Nga Daut DAUTI

◾◾◾

“Siç është e njohur, Ali Pasha, i cili më 1803 ishte emëruar bejlerbej i Rumelisë, në vitin 1807 ia doli që të emëronte dy djemtë e tij, Miftar Pashën dhe Veli Pashën, komandantë të Trikalës në Thesali dhe
Tripolit (Tripoliçe) në Peloponez. Dominimi total i Ali Pashës, krahas shpronësimit të pronarëve të mëdhenj që ishin kundërshtarë të tij dhe caktimit të aramatolikës (αρματολίκια) që të funksiononte në favor të fraksioneve që ishin nën kontroll të tij të drejpërdrejtë, shkaktuan reagime në elitat lokale.

Në të vërtetë, në vitin 1808 dy rrebelime ndodhën në Thesali dhe Peloponez të cilat u aktivizuan nga prezenca franceze në ujëdhesat e Jonit por të cilat morrën referencë ideologjike dhe politike ndaj Revolucionit Serb që kishte eksploduar para pak kohësh.
Kjo pati qëllim politik në drejtim të heqjes së hegjemonisë së Ali Pashës në pjesën jugore të siujdhesës ballkanike.

Para së të vazhdojmë më tutje, në këtë pikë duhet t’i identifikojmë dy ngjashmëri të mëdha të këtyre rebelimeve me atë serbe.

Së pari▪️Asnjëra nga këto rebelime nuk kërkonte që të ishte kundër sundimit otoman por ishte kundër menagjimit të ‘korruptuar’ të djemëve të Ali Pashës. Të rebeluarit orvateshin të themelonin legjitimitetin e balansit të bashkë-ekzistencës së popullatës së krishterë me atë myslimane.
Gjithësesi kjo ishte karakteristika themelore e Revolucionit Serb që është fakt se ai nuk lindi menjëherë si nacionalist por si kërkesë për rikthimin e legjitimitetit otoman (diçka të cilin Milos Obrenovići do ta eksploatonte politikisht në fazën ë dytë) dhe kjo mund të na çoj në kryengritjen e fshatarëve rumunë në Transilvani që u bë nën udhëheqjen u fshatarëve rumunë nga Vasile Horea and Ioan Closça kundër pronarëve të tokave në dimrin e viteve 1784-85.

Së dyti▪️Sikur në rastin serb ku “statusi në status” i autonomisë së Osman Pazvantoğlut të Vidinit ishte definuar për udhëzimet për rebelim, kështu që në rastin e rebelimeve në Thesali dhe Peloponez, luajti rol vendimtar në kryengritjen separatiste kundër Ali Pashës së Janinës. Natyrisht, rezultati ishte ndryshe; përfshirja e Pazvantoğlut e forcoi kryengritjen e sanxhakut të Beogradit kurse djemtë e Ali Pashës ia dolën që ta shtypnin shpejt dhe me efikasitet revoltën mu në zemër të tokës greke.

Por, këto ngjashmëri nuk duhet t’a largojnë vëmendjen nga një dallimi i madh të rebelimit që ndodhi në Peloponez. Bashkëpunimi dhe çasja e fisnikëve të krishterë me ata myslimanë, që u bë nën kujdesin francez, rezultoi në diskutimet që sipas disa hulumtuesve, mund të çonte në nxjerrjen e një kodi të ligjeve në mes dy palëve. Për fat të keq teksti i kësaj marrëveshje finale ende nuk është gjetur por është e sigurt se që të dy palët janë pajtuar që ta heqnin nga pushteti Veli Pashën; janë pajtuar për një qeveri të përfaqësuar në mënyrë të barabartë nga myslimanët dhe të krishterët (dy palët nga 12 anëtarë).
Megjithatë, ky partneritet duket se ka marrë një prapavijë ideologjike, pasi që, sipas Kolokotronisit, të dy palët janë pajtuar për flamur të përbashkët që do ta paraqiste kryqin së bashku me hënën. Sipas Kolokotronisit:
“Flamuri jonë do ta ketë hënën në njerën anë dhe kryqin në anën tjetër […]. Nëse ne do ta pushtonim Peloponezin, do t’i raportonim sulltanit për t’i treguar se rebelimi nuk ishte kundër tij por kundër Veli Pashës – ky ishte plani.”

