Nga Edmond BUDINA

◾◾◾

Mbrëmë pashë një shfaqje teatri, një Shekspir të sjellë në ditët tona, ku lufta për pushtet zhvillohet mes bandash. E pashë pikërisht në atë hapësirë, në oborrin e Teatrit Kombetar, që banditët pushtetarë, kriminelët e vrasësit e kulturës, të korruptuarit e djeshëm e të sotëm duan ta grabitin për të pastruar paratë e tyre të pista. Të vjedhin truallin, të shembin atë shenjtëri që quhet Teatri Kombëtar. Shfaqja e mbrëmshme i bëri një rivlerësim asaj hapësire magjike, që asnjë ndërtim sado modern e i përsosur të jetë, nuk mund t’ia japë. Disa vite më parë, në një platformën time për Teatrin Kombëtar, atë hapësirë e kisha parashikuar si një teatër të përhershëm veror, te hapur dhe mbrëmë e pashë të materializuar më së miri. Çdo qoshk i asaj hapësire është një dekor më vehte, ku mund të ndërtohen shfaqje nga më të ndryshmet. Jul Qezari filloi në pishinë, në një gropë që të kujton basifondet, kanalet e ujrave të zeza ku personazhet si pjestarë bandash gëzojnë e i thurrin lavde kryetarit.( Sa afëri me festimet banale të pushtetarëve tanë). Vazhdoi tek pishat me misterin e pyllit të intrigave, ku njerëzit kthehen në kafshë. (Ç’ngjashmëri me intrigat e kafshërinë e politikanëve tanë!) Ishte tepër e lexueshme vrasja e Qezarit poshtë pallatit të dhunës(Ministria e Brendëshme). Dhe pjesa e fundit atje ku çdo natë qytetarët e Tiranës protestojnë për të mbrojtur kujtesën, trashëgimninë. Në konceptimin e saj edhe kjo shfaqje qe një protestë. Tepër e qartë për ata që duan të kuptojnë, por edhe për ata të gjithpushtetshëm, Teatrovrasës, që rendin nëpër natë si shpirtra të zinj mbushur me mllefe. (Sa hipokrite tingëllon thirrja për të mos e humbur këtë shfaqje!). Në asnjë vend nuk prishen teatrot e vjetra, sado të vogla e të shëmtuara të jenë. Ato veç ristrukturohen. Emancipimi i një vendi duket edhe nga numri i teatrove që ka. Një pushtet vlerësohet edhe se sa teatro të rinj ka ndërtuar e jo sa të vjetër ka shembur. Është trishtuese të shohësh rendjen e çartun për të fituar me çdo kusht e mjet dhe humbet ndjesitë njerëzore, shpirtin. Në shpirtin e një kombi bën pjesë edhe teatri. Ta vrasësh atë do të thotë të vrasësh vetë kombin. Më vjen keq për ata kolegë të mi, që kërkojne prishjen e Teatrit Kombëtar, më vjen keq edhe për ata që heshtin, që shiten e blihen për një vend pune, për një projekt të financuar majmshëm nga Bashkia a Ministria. Më vjen keq për intelektualët e vendit tim, që bëjnë të paditurin e heshtin e me heshtjen e tyre bëhen bashkëfajtorë në krim. Më vjen të ulëras për këtë klasë politike të papërgjegjshme, të lidhur me krimin, që po e çon vendin drejt greminës. Një nga të parat që vithiset prej pushtetarëve është kultura dhe shembulli I Teatrit e tregon më së miri këtë. Për këtë unë e gjej Jul Qezarin një shfaqje proteste. Falenderit Ivica Buljan, që na dhurove një shfaqje qytetarie, por kjo shfaqje e rrallë në llojin e vet, nuk do të bëhej nëse nuk do të ishin ata, qëndrestarët qysh prej një viti e gjysmë, ndërkohë që prishësit vijnë e japin shfaqje, fitojnë para, hedhin romuze e heqin edhe valle… sa keq e turp. FALEMINDERIT qytetarë të Tiranës, që me protestën tuaj të perditëshme, ditë me shi a me diell, keni mbrojtur nga shembja këtë tempull të kulturës kombëtare. KUJDES pushtetarë qendrorë a lokale, mos luani e intrigoni nën rrogoz se uragani i revoltës popullore nuk do t’ia u falë.

Facebook Comments