Nga Adela RADOVANI

◾◾◾

Me mbylljen* e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, biznesi i librit të përdorur njohu një rritje të paparashikueshme. Mundet fare mirë të kishte ndodhur kjo rritje edhe pa nxjerrjen jashtë funksioni të Bibliotekës më të madhe në Shqipëri, por unë them që jo, nuk është e mundur. Tashmë që mundësia për të prekur botimet e vjetra të shtëpisë botuese Naim Frashëri i takon vetëm atij që i zotëron ato fizikisht, edhe libraritë e rrugës dhe ato të dyqaneve në formë kthinash, u bënë zotër të një tregtie të egër, shpesh dhe absurde. Por nuk ta kam fjalën aty jo, ta kam te kjo tjetra, sa më tepër që libri u vështirësua në gjetjen e tij pa pagesë, gjithnjë e më pak në pah vihet fakti se, mirë që e bleve, tani duhet EDHE ta lexosh. Nëse dikur të ishte çekan mbi kokë data e kthimit të librit, brenda një pesëmbëdhjetëditëshi të shkurtër në të cilin, duhej ato tre libra t’i kishe bërë të vdekur a të paktën fotokopjuar, tani libri i vjetër që bleve është aty, në një cep të raftit, a mbi tavolinë derisa jot ëmë ta vërë diku për t’u mos u gjetur më kurrë. Libri i ri të shtyn më tepër ta lexosh pavarësisht se është marrë në të njëjtën formë: pagesa e lartë të lot nga fiqiri, ore thua me vete, do e marrësh në dorë ti këtë apo si e ke hallin, le nëntëmijëlekshin për këtë farë eseisti në mërgim, plas trutë tani! Ndërsa i vjetri, eh, një pesëmijëshe, një dymijëshe, aty është fundja, nga do vejë?

Ndërkohë që rafti rëndohet, librashitësit tani i ke online, në rrjetin tënd social të preferuar. Të dalin vetiu, sikur e dinë, e besoj që po, që ti je i interesuar për libra të vjetër. Ah, po ç’justifikim ke? Tani je një klikim larg blerjes tënde më të fundit, por kujdes, duhet të tregohesh i shkathët, i shpejtë, ka të tjerë që duan po ato libra. Pavarësisht se edhe këta me gjasë kurrë nuk do e gjejnë kohën e dëshirën për t’i lexuar. Disa syresh madje e pranojnë, thonë psh: unë e kam lexuar këtë por ime vjehrrë m’i hodhi librat kur u ndava nga gruaja e parë e tani po rindërtoj bibliotekën nga e para. Njëri më thoshte dikur se i blinte të vjetër që të duket sikur i kishte të trashëguara nga farefisi, gjë e cila i dilte disi problem se njerëzit i kanë shënuar me emra e data blerjen e parë e i qe dashur të griste faqe të para, e të përdorte korrektor stilokalemi. Tani, tha, i kontrolloj më para a kanë apo jo emër e nënshkrim, që të mos lodhem. Një tjetër më tregoi me mburrje si rafti i kishte marrë hark, kaq peshë e mbingarkesë mbante ajo e gjorë dërrasë, të cilën ai me shpejtësi më korigjoi të më saktësonte se ishte melamin, jo dru. S’di ç’ndryshim përbënte lloji i materialit por ai ishte një tip i tillë, tepër i saktë me këto detaje, edhe pse nga librat, mundet të kishte lexuar vetëm një të tretën. Por nuk është tamam për ta përmendur atë, ai vërtet i hynte me themel ose i falte librat të cilat pas do kohe nuk arrinin t’i tërhiqnin vëmendjen. Veç klasikëve, kuptohet.

* E di që nuk është mbyllur në sensin përfundimtar të fjalës, as vënë kyçi e as ndalimi absolut i prekjes së librave, por e quaj ashtu meqë, të kesh mik që të nxjerrësh diçka prej bodrumi, nuk është “hapur”.

Facebook Comments