Kryeministri Edi Rama, në vitin 1994, kur nuk kishte hyrë ende në politikë, ka dhënë një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga. Në këtë intervistë, Rama bën disa pohime për veten e tij, të cilat duke i lexuar sot, kur ky njeri ka arritur majat e pushtetit, duken mjaft tronditëse. Rama pohon me gojën e tij, se nuk është një njeri i arsimuar dhe se ka më shumë lidhje me “meditacionin”, për të cilin thotë se është më i vlefshëm se sa arsimi. Rama gjithashtu thotë se “që herët kam lexuar pa u përqëndruar” dhe ndonjëherë “flas edhe kot“.

“E vërtetë, sepse unë nuk jam një njeri i arsimuar, më tepër kam afinitet me meditacionin. Qëndrimet e mia, fjalët, veprimet, nuk vijnë nga dija, nga një sistem dijesh, prandaj tek unë gjërat lëvizin shumë shpejt. Unë kam lexuar shumë, por edhe shumë pak. Që herët kam lexuar pa u përqëndruar. Shpesh kur lexoj e kap veten se nuk e kam mendjen tek fraza, por tek një ngjarje që më vjen në mënyrë asoçative, apo duke fantazuar. Kur shkruaj jam plotë dhe kam patjetër diçka për të thënë. Ndërsa, kur flas, mund të flas edhe kot, madje në momente të caktuara mund të them marrëzira. S’ka kurrë garanci nëse do flas mirë apo jo, kjo varet nga momenti. Po kështu më ndodh me gjuhët e huaja. Ka raste kur bashkëbiseduesi mendon se flas mirë, në të tjera raste ai mendon se unë s’di fare. Unë kurrë s’e kam mësuar gjuhën e huaj, ndaj edhe të folurit e saj e kam të lidhur të momentit. Herë-herë, mendoj se është më i vlefshëm meditacioni se sa arsimi, por ndoshta ky është vetëjustifikim.“

Facebook Comments