Nga Red VARAKU

◾◾◾

Mesazhi që Departamenti Amerikan i Shtetit i dërgoi z. Rama , nëpërmjet shpalljes së vendimit i cili ndalonte z. Dako dhe familjen e tij të shkelte në SHBA për shkak të përfshirjes në korrupsion të rëndë, është një mesazh i qartë edhe për z. Rama. Është një mesazh që godet fort numrin dy të partisë socialiste dhe pranon pretendimet e opozitës që zgjedhjet e vitit 2017 janë vjedhur në bashkëpunim me krimin e organizuar. Ky fakt në thelb e delegjitimon plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017.

Por, edhe pas këtij mesazhi aspak diplomatik, që në fakt ishte një paralajmërim i hapur i DASH për z.Rama, sërish ai nuk na zhgënjeu me reagimin e tij lidhur me vendimin për Dakon.

Nëpërmjet kryeprokurores së përkohshme të emëruar nga ai vetë, ai ka bllokuar çdo procedim penal ndaj z. Dako. Por, nëse dikur ia dilte të shfokusonte vëmendjen nga fakte të tilla të rënda, ai nuk ka arritur ta mbulojë dot tronditjen, që i erdhi nga ky sulm i beftë në këtë vapë gushti. Nuk është se ka zgjefhur të heshtë, por llava e amerikanëve i ka djegur çdo alibi.

Pas publikimit të përgjimeve propaganda e qeverisë ka ngecur keq. Mjeshtrave të ‘piarit’ i ka humbur spontaniteti dhe magjia. Janë bërë shumë të parashikueshëm.

Mjafton të dish se kush është personi që do gjykohet dhe mund ta parashohësh reagimin e propagandës, dhe më pas vendimin ‘jopolitik’ të Artës.

Edhe sikur të transportojnë tonelata me kanabis , edhe sikur të vjedhin miliona euro me tendera, edhe sikur të pastrojnë miliarda euro në ndërtim, nëse janë kapterrët e gjeneralit Rama, është e garantuar që nuk do të thirren kurrë në prokurori, por edhe kur rastis që thirren, ata thirren sa për sy e faqe për t’i hedhur hi syve opinionit publik.

Ajo që ia vlen ta theksojmë janë disa pyetje që lindin natyrshëm. Pse z.Rama ka zgjedhur mbrojtjen e Dakos dhe nuk ka zgjedhur hapjen e negociatave ? Pse e bëri Edi këtë zgjedhje, kur ai i di të gjitha pasojat që do ketë Shqipëria nga kjo gjë? Pse pra, zgjodhi Dakon para Shqipërisë?

Ka vetëm një përgjigje për të tre pyetjet. Ai nuk ka rrugë tjetër. Ai është i detyruar. E kush më mirë se z. Rama nuk e di se nëse sot Dako do të ishte në pranga, Hahn do ta merrte në telefon nga Brukseli për t’i dhënë sihariqin e hapjes së negociatave? E kush më mirë se Edi, nuk do të që të heqë nga supet peshën e rëndë të imazhit të rrënues, që përgjimet u kanë ngulitur në mendje shqiptarëve, siç bëri me Tahirin?

Por, z. Rama nuk e bën dot. Ai nuk ka fuqi ta bëjë këtë . Sepse, ai nuk e ka më në dorë situatën. Ai nuk e ka lirinë për të dorëzuar Dakon. Sepse Dako nuk është Tahiri. Dako është Partia Socialiste. Nëse bie Dako , bie qeveria! Nëse bie qeveria , vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, partia socialiste mundet , nëse i referohemi votimeve të 30 qershorit, i merr, a nuk i merr dot 35 deputetë.

Pra, arsyeja e vërtetë e moslëshimit të Dakos është rreziku i humbjes së pushtetit. Por, nuk është se Edi nuk jeton dot pa pushtet, ai e di që gjithçka ka një fund, por se gjithë sistemi që ka ngritur funksionon vetëm në bazë të varësisë që ka nga pushteti. Ai , më shumë se askush tjetër e ka të qartë, që nëse një ditë do të mbetet pa pushtet, të gjithë do t’i turren për të marrë hak. Me mbrojtjen që po i jep Dakos, ai e mban të unifikuar kopenë e babëzitur për plaçkë.

