Nga Red VARAKU

◾◾◾

Dikur Napoleon Bonaparti deklaronte se katër gazeta të pavararura dhe opozitare, janë më të rrezikshme se një mijë bajoneta.

Ai e njihte mirë fuqinë e shtypit të lirë. Ai e kishte të qartë që liria e shtypit mund të zgjojë te populli i tulatur nga frika dhe dhuna , një shkëndijë që më pas mund të kthehet në një zjarr të madh, i cili mund të djegë vetë regjimin.

Përgjatë të gjithë historisë njerëzore, tiranët gjithmonë kanë patur një luftë të hapur me intelektualët, njerëzit e shtypit, gazetarët dhe reporterët.

Shtypi i lirë është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur, sepse është një hap i pakthyeshëm drejt skllavërisë për një komb.

Është një vijë e kuqe që paralajmëron fundin e demokracisë dhe fillimin e rrëshqitjes drejt një regjimi totalitar.

Kjo është edhe arsyeja pse në vendet demokratike fjala e lirë është e shenjtë dhe e panegociueshme.

Kryeministri aktual i ka shpallur luftë shtypit të lirë, për shkak se duke qenë një njohës i mirë i magjisë së lirisë së shtypit, e njeh mirë fuqinë dhe i druhet forcës së tij.

Ai i ka shpallur ‘armiq’ publikisht disa intelektualë dhe mbrojtës të lirisë dhe demokracisë.

Tashmë, të gjithë e kanë të qartë që ai ka një strategji të punuar shumë hollë dhe me djallëzi për t’u mbyllur gojën intelektualëve dhe gazetarëve, të cilën po e zbaton me përpikmëri .

Zhgënjyese dhe ulëritëse në të gjithë këtë histori është heshtja e shoqërisë. Dikur, shoqëria të paktën bënte sikur indinjohej dhe zemërohej përballë rasteve flagrante të persekutimit të gazetarëve, por tani mungon qoftë edhe solidariteti njerëzor kundër sulmeve dhe kërcënimeve të tilla.

Ndërkohë, nuk ka asnjë strategji për t’u mbrojtur ndaj sulmit të Kryeministrit për të asgjësuar përgjithmonë shtypin e lirë.

Në rastin e ‘armiqve të popullit’ si Fatos Lubonja, Aurel Plasari , Flutura Açka etj, nuk kemi asnjë reagim, qoftë për hipokrizi.

Intelektualët, gazetarët, dhe jo vetëm, duhet të jenë shumë vigjilentë dhe të reagojnë njëzëri dhe me vendosmëri përballë rasteve të tilla flagrante që synojnë mbylljen e gojës së njerëzve të lirë.

Përpjekja për t’i mbyllur gojën intelektualëve dhe gazetarëve është një tregues i qartë i fillimit të një epoke dhune dhe terrori për të gjithë.

Tiranitë ushqehen nga indiferenca dhe përgjumja e popullit.

Nëse nuk do të reagojmë me vendosmëri ndaj akteve të tilla, atëherë kamzhiku i këtij regjimi do të bjerë mbi të gjithë.

John F. Kennedy shkruante se “Një qeveri që nuk lejon popullin e saj të gjykojë hapur të vërtetën, është është një qeveri që ka frikë nga populli i saj.”

Facebook Comments