Nga Faruk MYRTAJ

◾◾◾

Ka shumë të ngjarë, Berisha të pres nipin e Bushit në Shtëpinë e Bardhë!
(Arkiva, 2002)

Kot paskemi bërë habi përse shefat e shtetit monist e besuan veten të përjetshëm. Kështu po ndodh edhe me të tanishmit.
Arsyet paskan qenë të njëjta…

Mbase fatet e shteteve janë si fatet e individëve që i kanë krijuar ata: Xhorxh Uashington, që amerikanët ishin gati ta shpallnin mbret, pas mbarimit të mandatit të dytë presidencial, u kthye në fermën e tij. Paskësaj, askush prej pasardhësve të tij nuk kishte të drejtë morale për të pretenduar më shumë. Prej asokohe, askush në Amerikë, nuk zgjidhet më shumë se një tetëvjetësh president i saj.
Ismali Qemali, të cilit qeveritë shqiptare endè s’i kanë ngritur një bust në Tiranë, vetëm pak kohë pasi ngriti flamurin e Shtetit Shqiptar, u detyrua të mërgonte në Itali, ku pati një vdekje të pashpjegueshme. Kryeministri i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, Sulejman Delvina, e mbylli jetë në çmendinë, Noli dhe Zogu në mërgim, Enver Hoxha, lëvduar në gjallje, mallkuar pas vdekjes…
E lemë historinë e shkuar dhe të shkuarën e afërt.

Në prag të viteve ‘90, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës president ishte Xhorxh Bushi, i vjetri. Po këtë kohë, në Angli njësh i vendit, kryeministër, ishte Margaret Thatçer e cilësuar si “zonja e hekurt”. Në Gjermani kancelar ishte Helmut Kohli, i vlerësuar si në jetëgjati në politikë dhe në pushtet, por pikërisht ai njihet si njeri nga shtyllat e Europës.
Të tre këta emra të mëdhenj, këta euroatlantikas të shquar, sapo humbën një raund zgjedhjesh ikën nga skena. Nuk kujtohen për zgjedhjet që humbën. U mbahet mend vetëm ajo që kanë bërë.

Në Shqipërinë e viteve të para ‘90, president i parë i pluralizmit u zgjodh Sali Berisha, që rrëzoi dyherëkryeministrin Fatos Nano. Prej atëherë Sali Berisha u rizgjodh edhe një herë tjetër president, në situatë të jashtëzakonshme, për shkak të së cilës, pak më vonë, u detyrua të jepte dorëheqjen, për t’i hapur rrugën presidentit Rexhep Mejdani dhe triherëkryeministrit Fatos Nano.

Deri para pak muajsh, dhjetë vjet pas zgjedhjes së parë, dashamirët dhe ndjekësit e dyherëpresidentit Berisha dëgjoheshin tek e kërkonin dhe e shpresonin përsëri President, por në këtë vend u ngjit Alfred Moisiu, emrin e të cilit nuk e kishin përmendur kurrë nëpër mitingjet e dimrave dhe te behareve.
Fatos Nano, i ngjitur për herë të tretë në detyrën e kryeministrit, më 1997-ën, u rrëzua më 1998-ën, për t’ja lënë vendin Pandeli Majkos. Kryeministri Majko, në përpjekje për t’iu bindur dhe për të respektuar njësimin e kryeministrit me kryetarin e partisë, humbi postin e kryeministrit, për t’ia lënë atë zëvendësit të tij Ilir Meta.
Ky i fundit u ngjit dy herë rradhazi si kryeministër: së pari për t’i zënë vendin Majkos dhe së dyti si fitues i zgjedhjeve të 2001-it. Më 2002-in dha dorëheqjen për t’ia rikthyer fronin atij të cilit ia mori, Pandeli Majkos, i cili, nga ana e tij, u detyrua t’ia kthente edhe një herë Fatos Nanos, për të bërë njësimin e postit të kryetarit të qeverisë me atë të kryetarit të partisë. Pas pak muajsh ishte Fatos Nano që, pasi lëvizi gurët për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, synim të cilin, për arsye kombëtare dhe ndërkombëtare e gjeti të pamundur, më pas e gjykoi si të panevojshëm. E zbriti ëndrrën një shkallë më poshtë: u mjaftua me postin e Kryeministrit, të po kësaj Republike. Që pavarsisht zgjedhjeve, sukseseve dhe dështimeve të politikanëve, mbetet shqiptare!

Ashtu si në fillim, edhe në fund të kësaj periudhe Sali Berisha ka qenë dhe mbetet kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Edhe Fatos Nano ka qenë dhe mbetet kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, madje pa asnjë ndërprerje formale, duke përfshirë këtu edhe kohën e dënimit me privim lirie.

Nga ana e saj, Partia Demokratike e Shqipërisë ka marrë autorizimin e përhershëm dhe të përjetshëm të luftojë, të duhet dhe të urrehet, pastaj të nënshkrojë marrëveshjet e paqeve dhe pastaj, përsëri, të drejtojë luftrat provizore me Partinë Socialiste të po kësaj Shqipërie.
Kjo lëvizje dy hapa para, një hap mbrapa, gjithnjë drejtë qendrës imagjinare, pritet të vazhdojë, duke lenë mbrapa secila prej tyre, respektivisht: PD-ja të djathtët dhe PS-ja të majtët tradicionalë. Ndërkohë secili prej ish-aletaëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ka të drejtën të shohë punët e veta, nëse nuk arrin të kuptojë misionin e tyre në Rrafshin e Pafundmë të demokracisë dhe ëndrrës shqiptare.

