Nga Red VARAKU

◾◾◾

Kjo ditë është qartazi dita Lulzim Bashës. Ai arriti një objektiv të tij madhor. Refuzoi çdo marrëveshje në dëm të qytetarëve, edhe pse me kosto për të dhe opozitën.

Ai nuk e çoi vendin drejt përplasjes civile, ku kishte ndërmend ta çonte pro-amerikani, nipi i Kolekës, me qëllim shfokusimin nga përgjimet skandaloze të BILD.

Ai është sot njeriu, i cili konsiderohet tashmë si lideri që do t’i japë fund tranzicionit dhe të udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE.

Ai e kaloi provën se çfarë mund të falte dhe çfarë mund të flakte nga vetja e vet, për t’u bërë i tillë.

Lulzim Basha e shpëtoi Shqipërinë nga një përplasje e madhe civile në datën 30 qershor.

Me një vendosmëri personale, ai mbajti të tendosur opozitën kundër pushtetit, qysh një javë pas zgjedhjeve të vitit 2017 dhe nuk u deinkurajua nga ‘humbja’ e thellë.

Ai e ktheu lëvizjen opozitare në një lëvizje të strukturuar politike, kundër sistemit të vlerave të vitit 2013, marrëveshjeve të pamoralshme, aleancës me qelbësirat për të vjedhur zgjedhjet, shijes së hidhur të represionit të Ramës mbi individualitete të forta opozitare.

Ai arriti në një farë mënyre t’i jepte kauzë luftës dhe dëshpërimit që mbillej nga urrejtja, lakmia për pushtet dhe arroganca e shëmtuar e Ramës.

Ai e mbajti opozitën të bashkuar, përkundër luftës për ta ndarë dhe blerë atë. Ai përballoi presionin e deputetëve të vet pa integritet , që më shumë se opozita , u duhej një mandat deputeti.

Përballoi meskinitetet e një ekipi që ishte bërë gati të vishte kostume pushteti, dhe jo parzmore opozitari.

Ai arriti të defaktorizojë opozitarët e brendshëm, aq shumë të sponsorizuar nga Rama. Ai e detyroi Ramën në vigjilje të zgjedhjeve të 2019-s, të shfaqej para shqiptarëve, nëpërmjet letrave, si pazarxhi që bënte gjithçka për të qëndruar në pushtet, përkundër diskretitimit të tij nga përgjimet zyrtare të prokurorisë.

Ai ia ‘dhuroi’ atij deputetët, që donte t’ia blinte qysh në fillim, duke i diskretituar këta të fundit dhe duke i bërë dëm më shumë se sa kur i ruante prej tij.

Ai arriti të digjte mandatet dhe kësisoj e mbajti opozitën jashtë parlamentit në një lëvizje që arriti të shkonte deri në Berlin dhe Washington dhe e detyroi Ramën të dilte nga politika duke realizuar gabimin e tij fatal dhe historik, zgjedhje pa opozitën. Ai i vodhi ato zgjedhje si hajdut, pabesisht.

Ai e shmangu perplasjen civile, pas një beteje të pashembullt, ku i fituar doli hajduti dhe i humbur “i vjedhuri”, por arriti t’i dëshmonte qytetarëve se kush ishte në të vërtetë hajduti.

Edhe pse duket i vetëm, ai reziston dhe nuk tërhiqet nga vendimi i tij për t’i dhënë fund tranzicionit me çdo çmim. Ai sërish nuk tërhiqet nga vendimi i tij për të shkullur me rrënjë të keqen nga Shqipëria.

Është kjo ajo që e bën atë të ndryshëm nga të gjithë liderët e tjerë shqiptarë. Ai nuk pranon marrëveshje në dëm të qytetarëve. Ndaj kërcasin dhëmbët Rama dhe këlyshët e tij nëpër media kundër tij. Por, Basha qëndron stoik. I vetëm, përballë qelbësirave!

Ditën kur opozitës i bëhej gjygji nëpër studio luksoze nga njerëz që paguhen me shuma të majme nga gjaku i shqiptarëve, nga ata që e ndjejnë se po mbyten bashkë me Ramën, ai ndodhej nën shoqërinë e një grupi qytetarësh të fismë, të cilët kishin zhvilluar një betejë të paprecedentë me pushtetin për të mbrojtur teatrin kombëtar. Njerëz që kurrë nuk u dorëzuan përballë joshjeve dhe shantazhit të pushtetit, por rezistuan në emër të një kauze qytetare ndër më fisniket. Sa pamje madhështore.

Sigurisht, kjo e ka dëmtuar Lulzim Bashën sepse mbi të ka rënë e gjithë makineria e pushtetit, por ai sërish reziston. Ai nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe të bëjë asnjë marrëveshje.

Ai nuk është si Rama.

Ndryshe, nga Rama që firmosi kapitullimin e tij përballë Ilir Metës me gjakun e viktimave të 21 Janarit, ai nuk e shet kauzën opozitare në emër të pushtetit. Kjo, e ka vënë seriozisht në alarm establishmentin.

30 qershori ishte kulmi i një beteje të kristaltë opozitare, e cila përkundër portretit djaloshar të Bashës ngjalli realisht frymëzim.

Përkundër të gjitha parashikimeve Basha, as nuk ka ndërmend të tërhiqet. Për këtë po dëshmon një vetësiguri të admirueshme. Kjo i ka nxjerrë të gjithë djajtë nga shishja ku rrinin mbyllur që prej 2013.

Armata e njerëzve që janë pasuruar me gjakun e shqiptarëve janë zgjuar dhe të trembur sulmojnë me fletërrufe nga frëngjitë e tyre , ushtrinë e madhe të qytetarëve, të cilët po e kuptojnë se kush në të vërtetë i ka vjedhur dhe shkatërruar.

Ai tashmë është bërë edhe modeli i kryeopozitarit brilant që do të ndiqet këtej e tutje nga opozitarët, kushdo qofshin ata. Të atij kryeopozitari, që nuk bën pazare në dëm të interesit të qytetarëve për interesin e tij.

Ai po kthehet në një lider të një opozite që po bëhet frymëzuese dhe morale.

Sigurisht që mungesa e pragmatizmit politik po e dëmton , i ka krijuar një situatë pak të disfavorshme, por ai duket që nuk do të heqë kurrë dorë nga idealizmi, ndaj ka sot mbështetjen më të madhe jo vetëm brenda PD, por edhe jashtë saj.

Fundi i luftës së tij është shumë afër, dhe sigurisht ai do të hyjë në historinë shqiptare si njeriu që edhe pse i kishte të gjithë faktorët politikë dhe mediatikë kundër, dëshmoi që aleanca me qytetarët triumfon mbi çdo aleancë dhe pazar qelbësirash.

Facebook Comments