Nga Fitim ZEKTHI

◾◾◾

Në qoftë se do të vinte dikush nga një kohë tjetër apo nga botë tjetër dhe do të lexonte librin “Blloku” të mjekut personal të Enver Hoxhës, ai me siguri që do të mendonte se Shqipëria në vitet 1944-1991 ishte qeverisur nga një grup njerëzish, nga një parti apo një klasë politike, në të cilën kishte heronj, që kishin bërë trimëri të mëdha për ta çliruar këtë vend, atdhetarë të mëdhenj, njerëz që kishin bërë të mundur me shumë sakrifica zhvillimin e vendit etj.

Kjo klasë politike, ose kjo parti, kishte pasur në krye një njeri që kishte udhëhequr luftën, që kishte pasur tipare trimi dhe burri të fortë, që ishte përballur me kurajë me vështirësitë dhe armiqtë, që kishte eliminuar kundërshtarët, të cilët që të gjithë ishin shumë më hileqarë, shumë më shërbëtorë të interesit të tyre, ose të ndonjë interesi tjetër sesa kushdo.

Në linja të përgjithshme ky libër do të krijonte idenë se vendi zhvillohej, se njerëzit jetonin mirë, se udhëheqësi politik jetonte me shqetësimet e njerëzve.

Bota ka njohur gjithnjë libra me kujtime. Shumë prej këtyre librave kanë shërbyer si dëshmi për historinë, për të njohur periudha apo njerëz të ndryshëm, për të njohur regjime, sisteme politike, gjendje shoqërore etj. Pa dyshim që librat me kujtime në përgjithësi vuajnë nga subjektivizmi. Autorët zakonisht përpiqen të fokusohen te detaje, elemente, ngjarje, të dhëna që i nxjerrin ata mirë dhe fshehin anët e dobëta apo të errëta. Kjo ndodh rëndom, por gjithsesi autorët e kujtimeve serioze janë shtyrë gjithnjë nga nxjerrja në dritë e thelbit, janë udhëhequr nga një sens moral mbi të vërtetën dhe të drejtën.

Libri i mjekut personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalos, është fund e krye një libër i tmerrshëm. Autori e thotë vetë në fillim të librit se ai e ka parë Enver Hoxhën si pacient, e ka trajtuar dhe e ka njohur si pacient dhe flet për të dhe Bllokun nga këndi i mjekut personal në përpjekje të hedhë dritë mbi Enver Hoxhën dhe Bllokut nga ky kënd. Isuf Kalo thotë se ai, gjatë viteve që ka qenë mjek i Enver Hoxhës, kishte vlerësim për të, për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për trimëritë e kryera në atë luftë, kishte respekt për drejtimin e vendit nga Enver Hoxha dhe për figurën e tij. Isuf Kalo në libër tregon se ai këtë respekt për të e ka edhe sot, ose e kishte në momentin që ka shkruar librin.

Pra, që në krye Isuf Kalo bën gjykime që nuk i përkasin një mjeku. Ai thotë se lufta e Partisë Komuniste ishte nacionalçlirimtare dhe antifashiste apo se në atë luftë Enver Hoxha kishte qenë një njeri që kishte treguar trimëri. Gjithashtu, Isuf Kalo, kur flet për njerëzit që morën në dorë drejtimin e Partisë Komuniste dhe të vendit pas luftës, thotë se ata ndaheshin në dy grupe: në ata që kishin qenë të njohur për trimëri në luftë, që ishin njerëz të cilët vinin nga lufta me pushkë kundër pushtuesit dhe në ata që vinin nga propaganda, të cilët nuk kishin treguar ndonjë trimëri, që vinin nga një kategori tjetër. Pra, sipas Kalos, një pjesë e qeverisë dhe e drejtuesve të Partisë Komuniste pas 1944-s, ishin njerëz që kishin luftuar për të çliruar atdheun dhe që kishin luftuar me pushkë.

Kalo, sigurisht që nuk citon asgjë dhe askënd. Pasi jep thjesht mendimin e tij personal. Duke qenë një libër me kujtime ai sigurisht që nuk do t’u hynte citimeve dhe mirë bën. Çështja është se Kalo flet me të njëjtën gjuhë siç ka folur Enver Hoxha për luftën dhe për trimëritë e partizanëve, çështja është se Kalo flet për luftën siç kanë folur historianët më mediokër, më të indoktrinuar të historiografisë komuniste për luftën dhe trimëritë e drejtuesve komunistë.

