Nga Kastriot MYFTARAJ

◾◾◾

Pse Edi Rama emëroi oligarkun 68 vjeçar të botimeve Piro Misha, alias “Masha e ndryshkur” Sigurimso-Sorosiane, drejtor të Bibliotekës Kombëtare

Këto ditë Kryeministri Edi Rama ka emëruar Piro Mishën drejtor të Bibliotekës Kombëtare. Emërimi është i dyshimtë deri në skandal, për një sërë arsyesh. Pikësëpari, Piro Misha e ka mbushur me kohë moshën administrative të pensionit. Ai i ka mbushur 68 vjeç në shkurt të këtij viti. Është e vërtetë se Qeveria ka të drejtë të punësojë në raste të veçanta njerëz me vlera të posaçme, por çfarë vlerash ka Piro Misha? Çfarë mund të quhet Piro Misha: intelektual i angazhuar apo biznesmen?
Në kohën e diktaturës komuniste Piro Misha u diplomua për frëngjisht dhe punonte si përkthyes librash në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e romanit. Misha ishte një nga përkthyesit që kishte të drejtë të shkruante parathëniet sqaruese të librave të huaj, veçanërisht atyre të autorëve nga SHBA dhe Britania e Madhe, për të cilët regjimi i Enver Hoxhës ishte shumë i ndjeshëm. Misha ishte ndër të rrallët që kishin të drejtë të shkruanin parathënien e librit të përkthyer vetë, kur libri bënte fjalë për tema bashkëhore. Misha shquhej në parathëniet sidomos në sharjet që i bënte CIA-s.
Një libër të cilit Misha i ka bërë përkthimin dhe parathënien është libri i shkrimtarit britanik Ëilliam Ash, titulli i origjinalit “Ride a paper tiger” (1969), i përkthyer në shqip nga Piro Misha, nën titullin “Madrugada rojas” (“Mëngjeset e kuq”), botuar në 1976. Në libër tregohet për zbulimin e një agjenti të CIA-s që kishte infiltruar në revolucionin e një vendi amerikanolatin, për ta sabotuar atë.
Në këtë parathënie Misha shkruan: “Amerikës Latine edhe sot i shkojnë fare mirë për shtat fjalët e thëna nga një shkrimtar për Meksikën gati një shekull më parë: ‘E shkreta Meksikë, kaq larg nga zoti e kaq afër nga Shtetet e Bashkuara”. (“Madrugada rojas”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, f. 3)
Misha, më tutje shkruan në parathënien e librit: “Me El Hueron autori është përpjekur të na japë një figurë sa më realiste sa më të besueshme dhe në të njëjtën kohë një shëmbëlltyrë e armikut të popujve, të imperializmit amerikan, që as duhet nënvleftësuar por as mbivlerësuar, që për individin e vetmuar mund të duket i pathyeshëm, por që për popullin s’ është veçse një tigër prej letre”. (“Madrugada rojas”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, f. 6)
“Imperializmi amerikan është një tigër prej letre” ishte shprehja e Mao Ce Dunit. Duket se propaganda e regjimit komunist shqiptar, me Piro Mishën e kishte gjetur njeriun e përshtatshëm për të bërë parathënien e këtij libri, që demaskonte CIA-n pasi Misha ishte një ekspert në çështjet e shërbimeve sekrete, pasi ai në atë kohë ishte koleg i “El Hueros” nën pseudonimin “Fatosi”.
Në vitin 1983, Piro Misha i bëri parathënien librit të përkthyer prej tij “451º fahrenajt”, të Ray Bredbury, një roman i botuar në vitin 1953 ku imagjinohet një situatë në të ardhmen kur librat do të jenë ndaluar me ligj dhe do të jetë krijuar një polici e posaçme për zbulimin dhe djegien e tyre. Në parathënien e librit Misha shprehet se kjo perspektivë duket qartë në të ardhmen e SHBA-ve. Në parathënien e librit, Misha shkruan: “Ky roman tronditi publikun amerikan, i cili pa aty, si në një pasqyrë magjike, një të ardhme, farat e së cilës dukej shkoqur se si kishin nisur të mugullonin në gjirin e shoqërisë amerikane, dëgjoi aty të kumbonte fort një thirrje alarmi, një britmë e hidhur e dhimbshme paralajmërimi, për t’ i bërë njerëzit të kuptonin e të mbronin ato vlera kulturore, shpirtërore që njerëzimit i është dashur shekuj t’ i krijojë”. (“451º fahrenajt”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, f. 3)
Ironia është se dhjetë vitë pasi Piro Misha shkruante këto rreshta ai u bë përfituesi më i madh i financimeve të Ambasadës Amerikane në Tiranë për botimin e librave, si dhe i financimeve të Fondacionit “Soros” për të njëjtën gjë, dhe i tillë mbetet deri më sot. Edhe financimet e Sorosit janë tërthorazi financime të shtetit amerikan, pasiqë fondacioni ishte i çliruar nga taksat për shkak të kësaj veprimtarie.
