojet shqiptare do të ishin të pushtuara, ose nga serbët, ose bullgarët, ose nga Perandoria Osmane. Kjo që sapo shkrova është një aksiomë. Nëse dikush ka ndonjë argument kundër këtij pohimi, unë e sfidoj.

Krejt tjetër është fakti historik se sa u zhvillua shoqëria shqiptare nën Perandorinë Osmane, dhe krejt tjetër se sa do të zhvillohej shoqëria shqiptare nën pushtimin bullgar ose serb, nësë gjithmonë do të ekzistonin ndonjëherë shqiptarët nën këta sundimtarë ortodoks.

Historia është ajo që është, ne nuk mund ta ndryshojmë atë. Por ne nuk mund të shfryjmë komplekse inferioriteti kundër një ndër shteteve më të fuqishme që ka njohur historia e njerëzimit, thjesht për faktin se kjo superfuqi botërore pushtoi edhe tokat tona, ashtu siç pushtoi shumë vende dhe popuj të tjerë, në tre kontinente. Përgjithësisht, shqiptarët mbijetuan nën Perandorinë Osmane, madje paten edhe tituj dhe ofiqe zyrtare deri në majat më të larta të pushtetit Osman. Përgjithësisht, unë nuk besoj se do të ndodhte e njëjta gjë me shqiptarët nën sudimimin grek, serb, bullgar ose rus.

Skënderbeu është padyshim Heroi më i madh i shqiptarëve. Në të vërtetë, për shkaqe dhe rrethana komplekse historike, për herë të parë shqiptarët shënojnë fort emrin e tyre në Histori, me një qëndresë të pashoqe që çuditi botën kundër një superfuqie të kohës si Perandoria Osmane. Më vonë, pushtimi Osman është një fakt i ftohtë që duhet konsideruar ashtu siç është; një super shtet ku shqiptarët jetuan për rreth 500 vjet.
500 vjet në historinë e një populli nuk janë pak, ato nuk mund të fshihen me një të rënë lapsi, as të vazhdohet me retorika idiote, e theksoj, retorika absolutisht idiote, se Perandoria Osmane ishte një armike e shqiptarëve. Jo, ata ishin pushtues të pranuar dhunshëm, por gjithsesi pushtues normal, si të gjithë pushtuesit, ashtu siç ishin shumica e popujve të botës; nën pushtim, të pushtuar, ose pushtues.

Kurrë nuk e kam kuptuar Ismail Kadarenë. Ai shprehet sikur Perandoria Osmane ka kryer genocid kundër shqiptarëve, i ka shfarosur ata, njësoj si spanjollët shfarosën vendasit në Amerikën Latine. Në fakt realiteti është tjetër, krejt tjetër. Sigurisht që Osmanët kanë ndikuar në shoqërinë shqiptare përgjatë pesë shekujve. A ishte ky ndikim i tillë sa të zhdukte gjuhën, doket dhe zakonet e shqiptarëve? Në të vertetë Rilindja Kombëtare lulëzoi bash nën Perandorinë Osmane.

Përfundimisht, ideja ime është e thjeshtë;

Ne shqiptarët nuk kemi pse shajmë dhe mallkojmë askënd, që për interesa gjeopolitike dhe strategjike të kohës na pushtuan, sepse e kishin fuqinë dhe mjetet ushtarake për ta bërë këtë. Pesë shekuj më parë kështu funksiononte njerëzimi, nëpërmjet pushtimit. Çudia do të ishte nëse ata nuk do na pushtonin. Në një rast të tillë, me siguri që sot ne do të ekzistonim, por në një formë tjetër, domethënë, si serbë, grekë ose bullgarë.

Për shkaqe historike të njohura, Perandoria Osmane ka rënë mbi një shekull më parë, mbi gërmadhat e së cilës u ngrit Republika e Turqisë që njohim sot. Për fat të keq, sot Turqia e Mustafa Kemal Ataturk është tronditur nga themelet, saktësisht prej Recep Tayyip Erdoğan, një sundimtar i lloji tjetër. Perandoria Osmane kurrë nuk mund të ringjallet ashtu siç ka qenë, por me siguri, ajo mund të jetë një karikaturë e saj, një shëmti përçudnuese, pa sharmin dhe ekzotikën që të japin shekujt.

Në një plan tjetër, sikur Grushti i Shtetit kundër Presidentit Erdogan të fitonte, dhe ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera në Turqi, ushtria të rivendoste vlerat sekulare e Republikës së Turqisë kemaliste, çfarë mund të bëjmë ne me Memorialin e të Rënëve të Erdoganit në Tiranë?! Po kur Turqia t’i rikthehet vlerave të Mustafa Kemal Ataturkut, dhe me siguri kjo ka për të ndodhur, çfarë do të bëjmë ne me Memorialin? Aleanca jonë është me Republikën e Turqisë, sepse Turqia është një vend i madh dhe aleate e shqiptarëve, do të ekzistojë edhe pasi të vdesë epoka Erdogan. Me siguri që Republika Turke është shumë më e madhe se sa Baba Rexhepi dhe babuçi Edi Rama, apo edhe shkrimtari Ismail Kadare. Tjetër gjë është situata bajate ku e kanë zhytur veten këto figura groteske që tentojnë të fshijnë, të luajn dhe të shkruajn historinë sipas interesave të ditës.

Facebook Comments