Nga Haqif MULLIQI

◾◾◾

Më duhet ta pranoj se, ka kohë që nuk më ka emocionuar një shfaqje siç e bëri mbrëmë shfaqja “Simedea apo zëri njerëzor” e Zhak Koktosë dhe Fadil Hysajt, e cila, në Festivalin Ndërkombëtar “Aktori i Evropës”, që mbahet në Resnje të Prespës, erdhi para publikut me një lojë frymëzuese, pasionante dhe plotë afsh njerëzor nga aktorja shumë e talentuar, Sheqerie Buqaj.
“Simedea apo zëri njerëzor”, e punuar në regji të Fadil Hysajt, është një dramë për dashurinë, dhembjen, narcisoizmin njerëzor dhe mohimin, që shpiejnë, së bashku, në krim. Shfaqje e cila, komunikoi me publikun në mënyrë të veçantë, pa shumë zbulime, duke sjellë pamje të shkëlqyeshme të botës së sotme e cila, themelet e veta i mban tek shekujt e kaluar, duke na kthyer, ndonjëherë, madje tek vetë zanafilla e dashurisë, krimit dhe tradhëtisë biblike.
“Simedea apo zëri njerëzor” është një shfaqje, që, mbase, as që posedon ndonjë zhanër të veçantë, të cilën F. Hysaj e sjell pērmes një koncepti dhe disa gjetjeve origjinale duke e lënë, të thuash, fatin e shfaqjes në duart e një aktoreje
jashtëzakonisht të talentuar, Sheqerie Buqaj, përmes lojës së jashtëzakonshme të së së cilës, shfaqja rrëmben një shkëlqim magjik i cili pëlqehet, tej mase, nga publiku dhe kritikët e teatrit.
Në shfaqjen “Simedea apo zëri njerëzor” luhet saktësisht edhe me nocionet e së bukurës, të së përjetshmes dhe të vdekjes duke na e treguar qartësisht se, edhe pse jemi larguar me ditë, muaj, e vite nga e shkuara, megjithatë nuk kemi hequr dorë nga veset dhe pasionet e kohërave të lashta që krijojnē epsh, por edhe dhembje e tragjedi.
Në këtë vepër përdoret një legjendë e njohur dhe e kënduar për Halilin dhe Hajrinë, ku miti shërben si motiv që i flet bashkëkohësisë sonë dhe rrethanave në të cilat jetojmë, me ç’rast edhe sinteza e tekstit të Hysajt me atë të Koktosë krijojnë një harmoni të çuditshme dramatike. Loja briliante dhe inspiruese e Sheqerie Buqaj na bartë në mënyrë dramatike, e ndonjëherë edhe tronditëse në dallgët e jetës të shumë kohëve.
Loja që bëri mbrëmë, në skenë, Sheqeria, nuk ishte vetëm shpërthim i një talenti të madh dhe një shkëlqim vezullues i një nate, por edhe një dashuri madhe për artin e dramës si dhe dëshmi e qartë e vlerës së shkollës sonë të aktrimit. Ndërsa, duartroktitjet shumë të gjata dhe të pafundme të publikut të mahnitur me lojën e saj, në Festivalin Ndërkombëtar “Aktori i Evropës” na bënë që, pas shumë kohësh të ndihemi të plotë dhe të mburrur në një shfaqje teatrore shqiptare.
Përndryshe, besoj se, pas briliancës së mbrëmshme, Sheqeria është pretendentja kryesore për çmimin kryesor të festivalit.
Bravo Sheqerie.

Facebook Comments