Nga Drini PILKATI

◾◾◾

Tiftire Keta, motra e dytë e Myslymit u lind në korrik të vitit 1929 në një familje të thjeshtë Tiranase.
Babai i saj, Hysen Keta ishte mësues në shkollën fillore të Shëngjergjit të Tiranës, pasi kishte mbaruar shkollën për të njëjtën zanat në normalen e Elbasanit. Ndërsa e ëma Nurija ishte shtëpiake si shumë gra Tiranase të asaj periudhë.

Ceni ishte një burrë shume i drejtë dhe realist.
Eksperienca e tij jetike dhe kulturore, kishte influencuar në rezervat që ai kishte ndaj ideve Bolshevike.
Evenimentet ndërkombëtare në Rusi dhe kryesisht mbas Revolucionit të Tetorit 1917, kishin bërë një jehonë të madhe në Shqipëri.
Por më shumë masakrat e Bolshevizmit dhe internimet në kampet e përqëndrimit të Siberisë për popullin Rus, kishin lënë një shije të hidhur në qarqet intelektuale shqiptare të asaj kohe. Dëshmitarë kishin qënë edhe tregimet e Rusëve të bardhë, që kishin ardhur asokohe nga Sërbia në Tiranë, për të luftuar kundër revolucionit demokratik të Fan Nolit.
Mbas restaurimit me forcë të qeverisë së re të Zogut, pjesa më e madhe e tyre ishte larguar përsëri nga Shqipëria, por një pjesë e vogël e tyre kishte preferuar të rrinte në Tiranë.
Njëri prej tyre ishte rusi i bardhë Nikolai Konoplev, që ishte mik dhe bashkëpuntor me dajën e gruas tij, Ymerin dhe për konsekuencë ishte bërë edhe mik i familjes së tyre.

Deri vonë Nikolai ishte në kontakt me Rusinë dhe i tregonte familjes së Cenit, masakrat dhe vuajtjet e miliona Rusëve të Bardhë, nga shteti komunist.
Kjo ishte edhe origjina e një shprehje shumë të spikatur që përdorte Ceni për komunistët :
“ Kali kuq e ka i huq ”.
Mbaj mënd që këtë shprehje e përdorte shpesh gjyshja ime, Nurija dhe më pas edhe nëna ime, Tiftirja. Me këtë shprehje Ceni i shpjegonte me durim fëmijëve të tij, arsyen e mospërputhjes së tij me teorinë bolshevike komuniste, që në Shqipëri ishte në fillesat e saj. Në fillim të vitit 1942, Tiftirja ishte vetëm 13 vjeç, kur vëllai i saj e kishte aktivizuar atë në lëvizjen antifashiste Nacional – çlirimtare, e cila tregon : “ Për herë të parë, Lymi më dërgon në shtëpinë e Adnanit Qatipit me një letër për Fajen ( Xhezmi Dellin ) që ishte kryetar i qarkorit të Tiranës.
Dhe më pas Lymi më dërgonte direkt në shtëpine Xhezmi Dellit, të cilin e kishim patur komshi dhe unë nuk e dija.
Ai më thërriste gjithmonë në sy të shokëve “Korrierja ime trime”. Edhe unë kisha krijuar konfidencë me të, pasi e kisha profesor në klasën e parë të shkollës pedagogjike (Në rrugicën përballë parlamentit) dhe nuk i flisnja asnjëherë për të mos rënë në sy. “

Në këtë shkollë Xhezmi Delli, ishte arsimtar dhe gjatë ditës jepte lëndën e edukatës fashiste, ndërsa mbas pune së bashku me Qemal Stafën organizonin punën e qarkorit të Tiranës, kundra okupatorit fashist.
Megjithëse ishte 4 vjet më i madh se Qemali, ata ishin shokë të ngushtë, pasi kishin studiuar së bashku në Itali, ku dhe ishin shpallur nga autoritet Italiane si antifashistët më të njohur shqiptarë midis studentëve.
Që mbas vitit 1941, Xhezmi Delli ishte një nga antarët më aktivë të qarkorit të Tiranës, madje ai kishte qënë arrestuar edhe në Itali për komplot kundra Duçes, por për mungesë provash në vitin 1940 ishte internuar në ishullin e Ventotenes.
Mbas një viti ai ishte kthyer në Shqipëri, duke u sistemuar me banim në Tiranë, në rrugën Sulejman Pasha nr 38 (sot rruga e Dibrës), ku banonte edhe familja e nënës time.