Kështu Piro Misha u bë përgënjeshtrues i asaj që kishte shkruar në 1983, në parathënie, se: “Një ëndër e makthshme, por që fatkeqësisht ja shiheni vetë, s’ është larg nga realiteti- duket sikur thotë autori”. (“451° fahrenajt”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, f. 4)
E çuditshme është se si i ka përkthyer këto libra që në origjinal janë në anglisht Pirro Misha, i cili ishte njohës i frëngjishtes. Ai ka përvetësuar përkthimet e të dënuarve politikë, të cilët përkthenin në burgje po nuk botonin dot me emrin e tyre. Diktatura komuniste ia ka dhënë këtë mundësi si shpërblim që ai i ka shërbyer për zbulimin e agjenturës së CIA-s në Shqipëri. Për këtë arsye Misha stërvitej me libra si “Madrugada rojas” Në vitin 1982 Misha ndihmoi në zbulimin dhe dënimin e një “agjenti” të CIA-s në Shqipëri, në kohën e zbulimit të “komplotit” të “poliagjentit” Mehmet Shehu, që supozohej të ishte organizuar nga CIA. Pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe fabrikimit nga Sigurimi i Shtetit të komplotit të këtij “poliagjenti” filluan të kërkohen “prova”për të futur në burg edhe djemtë e tij, mes të cilëve dhe Bashkim Shehun. Për dënimin e këtij të fundit kontribuoi deri edhe si dëshmitar miku i tij, “Brandesi” shqiptar, “Fatosi”. Bashkim Shehu kishte bërë gabimin që pati folur në bisedat me “Fatosin”për gjëra të cilat regjimi i quante kriminale, si për muzikën dhe për letërsinë perëndimore moderne, jetën e mirë ne Perëndim etj. “Fatosi” e shtrydhi kujtesën e tij të mirë prej çekisti dhe i dha Sigurimit të Shtetit “provat” e nevojshme në bazë të të cilave Bashkim Shehu u dënua me burgim politik.
Piro Misha shërbeu si mashë e diktaturës komuniste për punë të mbrapshta si parathëniet e librave dhe spiunimet sigurimse. Me këto të dyja siguronte privilegje për përvetësimin e përkthimeve të të tjerëve.
Pas vitit 1990 Sorosi donte të hapte fondacionin e tij në Shqipëri. Por meqënëse Sorosit nuk i pëlqente që t’ i bënte letrat në rregull sipas ligjit, për disa arsye që shpjegohen qartë në një dosje që e kam gati për t’ ia dërguar SPAK, sapo të nisë nga puna, atij i duheshin njerëz që të nënshkruanin letrat e themelimit të fondacionit në gjendjen që donte ai. Pra, Sorosit i duhej një mashë. Meqënëse Sorosi nuk kishte kundërshtim për të përdorur mashat e ndryshkura të kohës së komunizmit, a mund të gjendej njeri më i përshtatshëm se Piro Misha për këtë qëllim, nënshkruesi i sprovuar i Sigurimit të Shtetit: lexo partisë-shtet. Si shpërblim për nënshkrimet e tij, Piro Misha u bë drejtor i Programit të Botimeve të Fondacionit “Soros” të quajtur “Libra për një Shoqëri të Hapur”.
Me këtë program Misha kanalizoi për veten e tij thuajse të gjitha paratë që dha Sorosi për përkthimin dhe botimin e librave në Shqipëri. Historia sesi Misha e ktheu këtë strukturë të një OJF-je në biznesin e tij privat, është një nga faqet më të këqija të shpërdorimeve financiare në të ashtuquajturën shoqëri civile shqiptare.
Për këtë qëllim Misha krijoi “Shtëpinë e Librit dhe Komunikimit”, e cila shërbente si shtëpia botuese private e tij. Më pas që të mos paguante fare taksa e shndrroi në “Institut”, në fillim Instituti i Librit dhe i Komunikimit, e tani në fund “Instituti i Dialogut dhe Komunikimit”. Instituti është një OJF me anëtarësi. Në një rast tjetër do të tregoj listën e anëtarëve të institutit të tij, me analizën përkatëse.
