Ky eshte Procest verbali origjinal i ngjarjes se qershorit 1947, ku marinar Spiro Kote vret 3 persona ne anijen Mujo Ulqinaku. (Per kete ngjarje ne 1967 u realizua filmi “Duel i heshtur”)

­­Drejtoria e Punëve të Brendshme Durrës Dega e Ndjekjes së Krimeve Durrës,
5 qershor 1947
.

Lënda: Marinar Spiro Kote vret kapter Vlash Bushin dhe dy të tjerë për tradhti arratisjeje. Ministrisë së Punëve të Brendshme (degës për zhdukjen e krimeve) Tiranë Ju parashtrojmë se më datën një të këtij muaji, ora 16.00:
1. Kapter Vlash Bushi i Vasilit dhe i Katerinës, datëlindja 5 korrik 1912, lindur dhe banues në Durrës.
2. Marinar Xhemal Kërrniqi, biri i Mustafait dhe i Bedries, datëlindja 13 shkurt 1920, lindur në Shkodër dhe banues në Durrës.
3. Marinar Enver Kruçi i datëlindjes 24 qershor 1924, lindur dhe banues në Shkodër, që të tre me shërbim në kapitanerinë e portit Durrës,
-Keta duke mashtruar rojën e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, marinar Spiro Koten me pretekste të ndryshme, janë nisur për t’u arratisur drejt Italisë. Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të Mezo kanalit, i njoftojnë marinarit roje qëllimin e tradhtisë dhe ikjen për në Itali. Atëherë marinari në fjalë, duke parë tradhtinë dhe mashtrimin që ata i kishin bërë, mendohet dhe merr masat për t’i vrarë me një automatik që ndodhej i varur në dhomën e fjetjes së motovedetës. Duke përfituar nga rasti se dy tradhtarët ndodheshin në timon, vret të tretin në dhomë dhe pastaj vret edhe dy të tjerët një nga një. Pasi kryen këtë vepër, merr vetë drejtimin e motovedetës dhe kthehet për në Durrës, ku arrin në orën 20:00 duke vënë në dijeni për ngjarjen kapitenerinë dhe si kishte mundur të evitonte tradhtinë. Në pyetjet që i janë bërë prej prokurorit publik të qarkut dhe shefit të seksionit të Sigurimit, dëshmitari okular marinar Spiro Kote, i Stojanit dhe Amelisë i datëlindjes 1925, lindur në Korçë dhe banues në Durrës, ka deklaruar si vijon:
– Në datën e sipërme isha roje i motovedetës “Mujo Ulqinaku”. Në ora 16 ishin me mua edhe marinarët e tjerë, Vasil Kosta dhe Jorgji Sholla, të cilët më vonë ikën duke më lënë vetëm. Në këtë kohë vjen kapteri Vlash Bushi dhe më thotë se kur të vijë kapiteni i rimorkiatorit, jepi këto plaçka (një valixhe) dhe njëkohësisht më tha: “Do të shkosh te magazina dhe do të marrësh 15 kuti vaj lubrifikant”. Unë iu përgjigja se jam vetëm roje, por ai këmbënguli në urdhrin e tij, duke thënë se mund të rrinte vetë aty si roje. Atëherë e pyeta se sa kg mund të peshonin ato 15 kuti dhe ai më tha 10-15 kg. Mora një thes dhe u drejtova për në magazinë sipas urdhrit. Kur shkova, nuk gjeta gjë. Nëntoger Vasil Xhaxhon e kërkova në zyrat e kapitanerisë, por nuk ishte. Atëherë u ktheva përsëri në motovedetë, kur përveç kapter Vlashit gjeta edhe marinarët Xhemal Kërrniqi dhe Enver Kruçin, të cilët i pyeta se çfarë donin. Këta m’u përgjigjën se i kishte thirrur kapter Vlashi, pasi do shkonin në motovedetë për të arritur një rimorkiator që ka shkuar përpara dhe në të cilin ishte kapiten Petro Prifti, nëntoger Vasil Xhaxho dhe kapter Anastas Qendro, pasi do bënin prova. Në këtë kohë vjen kapter Vlashi, i cili ishte larguar për një çast. I thashë se vaj nuk gjeta. Ai më tha nuk ka gjë dhe tha se do shkojmë përpara te tre shokët e sipërpërmendur. Kështu u nis motovedeta nën drejtimin e kapter Vlashit. Kur sapo kishim bërë pak milje rrugë, pyeta kapterin se nuk po shihnim gjë. Ai më tha të vazhdonim akoma. Kur kaluam rreth 10 milje në det, kapteri qeshi dhe më tha se po shkonim në Itali për t’u