Në fakt, Kalo e bën të qartë që në fillim të librit metodologjinë e tij. Ai përmend një biolog dhe një paleontolog të njohur, Lamarkun, i cili ka thënë se i mjaftonte një kockë nga një skelet i një qenieje parahistorike dhe ai do ta ndërtonte të gjithë skeletin. Edhe Kalo kërkon që nëpërmjet detajeve dhe elementeve që ai përmend nga jeta e Bllokut, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës etj., të ndërtojë ose t’u krijojë mundësinë njerëzve ta ndërtojnë vetë skeletin e asaj që ka qenë Enver Hoxha, e asaj që ka qenë Blloku, që ka qenë Nexhmija etj.

Në fakt këtu është i gjithë problemi metodologjik i librit “Blloku”. Libri “Blloku” tregon se udhëheqja e Partisë Komuniste që jetonte në Bllok, pra në një minilagje me vila dhe shtëpi luksoze në Tiranë, përbëhej nga njerëz që kishin si kushdo një jetë të tyren, që kishin virtyte dhe vese, që zemëroheshin dhe gëzonin, që punonin me përkushtim apo me intriga, që visheshin kështu apo ashtu, përbëhej nga njerëz në shumicën e rasteve normalë, në disa raste shumë të mirë dhe në disa raste të këqij.

Kocka që ka hedhur Kalo ka gjithçka që duhet për të krijuar idenë se Blloku nuk kishte asgjë kriminale, përkundrazi kishte gjëra për t’u admiruar, siç kishte edhe gjëra për t’u kritikuar.

Kocka që ka hedhur Kalo për të ndërtuar skeletin është një kockë që bën normalizimin apo edhe zbukurimin e krimit, është një kockë që të çon vetëm te një skelet: Enver Hoxha ishte një udhëheqës i mirë, që po ndërtonte Shqipërinë, që vinte nga lufta ku kishte treguar trimëri, që nuk donte tradhtitë, që nuk donte imoralitetin, që nuk falte gabimet, që ndëshkonte edhe me teprim kundërshtarët e partisë, që ishte njeri i ditur dhe elegant, që vishej bukur, që hante me kujdes, që dëgjonte këshilla, që ishte burrë i fortë, që i dhimbseshin shumë fëmijët, që kishte dashuri të madhe për familjarët e tij, që vlerësonte besnikërinë dhe korrektësinë etj.

Eduard Herman, një filozof i njohur, thotë se taktika që përdoret shpesh për të zhveshur nga gjykimi moral një krim, është ajo që quhet normalizimi i të pamendueshmes. Kjo bëhet duke e ndarë punën në mënyrë burokratike sa askush në kryerjen e një krimi nuk mban përgjegjësi, sepse nuk ndien barrë morale, si për shembull në rastin e krimeve të nazistëve apo të komunistëve. Herman thotë se arrestimin e hebreut e bënte një agjent nazist, më pas atë e shoqëronin në makinë, e çonin në kamp, atje e fuste në punë një oficer tjetër, më vonë dikush e hipte në një tren dhe e çonte pranë dhomave të gazit. Atje dikush i hapte derën, dikush tjetër e fuste në dhomë dhe dikush shkelte butonin e gazit. I gjithë ky zinxhir me kaq shumë njerëz bënte që secili nga ata të mos ndihej përgjegjës direkt për vrasjen e një hebreu, pasi secili bënte një punë të “vogël” dhe nuk bënte vrasjen. E njëjta gjë edhe me krimet në komunizëm, që nga përgjimet apo arrestimi me xhip deri te pushkatimi. Në këtë mënyrë bëhet “normalizimi i të pamendueshmes”.

Veç kësaj Herman thotë se ka edhe një metodë tjetër për normalizimin e të pamendueshmes. Nuk merremi me krimin dhe me thelbin e një gjëje, por me detajet që e fshehin krimin, që e bëjnë krimin të kalojë në plan të dytë, në heshtje, që të duket i pranueshëm apo edhe i bukur. Kështu kemi normalizim të së pamendueshmes sërish. Pra nuk flasim për krimet, për mizoritë, për burgjet dhe kampet e përqendrimit, por tregojmë sesa bukur vishej Enveri, si sillej ai me fëmijët, si i festonte ditëlindjet, si bënte dhurata, si shqetësohej për punën, si zemërohej dhe si e tepronte me ndëshkimet etj.

