Nga Red VARAKU

◾◾◾

Ky është thelbi i krizës. Me përgjimet e Zërit të Amerikës dhe BILD shqiptarët dëgjuan me veshët e tyre që z. Rama nuk i ka fituar zgjedhjet, por i ka vjedhur ato me ndihmën e krimit të organizuar.

Ky fakt, tashmë ka edhe vulën e Departmentit të Shtetit dhe firmën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo, që me shpalljen e z. Dako non-grata, vërtetuan të gjitha pretendimet e opozitës.

Për shqiptarët z. Rama është i dyshuar si një kryeministër, që i ka vjedhur zgjedhjet, pra ai dhe qeveria që ai drejton janë ilegjitime.

Për të rifituar legjitimitetin, në politikë ka vetëm një rrugë: dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme. Vetëm në këtë mënyrë, dëshmon që nuk ka patur dijeni për krimin elektoral të 2017.

Vetëm kështu dëshmon që ai është i pafajshëm dhe heq çdo dyshim që mund të cënojë besueshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai e ka jetike, që të marrë edhe njëherë votëbesimin e popullit shqiptar, për të riparuar besueshmërinë e legjitimitetit të fitores së tij, dhe kësisoj të vazhdojë projektin e tij.

Dhe për të vërtetuar legjitimitetin e tij, në politikë ka vetëm një rrugë; të japë menjëherë dorëheqjen dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Të gjithë ne kemi nevojë që Rama të votohet. Të gjithë ne kemi nevojë të shikojmë si do ta gjykojnë shqiptarët Edi Ramën pas publikimeve të Zërit të Amerikës, BILD dhe DASH. Por, më i interesuar për këtë duhet të jetë vetë Rama.

Sigurisht, që mund të dalë që populli edhe mund ta votojë Edi Ramën. Nëse ndodh kështu, nuk kemi ç’bëjmë. Populli nuk gjykohet. Thjesht duhet ta pranosh verdiktin e tij, madje me përulësi, sepse vullneti i popullit është i shenjtë dhe i padiskutueshëm.

Sepse, nuk e ndërrojmë dot popullin edhe nëse ai voton sërish një njeri që i ka shkaktuar plagët më të mëdha.

Ama, për ta parë këtë ka vetëm një mënyrë! Duhet të shikojmë me çdo kusht se si do ta gjykojnë shqiptarët. Rama sot është i vetmi person, i cili e ka të domosdoshme të dalë para gjygjit të popullit të tij për të marrë ndëshkimin ose bekimin e tij.

Nëse shqiptarët i japin bekimin e tyre një njeriu që është kapur duke vjedhur dhe i çertifikuar nga SHBA si hajdut dhe i korruptuar, atëherë opozita duhet të ndyshojë kurs. Ajo do të duhet të përulet para këtij vendimi dhe të ndryshojë tërësisht programin dhe të nisë një proces të edukimit të shqiptarëve.

Facebook Comments