arratisur. Më thanë se po të doja, mund të kthehesha dhe për këtë mund të më lëshonin salvaxhenten. Unë duke parë se ishim larguar shumë dhe për të gjetur një mënyrë tjetër spastrimi, u thashë se do vija me ta. Në këtë kohë, Xhemali i tha Vlashit, pse nuk kishte marrë një busull, kur vuri re se kjo i mungonte. Vlashi duke më parë mua si të menduar, i thotë Xhemalit të më jepte ca kurajë. Në këtë kohë Xhemali nisi të më thotë se në Itali do të rroja mirë, do të paguhesha mirë etj. Më tha se nëse doja të shtrihesha pak, mund të shkoja të qetësohesha në dhomë. Kur shkova atje, pashë të varur një automatik. E fsheha automatikun nën krevat, së bashku me karikatorin që kishte dhe shkova të shikoja nëse kishte armë të tjera. Vendosa t’i vras. Njëkohësisht mblodha edhe çelësat e ndryshëm të motovedetës. Në këtë kohë erdhi Xhemali në dhomë dhe mori një palë mbathje. Po kështu, erdhi edhe Vlashi që çau valixhen e rreshter Gjinit që ndodhej në dhomën e fjetjes për të parë se ç’kishte brenda. Vlashi më thotë të shkoja e të gjeja alfabetin mors, sepse po i afroheshim Brindisit. Unë nisa të kërkoja alfabetin, në këtë kohë Vlashi me Enverin ishin në timon, duke i thënë Xhemalit se më duket se ishte një tjetër i tillë, por nuk e dija se ku ishte. Xhemali më tha se po e kërkonte ai. Unë mora automatikun dhe menjëherë zura derën dhe i dhashë një seri të shtënash Xhemalit, duke e rrëzuar përtokë. Menjëherë hipa shkallët për të vrarë dy të tjerët. Në këtë kohë pashë Vlashin që u ngrit pasi kish dëgjuar krismat dhe kur më pa, vuri dorën në revolver që të shtinte kundër meje. Por unë me një shpejtësi shtiva kundër tij në gjoks e sipër dhe e lashë të vrarë. Revolveri nga dora i ra në det. Kur Enveri pa se Vlashi ra përpara tij i vrarë, u ngrit. Unë duke mos ditur se Enveri kishte revolver, pasi nuk dija të drejtoja motovedetën, vendosa ta detyroja këtë me automatik në dorë që të kthente motovedetën dhe ta drejtoja për në Durrës, por kur pashë se ai nxori menjëherë revolverin e tij, menjëherë i dhashë në kokë disa të shtëna automatiku dhe e lashë të vrarë në vend. Për mua puna më e zorshme ishte të ktheja dhe të drejtoja motovedetën, sepse nuk kam drejtuar kurrë deri sot, megjithatë me guxim e ktheva me atë shpejtësi që kishte, me gjithë dallgët dhe lëkundjet që më bënte, mora drejtimin për në Durrës. Ora ka qenë 18:00. Në këtë kohë dëgjoj të rënkuarat e Xhemalit dhe pashë se nuk kishte vdekur, por po mundohej të ngrihej. Duke rezistuar më tha: “Ah ta dinim kështu, do të të kishim mbytur”. Atëherë i dhashë një të goditur me tytën e automatikut, pasi ishte i plagosur keq. Pasi lashë këtë, kontrollova dhe dy të tjerët, për të cilët u sigurova se kishin vdekur. Tradhtarët gjatë udhëtimit më thoshin se në Itali do të shkonin mirë, do t’u jepte para Bazi i Canës, do të shkonin në Angli dhe në Amerikë, se këta të qeverisë në Shqipëri e kishin humbur davanë, se anglezi ka flori e çokollata etj. Në Durrës erdha rreth orës 20:00 me vështirësi. Aty më erdhi menjëherë Anastas Qendro, kapteri i marinës, të cilit i thashë menjëherë se ç’kishte ndodhur. Shtoj se para se të nisesha nga Durrësi, Vlashi ishte shumë i emocionuar. Hynte e dilte në motovedetë, se ndoshta priste edhe shokë të tjerë. Unë si marinar kreva detyrën time kundër tradhtarëve. Mbi ngjarjen e sipërme kjo zyrë dhe ajo e qendrës ka marrë dijeni vetëm pasi janë përfunduar hetimet prej Prokurorisë publike dhe seksionit të Sigurimit.

Drejtori i Punëve të Brendshme Kapiten i dytë Lefter Lakrori

Motovedeta ku u krye krimi

Autori i krimit Spiro Kote

Facebook Comments