Kolokotroni

Megjithatë, qëllimi maksimal i revolucionarëve në bërje, ishte autonomia nga Porta e Lartë, sipas modelit serb, siç u përmend më lart.”

Këtë që e lexuat më lartë është pjesë e një punimi shkencor që është bërë nga një historian grek, i cili quhet Dimitris Stamatopoulos. E përktheva dhe e solla në këtë postim për shumë arsye. Së pari, punimi është i shkruar në një gjuhë solide akademike, i hulumtuar mirë dhe si i tillë, për çdo lakmi. Së dyti, ky historian i njohur në Greqi dhe më gjërë, revidon historinë zyrtare greke. Kjo shihet nga mënyra se si i paraqet kryengritjet e para në Greqi të cilat, në fakt nuk kanë patur aspak karakter nacionalist pasi që u mungonte kërkesa për autonomi apo pavarësi. Pra, ky është realiteti dhe duhet të thuhet se kohëve të fundit ekziston një plejadë e konsiderueshme e historianëve grekë që kanë filluar këtë pjesë të histroisë së tyre ta paraqesin në mënyrë neutrale dhe duke i ikur nacionalizmit që e dikton mënyrën e të shkruarit të historisë në Ballkan, e cila ende, me të madhe zbatohet nga serbët, shqiptarët, maqedonët dhe malazezët.

Megjithatë, te këta historianë grekë, përfshirë autorin në fjalë, ka mungesa serioze në drejtim të prezantimit të lidhjes së kësaj historie me atë shqiptare. Historia shqiptare ka filluar të zë vend por ende injorohet në masë të madhe.
Në këtë punim askund nuk bëhet me dije për Ali Pashën dhe djemtë e tij që ishin shqiptarë.
Autori, poashtu i ikë faktit që Pashallëku i Janinës, të cilin Ali Pasha e kishte zgjeruar duke e vënë në sundim një pjesë të madhe të Greqisë së sotme, ta quaj si njësi politike të pavarur nga sundimi i Portës së Lartë apo sulltanit.

Lexuesi i arsimuar në histori nga ky punim e ka të qartë një gjë tejet të rëndësishme. Në kohën kur serbët dhe grekët ishin rebeluar, shqiptarët e kishin shtetin e pavarur nga Porta. Kjo ishte koha kur serbët dhe grekët kërkonin përmirësim të pushtetit e jo autonomi e kurrësesi pavarësi.
Natyrisht, gjërat më vonë morën kahje tjetër por fillimi ishte mu kështu siç e përshkruan historiani grek. Por, problemi qëndron në faktin se historinë nuk e lexojnë vetëm të arsimuarit e fushave përkatëse.

Një gjë tjetër që duhet të thuhet patjetër është se historianët grekë, kohëve të fundit, janë duke prodhuar numër të madh të punimeve shkencore të cilat botohen kryesisht në revista me renome në gjuhën angleze. Nga një hulumtim i shkurtër mund të shihet se në Greqi ka shumë institute dhe universitete të cilat ndajnë mjete të mëdha për buxhet të cilat shfrytëzohen për hulumtime të historisë ballkanike.

Në Kosovë dhe Shqipëri ekziston një përshtypje se as që jemi duke menduar për këtë punë. Në mesin tonë ka njerëz që mund ta bejnë këtë punë në mënyrë të shkëlqyeshme por ata injorohen apo anashkalohen nga institute tona, nëse ato ekzistojnë. Për punë të këtilla duhet jo vetëm buxhet i cili duhet t’i mbuloj hulumtimet por edhe përkrahje morale.
Që të dyja mungojnë dhe ne mundemi të merremi me këto punë vetëm në mënyrë sporadike e cila nuk krijon ndonjë peshë të madhe.

Ndërkohë, historanët grek, ecin përpara, siç ka ecur vazhdimisht edhe shteti i tyre.

▪️ Heronjtë shqiptarë të Revolucionit grek









love




Facebook Comments