Nga Erl KODRA

◾◾◾

Në fillim e pyetën se çfarë është ajo fjala në fletore:

“Pse shkruan gjithë ditën, ti djalë bredharak?!”

(Po flitshin për shënimet e mia në rrjetën e madhe globale)

“Për fjalët që i renditë sipas qejfit tand,
Pa pyetë së paku, se këtu gjanat bahen sipas rendit,
Atij rendi që ti nuk e do, madje nuk lejohet,
As të lyesh muret me tejdukshmëri prej qelibari”.

Pastaj rrotullohesh i dëshpëruem prej mallit tand,
Në lkurë t’rrymeshme njësoj si soji yt,
Që me lahutë knonte për dashni,
E për mort ia merr’ një rapsodie
Si Rizah Bllaca n’vakt.

Djalë, ti nuk mundesh me këndue gjithmonë,
Sipas qejfit që t’buron prej gjyksit tand.
Sepse, ka mundësi që papritë ke me e gjetë një gjarpën,
T’fshehtë mes teshave t’mëndafshta,
Prej kah buron fjala e rrjeshme e mirësjelljes,
Nëpër fasadat e ndriçueme.

Ti nuk mundesh me qenë gjithmonë ashtu,
I shlirët, domethanë i lirë,
Pavarësisht se formalisht ti ngjanë si njeri,
Ti nuk mund të barazohesh me ne- domethanë me qasjen tonë kulturore,
Që t’bardhën e nxinë, e terrin e bajmë vizllimë.
Për qejfin e qesaj Shqipnie,
Që po e shfrytëzojmë deri në gjethen fundit.

“Ruaju mjeshtër, se na të qethim shkurt,
Jo vetëm fjalën”.

1 Gusht 2019

Facebook Comments