Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Thuhet se shejtani është engjëlli i cili nuk iu bind Zotit dhe nuk pranoi të ndiqte urdhëresat e Tij.

Po cilat janë ato urdhëresa? Janë; mos vrit, mos vidh mundin dhe pronën e tjetrit, mos keqtrajto, mos torturo, mos fyej, respekto, ndihmo të dobëtit, luftoji ata që synojnë të vendosin tirani dëshirash e egosh.

Këto janë verdikt i Zotit për njerëzit. Këto burojnë nga Zoti e as mund të kontestohen as mund të ndryshohen, vetëm zbatohen.

Ata të cilët quhen socialistë nuk bazohen këtu. Ata bazohen, nëse mund të themi, tek iluminizmi. Bazohen tek mendimi se njeriu është vetë i zoti, ka kapacitet, mundet të qeverisë mbi njerëzit me të cilët ka status të barabartë, pra njeri ai njeri ky, pa pasur nevojë për verdiktin e diçkaje jo të barabartë por eprore mbi ta, Zotit.

Por edhe midis kësaj barazie ata kanë përcaktuar një “zot” të tyre, tokësor, Marksin me shokë. Njohin pra, si eprorë, filozofët dhe udhëzimet e tyre i ndjekin.

Kanë denoncuar fenë si prapambetje, traditën si pengesë, familjen si shtypëse të njeriut dhe me rradhë. Me këto argumente, ndërtojnë revolucionin, socializmin, progresin, duan të ecin përpara, jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht. Për të shkuar, nuk dihet se ku. Por përpara, pa dyshim.

Shteti shqiptar në 1945-1990 quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Në vitin 1967, bazuar në ketë ideologji, shpallën Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Ideologjia quhet socializëm. Padroni i ideologjisë ishte Marksi, inxhinieri i zbatimit Enveri, vegla e punës partia, kantieri Shqipëria, punëtorët komunistët, propagandistët dhe pararojat që i ndërgjegjësojnë njerëzit se të mohosh Zotin është e domosdoshme dhe të pohosh Marksin është edhe më e domosdoshme.

Çfarë ndodhi me ketë ideologji? Nëse Zoti urdhëron mos vrit e mos keqtrajto, ata vranë dhe keqtrajtuan për arsye ideologjike, për nevoja të ndërtimit të socializmit dhe çuarjes përpara të revolucionit. Nëse Zoti urdhëron mos ia vidh mundin dhe pronën tjetrit, ata shtetëzuan mijëra prona të krijuara me punë e mundim për breza nga familjet shqiptare. Kjo në funksion të ndërtimit të socializmit. Sepse për ta nuk ka rëndësi çfarë urdhëron Zoti por çfarë kërkojnë Marksi dhe socializmi.

I gjithë fataliteti me burgje, kampe interrnimi, vrasje ideologjike, nuk ndodhi sepse u gabua gjatë rrugës në zbatimin e socializmit por sepse socializmi ashtu e kërkon.

Nga ana tjetër konservatorizmi, njeh se të drejtat dhe lirinë na i ka dhënë Zoti e smund të na i kufizojë shteti. Ndaj filozofia e konservatorizmit është mbrojtja e këtyre të drejtave të dhëna nga Zoti për ne, prej rrezikut të shetit socialist, shtetit të madh shumë të fuqishëm i cili shtrihet në çdo hapsirë të shoqërisë.

Facebook Comments