Gjëtë tërë kësaj periudhe, që dhjetëvjeçare është edhe në Perëndimin Euroatlantik, në SHBA kanë qenë tri presidentë të ndryshëm që mbahen mend për punët që kanë bërë. Askush, apo rrallëkush në Shqipëri, i di emrat e kryetarëve të Partive Republikane apo Demokrate. Në Angli, pas Theçerit, erdhi Mejxheri, po i konservatorëve, që katër vjet më vonë humbi zgjedhjet dhe iku. Kudo janë ndërruar nga disa kryetarë partie të opozitave respektive. Së shpejti përgatitet të ikë edhe Toni Bleri i laburistëve. Ky i fundit për shkakun se është zgjedhur dy herë rresht si kryeministër i suksesshëm, por nuk pritet që Bleri të rikthehet në karriken e kryetarit të Partisë Laburiste. Në Gjermani s’pritet të ketë më imitues të Kohlit afatgjatë. Rival i kancelarit të sotshëm Gerhard Shreder, nuk është as Kohli dhe as ndonjë prej atyre të kohës së Kohlit. Në se nuk rizgjidhet, edhe për Shrederin nuk pritet të kthehet në postin e kryetarit të socialdemokratëve gjermanë.

Në Shqipëri, dhjetë vjetë pas vitit të parë të pluralizmit 1992, pas dhjetë vjet “lufte të ftohtë”, mësohet se së fundi, lideri i përhershëm i demokratikëve, Sali Berisha, ka nënshkruar një marrëveshje afatgjatë me të përhershmin e socialistëve, Fatos Nano. Thuhet ashtu nën zë, si për një marrëveshje transparente, të hapur, demokratike, kombëtare por tmerrësisht sekrete, se në zgjedhjet e tjera, ato të radhës, për shkak të qeverisjes “ndryshe” të kryeministrit të tanishëm socialist Fatos Nano, lideri i demokratikëve Sali Berisha do të ngjitet e do t’i gëzohet postit të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, teksa Fatos Nano, për shkak të opozitës konstruktive të PD-së së Sali Berishës, do ta ketë të mundur realizmin e ëndrrës së kahershme për President të po kësaj Republike.

Besohet se nën Dy-Pushtetin në fjalë, ekzistojnë të gjitha shpresat për qeverisje të qetë, rezultative, me prosperitet të dukshëm për masat e gjera të shqiptarëve që së fundi kanë problem jo të qëndruarin në Shqipëri por portet dhe pikat kufitare që i nxjerrin prej Atdheut.
Pritet dhe shpresohet që, duke bashkuar dhe njësuar, të dy, postin e kryetarëve të partive dhe të posteve më të lartë shtetërorë, të dy emrat e ngjitur në politikë fillim të viteve ’90, do të jenë afatgjatë në politikën dhe në krye të shtetit shqiptar. Brenda dhe jashtë konsensusit, dashurive apo urrejtjeve me emrat që u përmendën më sipër.

Në Uashington, Londër, Berlin a Romë, ndërkohë nuk do të ketë asnjë prej atyre që, në fillim të viteve ’90, pritën dhe ndihmuan si fillestarë në politikë, demokraci e pluralizëm, politikanët shqiptarë.
Liderët shqiptarë Berisha, Pashko, Pollo, Nano, Ruçi, Gjinushi, Laço, Ceka, Imami e Zogaj, kryetarët e tjerë të Aleancës së Veriut dhe të Jugut, mediatorët e përhershëm dhe frymëzuesit e përjetshëm të klas-politikës që u propozua si pluralizmi i dytë i dekretuar shqiptar, i bie radha t’i presë, sot, i biri i Bushit, Xhorxh Bush I Riu. E përse të mos shpresojmë që, pas nja dhjetë vjetësh të tjerë tranzitivë shqiptarë, t’i pres edhe nipi i Bushit të Madh?!

Mbase atëherë Berisha do të vazhdojë ta ketë mirë apo keq me Nanon, mbase Zogaj dhe Imami, pasi janë duke u rikthyer tek Berisha do të jenë larguar pësrëri nga ai, mbase Gjinushi mund të jetë pajtuar me Milon, mbase…! Nga qetësia që duket, edhe pse në Tiranë e në mbarë Shqipërinë nuk ka energji elektrike, as për ndriçim, askush nuk ka për t’i thënë kësaj politike sezonale, ditore, shko puthu me Milon! Ata politikanë që kemi pasur, po ata do të kemi, dhe ata që kemi, përse të mos i kemi, edhe për nja njëzetë vjet të tjerë?!

Ndërkohë, në Shqipëri nuk do të ketë më asnjë prej studentëve që u ngritën si të tillë në “Qytetin Studenti” në vitin 1990. Ata prej studentëve që nuk pranuan apo që s’pritën të veniten dhe të plaken në këtë Shqipëri të kësaj politike, ndodhen diku në Perëndim, ku dihet mirë që ai i cili dështon një herë, nuk ka të drejtë të premtojë dështime të tjerë.
Nëse është e vërtetë ajo që u përmend në fillim të këtij shkrimi, diferenca midis Uashingtonit dhe Ismali Qemalit, është tjetër gjë…

▪️Botuar në Albania,2002

Facebook Comments