Që në fillim të vitit 1942, Xhezmi Delli , Qemali Stafa , Vedat Frashëri, Isuf Keçi, të gjithë ish studentë antifashistë në Itali kishin krijuar Grupin e Zjarrit.

Në këtë grup bënte pjesë edhe Lymi me shokët e tij të njësiteve guerrile të Tiranës, të cilët tashmë kishin detyrën e ndëshkimit të tradhëtarëve të kauzës së tyre për luftën antifashiste.
Pak më pas me inisiativën tyre, në shkurt 1942 u krijua edhe Grupi Debatik , ku bënin pjesë edhe të rinj antifashistë nga qyteti i Tiranës, midis tyre edhe nëna ime, Tiftire Keta.
Ishte periudha kur disa baza të qarkorit të lëvizjes Antifashiste të Tiranës kishin filluar të tradhëtoheshin nga emisarët Jugosllavë.
Por më flagrante dhe e hidhur për familjen e nënës time ishte vrasja e Qemal Stafës nga policia fashiste, e cila ishte vetëm tradhëti dhe konkurencë e pastër për pushtet.

Siç tregonte nëna ime :

“Në grupin e Debatikut, kam qënë bashkë me Musa Anadollin, Filomena Nishkun, Gëzim Erebarën, Liri Kroin dhe disa të tjerë dhe mbanim kryesisht kontakt me antaret e qarkorit të Tiranës, si Meriban Najdeni, Nazmije Keta, Ylbere Bylykbashi dhe Zylfie Tomini.

Merreshim me ndarjen e trakteve kundër okupatorit, hedhjen e trakteve antifashiste në kinema, të cilat i merrnim nga shtëpia e Musa Anadollit, që banonte në rrugën Isa Boletini.
Në kinema hynim pa paguar, pasi na fuste Medin Bega, përfaqësues i Metro Goldwyn Mayer’s në Shqipëri dhe miku i Xhezmi Dellit.
Përveç punës në grupin tim, unë ngarkohesha edhe me detyra nga shokët e njësitit guerril të Tiranës, duke çuar letra dhe porosi të rëndësishme tek rruga e Elbasanit, në shtëpinë e Ilo Pandukut edhe ky antar i qarkorit të Tiranës.
Kur njësiti guerril vodhi shtypshkronjën Gutenberg, Lymi e solli atë në shtëpinë tonë, por duhej të nxirrte më pas jashtë Tiranës.
Të nesërmen së bashku me motrën, nënën dhe një karrocier të njësitit, e ngarkuam dhe e çuam tek shtëpia e nondajës tonë, në rrugën Mihal Grameno .
Baba kishte shumë besim tek Lymi edhe pse ishte i ri, prandaj ai pranoj pa asnjë problem inkuadrimin e tij që herët në luftën antifashiste. Megjithatë, në vetvehte ai nuk ishte i qetë dhe për këtë nuk pushonte së porosituri të birin për zgjedhjen e shoqërisë, pasi sipas tij, ai ishte shumë i drejtë ( Baballik) dhe kjo i kalonte kufijtë.
Me kalimin e kohës, aktiviteti i Lymit në lëvizjen antifashiste u intensifikua aq shumë, sa që filloj të binte në sy edhe të autoriteteve fashiste.
Për shkathtësine dhe guximin, Lymi ishte shumë i njohur dhe respektuar në shoqërin e tij, por të njëjtin autoritet dhe respekt gëzonte edhe i jati i tij në lagje.
Një mëngjez Baba ishte ulur i vetëm në një kafe, në krah të rrugicës ku ai banonte.
Ndërkohe afër tij hapet dera e shtëpisë së Rustem Petrelës dhe prej saj doli Mehdi Bej Frashëri ( i biri i Abdyl Frashërit ) që në atë kohë ishte Minister Arsimi.
Rustem Petrela ishte një tiranas i pasur dhe shtëpine e tij shumë të madhe në rrugën Sulejman Pasha (Sot rruga e Dibrës) të cilën e kishte ndarë përgjysëm, duke ja dhënë me qira pjesën e fasadës buzë rrugës, Mehdi Beut, ndërsa atë mbrapa Vasil Dilos , një avokat shumë i njohur asokohe në Tiranë.
Mediu po drejtohej për të hyp në makinën e tij, që ndodhej në trotuarin përballë dhe sapo pa Cenin , ndalon dhe i ulet atij serbes në tavolinë.
Mbasi e pyet fillimisht për punën në shkollën e tij në Shëngjergj, Mehdi beu i drejtohet atij me takt, duke i thënë :