Ndërsa ruajti financimet e Sorosit, Misha mori edhe financime të mëdha nga USAID për përkthimin dhe botimin e librave. Qëllimi i financimeve nga donatorët e huaj është që librat të shiten me çmimin e kostos, pa fitim, në mënyrë që lexuesit të varfër shqiptar t’ i mundësohet blerja e tyre. Por Misha i ka shitur dhe i shet librat e tij me çmim tregtar, duke nxjerrë fitime. Kështu Misha abuzon me të dy, edhe me shtetin, edhe me donatorët e huaj. Dikush mund të thotë se në rastin e parave të donatorëve të huaj, ata i shpenzojnë sit ë duan dhe ia japin kujt të duan vetë. Nuk është kështu, sepse ato para të huajt ia llogaritin shtetit shqiptar si ndihmë dhe për më tepër përjashtohen nga taksimi si dhurime.
Në Shqipëri ka oligarkë vjedhës të të ardhurave publike në çdo fushë, madje edhe në fushën e botimeve, si Piro Misha.
Tani që Edi Rama po e zhvendos Bibliotekën Kombëtare nga Pallati i Kulturës në sheshin qendror të Tiranës, për te ish-oborri i Gardës së Republikës në hyrje të Parkut të Madh të kryeqytetit, ku do të ngrihet ndërtesa e re e Bibliotekës, duke qenë se ky është një projekt i llogaritur për të nxjerrë përfitime në dëm të pasurisë publike, Ramës i duhet një mashë e stërvitur për ta pranuar dhe zbatuar këtë plan. E ku mund të gjente ai më mirë se “masha e ndryshkur” e vjetër sigurimso-sorosiane.
Biblioteka Kombëtare mund të jetë fare mirë atje ku është sot, në njërin krah të ndërtesës së Pallatit të Kulturës, me kusht që të lirohen mjediset që iu janë dhënë pa të drejtë bizneseve dhe organizatave të huaja në katin e katërt dhe në katin përdhes. Ose mund të përmbyllet ndërtesa e Pallatit të Kulturës duke u ndërtuar edhe pjesa e mbrapm, që do të sjellë shtesë të madhe mjedisesh të lira. E rëndësishme është që Biblioteka Kombëtare të ketë qasje në sheshin qendror të kryeqytetit si është tani. Biblioteka Kombëtare në hyrje të parkut do të jetë krejt një gjë tjetër.
Piro Misha e do postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, jo vetëm për përfitimet që do të ketë me rastin e zbatimit të projektit të zhvendosjes së saj, por edhe sepse ai i thotë Sorosit se ka dekonstruktuar një mit nacionalist, si quhen në zhargonin sorosian institucione të tilla si “Biblioteka Kombëtare”. Duke e larguar Biblitekën nga sheshi qendror prishet një simbolikë dhe dëmtohet në praktikë shërbimi që u ofrohet qytetarëve me anë të saj.
Do të heqin Bibliotekën Kombëtare nga skaji i sheshit qendror dhe do të lenë atje xhaminë. Ironikisht këtë e bën Piro Misha që vite më parë na shtirej si antiislamik i madh. 15 vite më parë ai madje na tha se e kishin kërcënuar me vdekje islamikët për shkrimet e tij në shtyp. Piro Misha, është i krishterë ortodoks, por është nga lloji i atyre të krishterëve të cilët në 1453, kur turqit kishin rrethuar Konstantinopolin, mburreshin se do ta mbronin me jetën e tyre, dhe pastaj u shitën për arin e sulltanit. Në këtë rast “Sulltani” është Sorosi i cili sot kërkon që Europa të hapë dyert për refugjatët islamikë dhe Misha ndjek politikën e tij, ashtu si masha ndjek urdhërat e dorës që e mban atë.
Me “masha të ndryshkura” si Piro Misha Edi Rama vetëm sa ndot duart dhe tregon se cili është, duke përgënjeshtruar vetveten. Thelbi i gjithë kësaj historie është se në kohën që bota po zhvillon teknologji që do të bëjnë të mundur që të futet përmbajtja e miliarda librave në një sipërfaqe sa një kokërr arre, Edi Rama, për të vjedhur paratë publike, kërkon të ngrejë ndërtesë të re për Bibliotekën Kombëtare, kur duhet që këto para t’ i shpenzojë për digjitalizimin e fondit të librit dhe të shtypit shqip, që të bëhet lehtësisht i qasshëm për publikun.

Facebook Comments