Nga Daut DAUTI

◾◾◾

Një përqasje që na kujton dashur padashur tentativën e kryetarit (jo pronarit) të Bashkisë së Tiranës për të prishur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, dikur Kompleksi Skanderbeg.

David Urquhart (1805-1877) ka qenë shkrimtar, udhëpërshkrues dhe diplomat i njohur britanik (skocez).
Urquhart, në rininë e tij, si një filohelen i flaktë që ishte, iu bashkua luftës së grekëve për pavarësi nga Perandoria Otomane dhe u plagos në një nga betejat që mori pjesë.
Por, Urquhartit, si shumë filohelenëve tjerë britanikë, grekët dhe Greqia i dolën ndryshe nga ajo që i kishte imagjinuar.
U dëshpërua me grekët dhe u largua nga Greqia dhe filloi ta përkrahte Perandorinë Otomane dhe t’i madhëronte shqiptarët të cilët i shihte si popullin e vetëm të Ballkanit që meritonte të lavdërohej. Urquhart u bë këshilltari dhe përkrahësi kryesor i kryeministrit konservativ Benjamin Disraeli në ndërtimin e një politike pro otmane dhe pro shqiptare britanike.

Urquhart sot njihet edhe për një vepër tjetër.
Me inciativën e tij u ndërtuan shumë hamame turke në Angli.
Kjo iniciativë ishte e mirëseardhur për higjienën popullore dhe u përkrah në kohën kur në Angli nuk kishte gjithkund kanalizim dhe ujësjellës.

Sot, asnjë nga këto hamame nuk funksionojnë. Por, një prej tyre është shpesh temë e mediave.
Fjala është për hamamin në Hove (Brighton) i cili quhet Medina House (Shtëpia e Medinës) pasi që ishte ndërtuar më 1893 në stilin e shtëpive arabe të Medinës.
Para disa viteve ky hamam është blerë nga David Gilmour, njeriu kryesor i grupit të famshëm Pink Floyd, së bashku me gruan e tij, shkrimtaren Polly Samson.
Gilmour dhe Samson dëshiruan ta rindërtonin hamamin por kjo gjë ishte pamundshme pasi kjo ndërtesë ishte shkatërruar matanë kushteve të riparimit.

Prandaj, Gilmour dhe Samson vendosën ta shkatërronin hamamin por u doli problem i madh.
Banorët e qytetit dhe shoqëria civile britanike protestuan me vite pasi që nuk lejonin prishjen e një ndërtese të rëndësishme historike.
Madje, me këtë rast, kënga ‘The Wall’ e Pink Floyd-it u shndërrua në parodi (shiko tekstin në foto).

Më në fund, çifti në fjalë, kanë marrë lejen që ta prishin ndërtesën deri në themel por në vend të saj të ndërtohet një e re e cila duhet të jetë tërësisht e njejtë me të vjetrën.
Megjithatë, kjo është mirë dhe duhet të shërbej si shembull se si duhet të ruhen ndërtesat e vjetra dhe tradita.

Facebook Comments