Ndërkohë , drejtësia e re që ka ndërtuar Rama nuk është një drejtësi që rrezikon aq shumë qytetarët se sa rrezikon vetë Edin. Ata ushtarë dhe hajdutë të pacipë me të cilët ka mbushur radhët e gjyqësorit sot, dhe që ne i shikojmë sot si kamikazë të Ramës , janë po aq të pafytyrë të nesërmen e ditës që Rama rrëzohet nga pushteti. Ata janë hajdutë gjobvënës dhe Edi Rama e di që nëse bie nga pushteti ata janë të parët që mund t’i hedhin hekurat dhe për akuza shumë më të vogla se sa këto që po ngrihen sot.

Por, po të mendosh pastaj që në dosjen e Edi Ramës përveç vjedhjeve, korrupsionit dhe kapjes së shtetit, ka dhe akuza konkrete për kanabizimin, korrupsionin, trafikun e drogës dhe larje parash në offshore. Frika e tij nga humbja e pushtetit i është kthyer në makth që nuk e ndal para asgjëje për të shpëtuar kokën.

Një arsye tjetër e madhe përveç asaj çfarë e pret nga humbja e pushtetit, është se Rama dhe Dako kanë bashkë dhe histori të përbashkëta kriminale. Në themel të bashkëpunimit janë disa biznese të frikshme që fillojnë me tokat në bregdet, vazhdojnë me koncesione e privatizime dhe mbyllen me pazare rajonale kryesisht mafioze.Ata e kanë të vështirë të ndahen nga kjo histori e përbashkët. Grupet kriminale me të cilët janë përzierë, janë edhe më hakmarrëse se vetë drejtësia.

Por, pengu më i freskët që i mban ata të lidhur pas publikimit të skandalit të përgjimeve është ajo që panë me sytë e tyre nga revolta popullore. Rama e pa se si revoltohet një popull kur shikon si vjedh vota qeveria në mes të ditës dhe këtë nuk e harrojnë dot kurrë, sado shpikje me zgjedhje lokale të paligjshme të realizohen.

Ajo që ata kanë bërë pas publikimit të përgjimeve , është më kriminale dhe më e rëndë . Pas asaj date ata kanë dalë fare nga shinat . Ç’nuk kanë bërë për të pastruar zhulin e përgjimeve nga duart e tyre. Shkuan deri aty sa nga frika e përgjimeve të ndërmerrnin hapin fatal, hapin më të pabesë ndaj popullit të tyre, një hap që minon drejtpërdrejtë demokracinë, u futën në zgjedhje pa opozitën. Ata menduan se duke hyrë në zgjedhje do të mund të mbulonin krimin e vjedhjes së votave, por populli shqiptar nuk i amnistoi , dhe i ndëshkoi me braktisjen e kësaj farze të neveritshme.

Ata e dinë tashmë se fati i secilit prej tyre, është fati i të gjithë atyre që janë pjesë e rilindjes. Pas dites së publikimit te përgjimeve, ata janë të detyruar të ndajnë bashkë fatin e tyre derisa të jenë gjallë. Askush prej tyre nuk mund të jetë i lirë nga njëri- tjetri. Askush nuk mund të flasë pa leje apo të lërë në baltë shokun. Ata janë tanimë viktima të historisë së tyre.

Për gjithë këto arsye, Edi Rama mes fatit të Shqipërisë dhe fatit të Dakos zgjodhi fatin e Dakos. Për gjithë këto arsye mes shansit tonë për hapjen e negociatave drejt Bashkimit Evropian dhe zhgënjimit mbarë perëndimor që ka kapluar pas mosreagimit të prokurorisë pas publikimit të përgjimeve, Rama zgjodhi të dytin.

Tashmë edhe për Ramën ka filluar numërimi mbrapsht. Ai nuk është më një personalitet që po gjykohet për atë që po bën. Ai është thjesht një njeri për të cilin SHBA dhe BE ka filluar të mbajë shënim çdo detaj, ashtu siç mbahet në vëzhgim një i sëmurë rëndë .

Ky njeri nuk është i lirë të zgjedhë Shqipërinë dhe fatin e mirë të saj. Ai nuk e ka në dorë më veten. Ai është një peng i spirales së krimit në të cilën e ka zhytur pushteti i vet, prandaj është sot njeriu më i rrezikshëm i këtij vendi.

Facebook Comments