” Cen Efendi, kam marrë vesh se Lymi është lidhur me shokë jo të mirë dhe është shumë i ri, prandaj mendoj se ti duhet ta këshillosh “.
Fillimisht baba ishte zënë pak ngushtë, megjithatë ai nuk ngurroi ti përgjigjet se :
“Nuk kam ç’ti boj Mehdi Bej, pasi jon të ri dhe kon menjen e vet”.
Me kaq ata u kuptuan në sy me njëri – tjetrin dhe u ndanë duke u përshëndetur miqësisht.
Edhe një ditë tjetër Mehdi Beu e thërret babën në shtëpin e tij, por kësaj rradhe ai ishte shumë i shqetësuar.
Ishte vjeshta i vitit 1942 dhe Lymi kishte dalë në ilegalitet.
Një natë më parë dikush kishte qëlluar nga larg një dhëndrin e tij, Teki Kolonjën ( Cacon ), i cili atë natë po vinte në shtëpin e tij.
Teki Caco ( ishte daja i babait tim, Sabri Pilkati ) oficer me gradën e majorit dhe drejtor i Rrobaqepsisë Ushtarake.
Atë natë ai i kishte parë ata që e qëlluan nga larg, të cilët kishin dalë nga rrugica e Molit ( Ismail Ketës ) dhe këtë ja kishte treguar Mehdiut.
Mehdiu kishte shumë besim tek Ceni, prandaj fillon ti flasë atij më hapur, duke i thënë se :
“Ne e dimë që shtëpia e Molit është bazë e Nacional – Çlirimtares, por si komshi nuk kam dashur të njoftoj italianët.
Prandaj është mirë ti thuash Dullës që të shikoj punën e vet dhe mos të shqetësoj familjen time”.

Të nesërmen në darkë Lymi vjen në shtëpi dhe baba i thotë atij të gjitha ato që i kishte thënë Mehdi Beu.
Por Lymi me të qeshur i ishte përgjigjur babës se :