Tërë libri i mjekut personal të Enver Hoxhës është “normalizim i të pamendueshmes”. Blloku shfaqet si një oaz ku rrinë pushtetarë, ku hahet mirë, ku vishet bukur, ku ka debate intelektuale, ku ka shije, ku ka flirte dhe dashuri, ku rrahin zemra nga ankthi i dënimit, por edhe nga dashuritë, ku ka vajza të bukura udhëheqësish, që kur dalin në bulevard të gjithë i admirojnë.

Pra gjëja e parë e tmerrshme e librit “Blloku” është se askush nga libri nuk kupton se Enver Hoxha ishte një kriminel që me anë të të dërguarave serbë mori nën kontroll Partinë Komuniste, që kreu vrasje njerëzish të rëndësishëm të partisë së tij, që udhëhoqi një luftë vëllavrasëse civile dhe që mori pushtetin me dhunë. Nga libri “Blloku” askush nuk e kupton se Enver Hoxha ngriti gjyqe speciale kundër nacionalistëve dhe o i vrau ose i persekutoi ata. Nga libri askush nuk kupton se Shqipëria që drejtohej nga Enver Hoxha kishte kampe përqendrimi, se Enver Hoxha ishte autor i mjerimit të thellë, i grabitjes së pronave dhe i mbylljes së kishave dhe xhamive, nga libri “Blloku” askush nuk kupton se Enver Hoxha ishte vetëm një njeri i shkolluar keq, mizor, që ndërtoi një regjim kriminal totalitar dhe pa dyshim antikombëtar.

Gjëja e dytë e tmerrshme e librit “Blloku” është se Isuf Kalo duket se kërkon të mbajë qëndrim për disa nga figurat e Bllokut, duket se kërkon të shpjegojë diçka nga lufta e brendshme për pushtet brenda Bllokut. Libri i Kalos e tregon Enver Hoxhën njeri të pakompromis, të fortë, të drejtë dhe të rreptë, që nuk ndikohej as nga Nexhmija Hoxha dhe as nga Ramiz Alia dhe padyshim as nga të tjerë. Kalo kërkon të davarisë çdo hije që është hedhur sikur Enver Hoxha drejtohej ose ndikohej nga Nexhmija. Ramiz Alia është një njeri të cilit Enver Hoxha i beson shumë dhe e ka mbrojtur që nga fillimi dhe Kalo lë të kuptohet se ai ka qenë pjesë e një intrige për të qëndruar deri në fund dhe marrë pushtetin sikurse ndodhi. Kalo thotë se Ramiz Alia (ai e tregon intrigant, pa personalitet dhe pa profil) qëndroi në heshtje besnik dhe shërbëtor i Enverit deri sa mori pushtetin. Përdori Enverin dhe Nexhmijen dhe më pas kur Enveri vdiq, ai u ktheu shpinën Nexhmijes dhe familjes së Enverit. Pra përpjekja për të mbrojtur me çdo kusht figurën e Enverit dhe të Nexhmijes është e fortë.

Libri në thelb synon dhe bën këto dy gjëra zbukuron, fsheh, normalizon krimin dhe mbron Enver Hoxhën dhe Nexhmijen edhe sa u takon luftërave të brendshme.

Isuf Kalo mund të bënte një shërbim për vendin, duke shkruar një libër për Enver Hoxhën, për Nexhmije Hoxhën, për Ramiz Alinë etj., por ky libër duhet doemos të kishte në fokus krimet e Enver Hoxhës dhe të gjithë “Bllokut”. Isuf Kalo po të mundte duhej të zbërthente mekanizmin kriminal, pervers dhe mizor të regjimit komunist të drejtuar nga Hoxha dhe të tjerët mekanizëm që vrau, preu, internoi, pushkatoi pa gjyq patriotë dhe antikomunistë, njerëz të thjeshtë dhe komunistë, mjeroi dhe degradoi gati në mënyrë të pakthyeshme vendin. Kalo duhet të shkruante një libër, ku të zbardheshin vrasje, krime, grabitje, dhunime dhe përdhunime (n.q.s. mundej dhe ka dijeni). Kalo duhet të shkruante një libër, ku të tregonte rolin e Enverit, Mehmetit, Ramizit, Nexhmijes etj., në aparatin kriminal, në krime.

Kalo duhet të bënte një libër, ku të tregonte (nëse ka dijeni) se ç’rol ka sot Nexhmija dhe njerëzit e saj, ç’rol ka Sigurimi i Shtetit ende sot, si janë të organizuar, nëse janë ende këto rrjete, dhe si ata e kontrollojnë jetën politike, mediat, ekonominë etj., sot. Kjo pritej nga një profesor, që ka përgjegjësi ndaj vendit.

© Gazeta Liberale

Facebook Comments