Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Që ta sqaroj; për njerëz të cilët pyesin pse ti me Lulzim Bashën, a mos po bën marrëzi e po mbështesim marrëzinë? A mos po asgjësohet PD-ja me ketë rrugë dhe ju bashkë me Bashën do jeni përgjegjësit?
Unë flas hapur në respekt të njerëzve që më lexojnë. Jam kandiduar për Këshill Kombëtar të PD. Kam shkuar kam kërkuar vota ku kam mundur, tek çdo kryetar dege, grupseksioni e seksioni. U kam dhanë fjalën atyne që në fletën e votimit kanë rrethuar emrin tim dhe u kam thanë se do të punoj çdo ditë për atë çfarë Partia Demokratike përfaqëson, për rikthimin në pushtet të demokratëve si alternativa më e mirë. Me aq mundësi sa kam, se sjam unë ndonjë superfuqi politike. Por do të jap kohën time, ose më saktë kohën që Zoti më ka dhënë mua se skam unë kohë timen, se do jap paratë e mia modeste, përsëri paratë që Zoti na ka mundësuar se sjanë tonat as paratë, për të lëvizur në fshatra e qytete, në mitingje e protesta. Të nesërmen pas daljes në Këshill kam falenderur demokratët në vendet ku e di se ma kanë qarkuar emrin, kam falenderuar kryetarin e PD z.Lulzim Basha dhe i kam thanë se unë do të punoj me mundësit e mia, për PD në qeveri dhe Lulzim Bashën kryeministër. Pra u kam dhanë fjalën demokratëve dhe kryetarit të demokratëve se jam me ta në ketë beteje politike, se do të përpiqem për ketë betejë politike. Dhe fatmirësisht, vlerë kryesore ku unë besoj është besnikëria dhe mbajtja e fjalës. Edhe me kosto, pa dyshim, se sjanë pa kosto këto punë. Mundohem të jem besnik dhe fjalëmbajtun. Se sa ia arrij e vlerësojnë të tjerët por nuk besoj se derisot të mundet të dalë dikush e të thotë se Indrit Vokshi më ka rrejt, sma ka majt fjalën, më ka mashtruar etj. Kjo mund të jetë edhe jo me leverdi në “lojën politike” të brrylave, po sot për sot ketë mentalitet kam, me këto rregulla eci. Nesër ishalla na turpnon Zoti sa më pak. Pra unë kam një kontratë me demokratët dhe me kryetarin e demokratëve. Nuk është krejt romancë, është kontratë, askush smë ka futur me zor në ketë fushë, vetë kam kërkuar, tashti duhet me i nejt. Fjala është fjalë, burrnia burrni, skemi se si mos me qenë ma shqiptarë dhe me e braktis me lehtësi një traditë mijëra vjeçare. Dhe për dreq futem tek njerëzit që solidarizohem më shumë në momente të vështira. Nuk braktis në ditë të vështira, veç solidarizohem edhe më shumë. Edhe me qenë idhnu mos me fol me dikë, po qe në ditë të vështura jam lazëm me i fol e me i dal krah. Ky kryetar në raport personal me mua është treguar korrekt deri sot, me respekt e sjellje krejt qytetare. Nuk e kam të lehtë me fol për kryetarë, se është kjo dukuria që njerëzit u servilosen kryetarëve dhe unë i ruhem shumë kësaj, pasi sjellja që urrej vërtet është servilizmi. Skuqem dhe nervozohem po të di se dikush mendon se unë kam qoftë edhe një cifël servilizmi. Sjellja që sdo kem kurrë në jetë është servilizmi; do ndihmë, si burrat ndihmë, pa servilizëm, pa nënshtrim.
Në aspektin politik publik unë pas zgjedhjeve të vitit 2017 e kam kritikuar ketë kryetar për një, dy, tre, katër akte ose mos-akte. Nuk jam penduar, mendoj se kritika qëndron. Tek ky lidership vlerësoj iniciativën për distancimin e politikës nga bandat, largimin e tyre nga jeta politike dhe institucionale, mosflirtimin e lidershipit me “të fortët”, paçka se nganjëherë edhe vetë dyzohem dhe them na duhen edhe ata, përsëri them nuk duhet ashtu. Nuk të çon kund ai model. Jam krejt dakort me kërkesat dhe veprimin e këtij lidershipi, mund të kishte performancë më të mirë por gjithmonë në ketë rrugë. Fatkeqësisht e kuptoj çfarë dmth totalitarizëm dhe si luftohet ai kur merr yrysh, ndaj me plus-minuse jam dakort me iu kundërvu me këto mënyra që i është kundërvu PD. Vetë kemi kërkuar betejë pa pritur zgjedhje e asgjë, qe tash beteja. Kam besim të plotë se do të dalim fitimtarë prej kësaj lufte. Nuk janë sporte të lehta këto, ka kosto, përplasje, hutim, pengime, pesimizëm e zhgënjim por, kam besim, shumë besim. Sa për tezën e qarkulluar nga analistë se kjo rrugë do të çojë në asgjësim dhe shkatërrim të PD do t’i përgjigjem me Konsalvin. Kardinal Konsalvi atyne që kishin frikë se do shkatërrohej Kisha Katolike nga sulmet e armiqëve u tha: “Askush nuk do mund ta shkatërrojë kishën, kur as ne vetë, me gjithë ato gjëra që i bëmë nuk ia arritëm ta shkatërrojmë”. Edhe Partinë Demokratike, kur as vetë kardinalët e PD me gjithë ato gjëra që i bënë e i bëjnë nuk ia arritën ta shkatërrojnë, askush tjetër nuk do mundet ta shkatërrojë. Për sa kohë ka demokratë, PD nuk shkatërrohet, veç do të forcohet. Po nuk pati ma demokratë, shnosh e na rujatt Zoti.

Tash po e mbyll shkrimin sepse po shoh se kam folur shumë në vetë të parë dhe për veten, lash nam. Po një herë në vit ma falni.

Facebook Comments