“Thuj Medi Beut se as ai dhe as dhondri i tij nuk jon në listën e spiunëve dhe tradhëtarëve që do të eleminojmë “.
Dhe baba i ishte përgjigjur se :
“Or bir, lufta osht luftë dhe respekti, respekt dhe komshilliku osht pjesë e saj “.
Një mbrëmje të nëndorit të vitit 1942 në rrugën Sulejman Pasha ku Dulla kishte berberhonen e tij, vinë dy milicë fashistë për ta arrestuar dhe shoqëruar në kuesturë.
Atë natë ai kishte ftuar për darkë dy shokë të qarkorit të Tiranës, Xhezmi Dellin dhe Vedat Frashërin, prandaj e kishte mbyllur dyqanin pak më shpejt se zakonisht. Dulla lëvizte gjithmonë i armatosur dhe pasi parashikoj rrezikun, pa e bërë fjalën dysh qëllon mbi njërin prej tyre, ndërsa tjetrin e çarmatos.
Këtë e bëri për të pasur kohë për të njoftuar shokët e tij, të cilët e prisnin brënda në shtëpi, prandaj menjëherë me vrap ai hyn në shtëpin e tij dhe largohet bashkë me ta, duke kaluar mur më mur.
I plagosuri kishte qënë brigader i karabinjerisë fashiste dhe quhej Njazi Çami dhe për konsekuencë mbas pak kohe vinë përforcime, të cilët pasi marrin policin e plagosur, fillojnë një kontroll të rreptë në lagjen e tij.
Me shtëpinë e Dullës na ndante vetëm një avlli, prandaj patëm pak kohë që me motrën e tij, Nazmijen dhe timen, Verën të largonim gjithçka që pamë me sy të parë.
Të nesërmen morrëm vesh se karabinjeri kishte vdekur dhe lagja jonë ishte rrethuar për gjetjen e Dullës, por që atë natë ai ishte larguar pa lënë asnjë gjurmë, duke dalë në mal “.
Ishte periudha kur gjithë antarët e Grupit të Zjarrit ishin tradhëtuar dhe drejtuesit e tij asgjësuar nga brënda Lëvizjes Antifashiste Shqiptare. Qemali ishte vrarë në 5 maj 1942 dhe Dulla kishte dalë në mal, por edhe Xhezmiu dhe Vedati ishin zhdukur pa lënë gjurmë edhe fashistat nuk kishin asnjë dijeni për këtë ngjarje.
Në këto kushte edhe për Lymin situata në Tiranë ishte bërë e pamundur, pasi ishte tradhtuar dhe rrezikonte të arrestohej nga momenti në moment nga f
ashistët.
Siç tregonte përsëri nëna ime :
“ Një natë para se të dilte Lymi në mal, fashistët erdhën në shtëpinë e Dullës, duke i thënë familjes se kishin në kuesturë trupin e pa jetë të Dullës, të cilin e kishte sjellë atje një fshatar nga Shëngjergji.
I kishte thënë se e kishte gjetur të vdekur në fund të një gremine të thepisur të malit të Dajtit.
Italianët i kishin thënë familjes se Dulla nuk kishte rënë vetë në greminë, por e kishin vrarë shokët e tij dhe pastaj ata e kishin hedhur më pas në greminë.
Këtë e kishin ekzaminuar edhe ata, duke i thënë familjarëve që nesër mund të vini ta shikoni fare mirë vetë.
Atë natë të dy familjet tona e vajtuan Dullën e shkretë dhe mbas mesnate vjen edhe Lymi, i cili na konfirmon edhe tradhëtinë e Dullës, duke na thënë se kjo është vetëm puna e Dylberit ( Enverit ).
Dulla kohët e fundit i kërkonte Dylberit pagesën e qerave të muajve të fundit që ai kishte ndejtur në shtëpinë e tyre dhe shpërblimi ishte vrasja e tij.
Para se të largohej ai i kishte thënë babës se kam ardh me marrë Tiren për në mal se mund ta arrestojnë prej meje , por baba i ishte përgjigjur se :
“ Të lutem Lym më le në hallin tem, se ty të kam qa që kur ke fillu luftën, por gocën nuk ta jap për aventurat tuja “.
Mbas 2 orësh ai ishte larguar për në mal dhe baba e luste që të kishte kujdes dhe mos ti besonte njeriut, por Lymi i premtoj atij se :
“ Mua nuk mund të më vrasin si Dulla, se e dinë si përfunojnë “
Mbas çlirimit Tiftirja u bë një aktiviste e dalluar madhe dhe simbol i rinis antifashiste, e gatshme për riorganizimin e saj dhe rindërtimin e vëndit pas shkatërimeve të luftës.
Në vitin 1946 ishte deputete në kongresin e rinisë Antifashiste Shqiptare.
Mbas rrënimeve të Luftës së Dytë Botërore, pamja e bukur e Tftires u publikua shpesh nga sistemi komunist, për të promovuar rinin shqiptare.
Nuk kishte inisiativë për të rindërtuar Shqipërinë e shkatërruar nga lufta që nuk merrte pjesë nëna ime.

Aktiviteti më i madh sportiv organizuar mbas lufte, ishte spartakiada e rinisë antifashiste shqiptare, ku simbol kishin zgjedhur kësaj here nënën time të urtë dhe të shtrejtë , Tiftire Keta.

Më pas ajo mori pjesë edhe në aksionin e ndërtimit të hekurudhës Tiranë – Durrës dhe Durrës – Rogozhinë dhe në parakalimin e inagurimit , gjithmonë si simbol i bukur i rinisë Antifashiste Shqiptare .

Për aktivitetin e saj në rindërtimin e Shqipërisë, në prill 1946, ajo dekorohet me ” Medaljen e Punës ” nga Kuvëndi Popullor.

