Nga Bardhyl LONDO

◾◾◾

Kanë ndërruar shkrepat e Ballkanit. Auotostradat
si rripa të stërmëdhenj shtrëngojnë belin e gadishullit tragjik.
Po prapë fastfudeve, kafeneve dhe dhe restoranteve të zhurmëshme buzë autostradave
kudo kam parë
plakat me të zeza.

E verdha është e Van Gogut,
bluja e Ticianit,
e zeza tragjike e Ballkanit.

Gratë shfaqen më të ngrysyra se e zeza që kanë veshur,
të inatosura me gjithëkënd, por nuk e dinë përse,
gati janë të nisin luftën, por nuk e dinë se kë kanë armik,
mërmërisin fjalë që nuk I kuptojnë as vetë
ndonse flasin në gjuhën e tyre,
flejnë dhe zgjohen me kujtimin e të vrarëve nëpër luftra
të cilat nuk i dinë përse janë bërë,
I kanë harruar të gjitha rrugët nga skloeroza e pamëshirëshme,
vetëm rrugën për në varreza s’e ngatërrojnë kurrë,
ngrenë këngë vaji për bij e bija që kanë rënë
duke shkelur kufij për të dalë në një botë të madhe,
duke kaluar dogana me një koli cigaresh kontrabandë
sa për të mbajtur fëmijët me bukë,
dridhen nga tmerri kur kujtojnë vajzat e vrara me përdhunë
semaforeve të kuq të metropoleve evropiane.

Impozante si perandorë spektër-rendë
nuk e morën vesh kurrë se cfarë zotërojnë,
mallkojnë veten dhe fqinjët,
as vetë s’e dinë përse,
vitet I masin me një kalendar që as ato vetë s’e kuptojnë:
kur u vra filani,
kur qëlluan filanin,
kur iku djali I madh…

Bijat dhe mbesat e tyre tani vishen krejt ndryshe,
moda nga Parisi dhe Nju-jorku më shpejt vjen tek ato se kudo tjetër.
Po prapë brenda tyre diku rri fshehur
dhe është gati të shpërthejë
e zeza e pikëlluar e Ballkanit.

Facebook Comments