Kjo ishte medalja e parë që trokiti në familjen Keta mbas çlirimit, ndërkohë që vëllai i saj, Myslymi, vazhdonte luftën edhe jashtë Shqipërisë.
Edhe mbas lufte Tiftirja e ruante miqësin me shoqet e Luftës, midis tyre Liri Kroin.

Në vitin 1946 Tiftirja fillon përsëri studimet në Liceun Artistik të Tiranës për Mjeshtri Aktori me korrespondencë, të cilën e kishte ndërprerë prej luftës.
Po atë vitë fillon punë në Teatrin e Kukullave, ku punon për një vit.
Me të mbaruar Liceun, në vitin 1947 Tiftirja u aktivizua me grupin e parë të Teatrit popullor të Tiranës si aktore.

Ishte shumë e urtë, modeste dhe nuk donte të binte asnjëherë në sy për bukurinë e saj, prandaj zgjidhte shpesh herë vetëm role dytësore.

Me aktorë rus tek
“Për ata që janë në det”
apo “Prefekti “ me Mihal Popin dhe Gjon Karmën
Në vitin 1947 për familjen Keta troket edhe medalja e dytë, por kësaj radhe ishte medalja më e lartë që mund ti jepej një luftëtari të gjallë.

Në fund të vitit 1950, Tiftirja martohet me Sabri Pilkatin (babain tim), i cili sapo kishte ardhur nga Kairo, ku kishte ndejtur për gati 3 vjet si sekretar i parë i Ambasadës Jugosllave atje.
Ishte periudha kur Shqipëria nuk ishte përfaqësuar askërkund në botë dhe Tito kishte marrë inisiativën për promovimin e Shqipërisë.

Ishin pothuajse të barabartë në trup dhe bukuri dhe për konsekuencë ata formuan një nga kopjet më të njohura të asaj kohe në Tiranë. Sabriu e kishte njohur Tiftiren në shtëpinë e kushërirës së saj, Nazmije Ketës, mbas çlirimit të Tiranës, ku ai kishte ndejtur i plagosur për të tretën herë në çlirimin e Bashkisë së Tiranës nga gjermanët.
Nazmija kishte qënë shkesi i kësaj mblesërie, si dhe një grua me vlera në luftën Nacional–Çlirimtare .
Në shtepinë e tyre kishte ndejtur me qira Enver Hoxha për vitet 1938- 1940, gjatë kohës që ai punonte në librarinë ” Flora”.

Mbas martesës Tiftirja largohet nga teatri popullor dhe fillon universitetin në fakultetin e Histori – Gjeografisë, me korespondencë dhe për pasojë fillon punë edhe në Muzeun e Luftës Nacional – Çlirimtare, që ndodhej në rrugën e Barrikadave.

Ky muze ishte në një vilë të madhe dhe shumë të bukur në rrugën e Barikadave, e cila ishte pronë e nje tregtari shumë te njohur tiranas, i quajtur Ali Qoraliu, por sekuestruar mbas çlirimit nga qeveria komuniste.
Mbas vitit 1956, Tiftirja transferohet me punë në Arkivën e Filmit, pranë Kinostudios, pasi gjatë konferencës së Tiranës të atij viti, vëllai i saj Lymi ishte shprehur për shkarkimin e Enverit dhe degjenerimin e udhëheqjes si dhe luksin në bllokun e udhëheqjes së partisë, ndërkohë që babain tim donin ta ngatërronin me këtë histori, edhe pse atë kohë ndodhej jashtë shtetit.

Në 25 shkurt 1966 Enver Hoxha organizon eleminimin e dajës dhe Tiftirja nuk e mbante dot vehten kundra tradhëtisë së fundit ndaj familjes saj, duke u shprehur pa frikë se vëllain ma vrau Enveri, duke vazhduar tradhëtin e tij që para lufte dhe kjo ishte vërtetuar pasi ai kishte kundërshtuar homazhet e tij në Kuvendin Popullor, siç i takonte një heroi.
Tashmë drejtuesit e rrezikshëm të ish Grupit të Zjarrit ishin eleminuar tërësisht dhe ai mund ta shtynte terrorin edhe për 20 vjet të tjera.
Edhe pse jashtë profesionit të saj , Tiftirja e ndjente shumë mirë vehten edhe në arkivën e Kinostudios, pasi ishte gjithmonë mes artistësh dhe shoqesh si Xhanfise Keko e të tjerë.

Pas 20 vjetësh në Kinostudio, në vitin 1976 Tiftirja u përjashtua nga Partia me urdhër të Manush Myftiut dhe po atë vit ajo u dëbua nga Tirana, duke shkuar mbas të shoqit në Buzë të Tepelenës.
Një vit përpara edhe babai im ishte përjashtuar nga Partia, duke i dëbuar nga Tirana, për në fshatin Buz të Tepelenës.
Ky ishte shpërblimi që diktatura komuniste i jepte nënës time, pas gati 40 vjet sakrificash në luftë dhe punë.
Atje nëna ime filloj punë në librarinë e fshatit, ndërsa babai ekonomist në kooperativë.
Buzi ishte fshat i thellë malor, pasi vetëm për të shkuar në qytetin më të afërt nga të dy krahët, Berati apo Këlcyra duheshin disa orë.
Në Buz të Tepelenës ajo ndejti për gati 5 vjet, pasi kjo ishte vetëm puntata e parë e dënimit nga diktatura komuniste, pasi në vitin 1980 babai im u arrestua nga Sigurimi i Shtetit si armik i popullit, për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër Partisë.

Mbas dënimit të babait tim nga diktatura komuniste, në vitin 1981 Tiftirja kthehet në Tiranë pranë fëmijëve të saj, të cilët banonin në një apartament në rrugën Ferid Xhajko, afër uzinës Dinamo. Tashmë ne ishin bërë gati si zogjtë e qyqes, pasi vëllanë e madh Fatosin e kishin larguar nga gazeta Zëri i Popullit dhe e kishin caktuar si arsimtarë në malësinë e Shëngjergjit dhe mua pasi kisha mbaruar universitetin më kishin caktuar si mercelog në rrethin e Pukës.
Në Tiranë kishin mbetur motra arsimtare në Babrru dhe vëllai i vogël Iliri , i cili pasi kishte mbaruar ushtrinë, kishte filluar punë tek Gani Luzi.
Pronat tona i kishte shtetëzuar diktatura komuniste, por edhe ato që kishin mbetur i kishin dhunuar njerzit tanë.
Në vitet e të ashtuquajturës Demokraci Tftirja u morr me rikthimin e pronave, duke u përballuar me korrupsionet nga më të ndryshme që ekzistonin në atë periudhe.
Kjo ishte periudha më e vështirë e jetës së saj, pasi ju rikthyen shkresërisht të gjitha pronat, por aventurat e saj me jetën nuk kishin mbaruar akoma, pasi nipërve dhe mbesës së saj i ishte rritur oreksi dhe kishin filluar gjyqet e turpit për familjen tonë.
Siç thote populli : “Nënës time ju shpif kanceri “
Mbas sa e sa mundimesh 10 vjeçare në hipoteka dhe gjykata.
Kjo influencoi në ndarjen e saj nga jeta në 18 dhjetor të vitit 2000, në moshë akoma të re, rreth 71 vjeçare.
Para ndarjes nga jeta ajo nuk kishte merak tjetër, përveçse po largohej pa u hakmarrë ndaj tradhëtarëve që vranë Lymin dhe që ishin akoma gjallë.
Na kërkonte kohët e fundit një pistoletë për të heq qafe një spiun ordiner të diktaturës, Mark Dodanin, pasi e kishte marrë vesh se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të saj. Madje e kishte takuar edhe në rrugë dhe i kishte thënë që do ta jap unë plumbin që meriton , por për fat të keq nuk kam pistolet me vete.
Këtë amanet na e la edhe ne, por kohët e fundit edhe ky spiun ordiner i diktaturës e kishte larë vetë “halen” e tij .

Me gjithë mundimet e panumërta nga ana ime për vazhdimin e kauzës së saj, nënës sime dhe lotëve të panumërta që po mbushin tastierën e kompiuterit , nuk mund të lija pa i bërë asaj homazhet me këtë shkrim në 90 vjetorin e lindjes, nënës time të dashur dhe të paharruar, të bukurës Tirftire Keta.
Me këtë shkrim të përmbledhur të jetës së saj sot po ndaj me ju o miqt mij këtë hidhërim.













Facebook Comments